top of page

KRIJUESI LETRAR QË SHPREH RRAFSHIN MË TË LARTË TË GJUHËS POETIKE, SHPREH RRAFSHIN MË TË LARTË TË VET



KRIJUESI LETRAR QË SHPREH RRAFSHIN MË TË LARTË TË GJUHËS POETIKE, SHPREH RRAFSHIN MË TË LARTË TË VETËDIJES ARTISTIKE KOMBËTARE

Bisedë me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë – Anton Nikë Berishën


A e kapim dot Botën?


Kultura e një vendi formon jetën e secilit. Jetën e gjithkujt, që jeton në atë vend. Mënyrat se si krijimtaria ka thekur kulturën është e jashtëzakonshme. Ajo ndryshoi mënyrën se si ne shikojmë secilën fe dhe ide në të gjithë botën. Krijimtaria ndihmon kulturën e një vendi, sepse përhapet për të rritur një kulturë, i bën njerëzit e tjerë të shohin dhe të kuptojnë kulturat e tjera dhe hapin ide të reja.

Pa krijimtari, jeta do të ishte ndryshe. Krijimi bëri që e gjithë bota të jetë në gjendje të zgjerohet në rajone të reja dhe përfundimisht të bashkohet me njëri-tjetrin. Gjërat shkojnë përtej realiteteve. Sot brezat janë në mendime duale, sikurse ka ndodhur viteve e kohërave. Të ndjeshmit e kohës më të ndjeshme, asaj që u iku pa e kuptuar, debatojnë faktin se të rinjtë u zhvendosën në territorin e krijimtarisë dhe morën përsipër gjithçka në udhë të tjera. Përfundimisht, ata kanë kohë që kanë vështirësi të mësohen me njëri-tjetrin. Kaloi kohë, por përfundimisht ata e morën atë që e deshën nga koha dhe e forcojnë atë që ua ka lënë hapësirë sërish koha. Kjo bëri që krijimtaria të jetë në gjendje të zgjerohet në rajone të reja të pashkelura nga shqiptarët, duke qenë në gjendje të shkojë së bashku dhe jo “ndjeshëm” ndonjëherë me njëri-tjetrin. Pa krijimtari dhe debat krijues bota krijuese shqiptare, do të ishte më pak e larmishme dhe jo në gjendje të bashkohej në një.

A ndodh që një aspekt krijimtarie të mund të shkundë e deformojë një kulturë? Edhe nëse ndodh me këtë term, natyrshëm e ndihmon atë shumë më tepër në një udhë më të mirë? Përhapja e ideve krijuese ndihmon vendet të jenë të larmishme në mënyra të reja. Pa to disa vende do të humbnin ose do të mbërtheheshin në një vend ku ata ishin të detyruar të mendonin një mënyrë të caktuar. Shumë vende kanë shumë argumente sepse nuk e kuptuan njëri-tjetrin si duhet. Pa e kuptuar dikë, do të ishte keq dhe do të përfundonte në një argument. 

Krijimtaria është një pjesë e madhe e kulturës së shqiptarëve, pa të bota do të ishte ndryshe për ne. Dhe ne ecim, kemi ecur, dhe synojmë të ecim… edhe në krijimtari. Atëherë a e kapim dot Botën me këtë ecjen tonë? Ndaj po organizojmë këtë bisedë me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë – Anton Nikë Berishën.

Fatmir Terziu: Anton Nikë Berisha shkon përtej një mendimi tipologjik në krijimtarinë e letrave shqipe dhe angazhimin ndaj tyre për më shumë se një gjysëmshekull. Heshtja dhe modestia e tij mbeten në një raport jo-proporcional me talentin dhe vlerën e tij letrare. Ku qëndron ajo që mbetet e pathënë?


Anton Nikë Berisha: Te një krijues mbetet pa thënë shumëçka, gjithë ajo që nuk e ka thënë e mund ta kishte thënë. Jo vetëm ta kishte thënë, po ta kishte thënë bukur, në mënyrë të mëvtësishme. Në artin e fjalës gjërat nuk maten me shumësi, po me cilësi. Cilësia nuk mjafton asnjëherë, gjithmonë ka mundësi të pasurohet, të lartësohet; është e paskaj. Në letërsi vetëm veprat cilësore u përballojnë kohëve. Të tjerat harrohen.

Janë shumë çështje që shkrimtarit i sillën nëpër krye, që e “ngacmojnë”, e “nxitin” ose e “gërryejnë” mendjen e tij, po shumëçka mbetet për “më vonë”, për “një herë tjetër”.

Përveç kësaj, janë dhe dukuritë që shkrimtari i ka vështruar, që është marrë me to, po ndien nevojë t’u kthehet, t’i vështrojë ndryshe, më thellë, në nëmyrë më të veçantë.

Shkrimtarit i mbetet pa thënë shmëçka për arsye se arti i fjalës (si dhe artet e tjera) është nga fshehtësitë më të mëdha e më të pakufishme dhe si i tillë jep mundësi të pafundme të thënit bukur, të gërmimit në fshetësitë e gjuhës e të shprehurit, të shqiptimit të mendimeve shumësore, përftimin e të bukurës, të madhërishmes. Këto bëjnë qenësinë, bëjnë, thënë me gjuhë figurative, mbretërinë e artit të fjalës, letërsisë. Në këtë rrafsh secilit shkrimtar i mbetet shumëçka pa thënë, përkundër gjakimit – synimit të tij të vijueshëm.


Fatmir Terziu: Ku qëndron ajo që themi të gjithë rrugëtim i këputur në mes në hapësirën krijuese letrare, nëse e mbajmë atë si hallkë jo vetëm të ndryshkur nga shiriti i kuq në të gjitha anët ku ai ndikoi me mënyrat e tij?


Anton Nikë Berisha: Një letërsi kombëtare, që shkruhet në gjuhën përkatëse, përligjet para së gjithash nga cilësia e veprave që e bëjnë atë, po dhe nga vijimësia e krijimit të veprave cilësore. Me një fjalë, vijimësia e hartimit dhe e botimit të veprave letrare dhe e ndikimit të tyre në lexuesin – e bën traditën letrare të një kombi. Për një traditë letrare sa kanë rëndësi veprat e krijuara, aq ka rëndësi vijimësia dhe pasurimi i asaj tradite, një vazhdimësi e natyrshme.

Letërsia jonë e shkruar, në rrjedhën e zhvillimit të saj rreth 500 vjeçare (nga vepra e Gjon Bdek Buzukut “Meshari” e botuar më 1555, ku janë botuar katër psalme të hartuara nga Buzuku dhe tekste të tjera, bashkë me një poemë prej 128 vargjesh që u kushtohet shtatë mëkateve, ka pasur ndërprerje të ndryshme, shpërpjestime në vijimësinë e zhvillimit e të përligjes së vlerave të saj.

Kjo gjë u shpreh sidomos gjatë kohës së sundimit të Perandorisë Otomane, ku u errësua shumëçka në fushën e artit të fjalës, të letërsië, brenda kësaj dhe të letërsisë gojore, e cila ishte shumë e pasur tek arbërorët – shqiptarët, një traditë shekullore që dëshmohet me krijime të rrafshit të lartë poetik, si, fjala vjen, këngët kreshnike, rapsoditë arbëreshe, përrallat etj.

Sundimi i gjatë otoman jo vetëm e tundi dhe e rrënoi në shumë përbërës krijimtarinë letrare gojore (shumë të lashtë), po i zuri frymën krijimit të veprave letrare të shkruara në trojet etnike arbërore – shqiptare. Së këndejmi, letërsia jonë nuk pati atë vazhdimësi që e patën letërsitë e tjera, letërsia gojore dhe letërsia e shkruar bashkjetuan me shekuj.

Veprat e para të shkruara shqip u botuan në vende të tjera: në Itali, në Rumuni, në Turqi etj.

Në disa përiudha letërsia jonë u zhvillua në qarqe letrare (dukuri që e vërejti i pari M. Lambertzit, e rimori më vonë E. Çabej) dhe, për shkak të rrethanave, nuk pati një komunikim të mirëfilltë mes tyre.

Një thyerje ose një shpërfillje e madhe e vijimësisë së traditës letrare në botën tonë, ndodhi gjatë kohës së komunizmit, ku ideologjia sunduese e shndërroi letërsinë në një mjet politik. Në veprat letrare u zbatua parimi i shprehurit të dukurive bardh e zi (pati ndonjë përjashtim siç ishin romanet “Qyteti i fundit” i Petro Markos dhe “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës) dhe në qenësi e shkëputi nga tradita letrare, e cila dallohej me shqiptimin e lirë, pa jashtë modeleve të ngushta dhe ideologjikisht të përcaktuara.

Pastaj kemi përsëri shkëputjen e madhe të domosdoshme të letërsisë që u krijua pas vitit 1992 (me rënien e komunizmit në Shqipëri) me letërsinë që u krijua pas kësaj date, ku shpërfillen modelet dhe stilet; liria e shprehurit dhe e tematikës bëhen të pakufijshme.


Fatmir Terziu: Nëse shkojmë në bashkëbisedim me krijuesin, a ka ndonjë këndvështrim që do ta sugjeroni për të gjithë, krijues e lexues?


Anton Nikë Berisha: Kush e kupton në qenësi artin e fjalës, letërsinë, nuk e ka vështirë të thotë se nuk ekziston një mënyrë, një motodë, një model ose një qasje e njëjtësishme (unike) që do të ishte e vetme në fushën e studimit të artit të fjalës. Kjo ndodh për arsye se letërsia e mirëfilltë, përkatësisht vepra letrare, krijohet me anën e gjuhës poetike, krijohet nga teksti nga i cili dalin kumtime të shumta, herë – herë të pakufishme, që nuk mund të përcaktohen me saktësi. Pra, vetë natyra e tekstit poetik kushtëzon qasje dhe interpretime të ndryshme jo vetëm nga ana e studiuesve të ndryshëm, por dhe nga i njëjti studiues. Megjithatë, një gjë është e përbashkët për të gjithë studiuesit e njëmendët: kërkimi i vlerave poetike të një teksti, mënyra e shtjellimit dhe format e mundësisë së ndikimit estetik të tij në marrësin; si shqiptohet një dukuri ose një mendim ose marrëdhënia e shumësisë së mendimeve të shprehura përmes strukturës së tekstit; zbulimin e të bukurës dhe e madhërishmes së tekstit. Për këtë arsye them se krijuesi letrar që shpreh rrafshin më të lartë të gjuhës poetike, shpreh rrafshin më të lartë të vetëdijes artistike kombëtare.

Këtu qëndron vlera e secilës vepër letrare si strukturë gjuhësore shprehëse e jo dukuritë ose tematika që bëhen objekt vështrimi.

Gjuha jonë shqipe i ka të gjitha ata përbërës që mundëson krijimin e veprave të mëdha artistike, siç e pati thënë bukur Ernest Koliqi: “Shqipja âsht gjuhë e pasun edhe sqimatare. Ka në vetvete gjallní kromatike e hire muzikore ende të pazbulueme të cilat, kur të dalin në shesh nepër lavrim të palodhun të shkrimtarve qi ushtrojnë me vetedije të ndritun zêjen e tyne, do të jenë kënaqja e krenija e breznive të përtardhuna [...] idét e thella dhe ngjyrimet e tyne të holla kërkojnë nji përdorim të gjânë të mjeteve gjuhsore për t’u shprehun në mënyrë të dêjë”.


Fatmir Terziu:Përse ndodh sot të shkruhet shumë dhe të lexohet pak?


Anton Nikë Berisha: Të dy dukuritë janë të ndërlidhura me kohën në të cilën jetojmë, me rrethanat në të cilat krijohen dhe komunikojnë veprat letrare poetike. Shkruhet shumë për arsye se autorët nuk përqendrohen dhe nuk këmbngulin që cilësia e asaj që krijojnë të jetë sa më e madhe, po synojnë sasinë. Sot kryesisht çmohet numri i veprave, jo cilësia e tyre.

Një numër i madh shkrimtarësh (sidomos në botën tonë) s’kanë kohë të merrren gjatë me veprën që e krijojnë. Kënaqen me variantin e parë që e shkruajnë (e radhitin në kompjuter). Këtë gjë e vëren nga gjuha (qenësisht retorike), nga fjalia e tyre, nga mendimet që dalin nga teksti, që shpesh as vetë autorët nuk i kuptojnë.

Pikërisht veprat e këtilla, të shkruar në “vrap” në qenësi e kanë larguar lexuesin. Veprat e tilla nuk i zgjojnë atij as kërshëri e as interes. Kjo është një nga dukuritë që bën të lexohet pak.

Shkrimtarët e mirëfilltë kanë punuar e punojnë me shumë përkshtim dhe me vite në veprat letrare që i krijojnë (Oscar Wildethoshte: “Gjithë mëngjesin jam përpjekur ta shtoj një presje, mbas dite e kam hequr”.). Në këtë rrjedhë po përmend vetëm dy shembuj (për të mos u zgjatur): Goethe nisi ta shkuante “Faustin” e tij kur ishte 18 vjeç dhe nuk e mbaroi kur i kishte 84 vjeç. Jeronim De Rada ynë e nisi ta shkruante veprën “Skanderbeku i pafán” (në pesë libra) në vitin 1847 dhe e mbaroi më 1883.

Veprat e hartuara me përkushtim të jashtëzakonshëm i kanë pasur, i kanë dhe do t’i kenë lexuesit e vet, edhe pse ndoshta në numër më të vogël.

Duhet thënë se janë dhe faktorë të tjerë që në kohën tonë e kushtëzojnë leximin e pakët të librave letrarë, fjala vjen, mundësitë e tjera të njohes e të komunikimit që ka sjellë zhvillimi teknologjik, sidomos interneti.


Fatmir Terziu: Ku është dallimi letërsi shqipe në truallin e saj dhe në atë që quhet e tillë, por që vjen nga trualli tjetër, emigracioni?


Anton Nikë Berisha: Letërsinë shqipe e bëjnë të gjitha ato vepra që janë shkruar në gjuhën shqipe, pa marrë parasysh vendin dhe kohën kur u hartuan ose prejardhjen e autorit.

Në kohën e sistemit komunist u krijua ndarja: letërsia në Shqipëri dhe letërsia jashtë Shqipërisë.

E para, e ideologjizuar dhe shndërruar në vegël të sistemit (ideologjisë), dhe e dyta që duhet zgjedhur (seleksionuar) ose përjashtuar si e dëmshme (dekadente) dhe revizioniste (siç i quanin).

Fishta, fjala vjen, u ndalua sepse qe shpallur nga komunistët shqiptarë fashist për arsye se u zgjodh (po nuk u vetëzgjodh) anëtar i Akademisë italiane të shkencave. Kështu ndodhi me Koliqin, me Konicën, me Camajn, me Pipën e të tjerë. Pra, një e keqe që e polli komunizmi shqiptar vazhdon mjerisht të mbretërojë edhe sot e kësaj dite. Thuhet letërsia shqiptare dhe letërsia shqipe e Kosovës (shpesh edhe me përbuzje). Këta njerëz (profesorë universitarë dhe studiues të shquar!) që flasin në këtë mënyrë harrojnë se duke e mohuar një pjesë të letërsisë që krijohet në Kosovë ose në vende të tjera të botës, e mohojnë letërsinë shqipe, e jo ndonjë letërsi tjetër.

Fatmir TerziuJu si një profesor në një nga pikat më të duhura historike dhe shqip-traditë-mbrojtëse, keni shkruar dhe dhënë mendime të shumta në lidhje me rrugën krijuese, a duhet tashmë të themi se shkolla e vetme për krijuesit e rinj është vetëm ajo që ka mbetur e tillë, si rrugë e mbetur, jashtë normës së sotme të lirisë krijuese? 

Jo vetëm në mjedisin arbëresh, por dhe më gjerë mes krijuesve shqiptarë. Pra, a duhet më shumë vëmendje?


Anton Nikë Berisha: Janë disa çështje që dalin nga pyetja juaj, po përpiqem të përgjigjem në mënyrë sa më të përmbledhur, nëse e kam kuptuar atë si duhet.

Së pari si profesor që e kam ligjëruar letërsinë në Universitetin e Kalabrisë për shumë vite, ose jam marrë me studimin e letërsisë në Institutin albanologjik të Prishtinës ose gjatë tri qëndrimeve studimore në Gjermani si bursist i DAD-it dhe Alexander Von Humboldt Stiftung (dy herë), kam synuar dy gjëra (pos të tjerave): ta bëj të njohur qenësinë dhe rëndësinë e artit të fjalës për njeriun (dhe rrjedhimisht me këtë për shoqërinë njerëzore), të cilin ai (njeriu) e krijoi (artin e fjalës), bashkëjetoi dhe u ndikua artsitikisht prej tij që nga fillesat e ekzistimit. Këtë e dëshmoi përmes këngës dhe rrëfimit. Këto forma pastaj i zgjeroi dhe i pasuroi (në letërsinë gojore dhe në letërsinë e shkruar) sipas nevojës shpirtërore dhe rrethanave në të cilat gjalloi dhe krijoi.

Së dyti: Ta duan artin e fjalës dhe të krijojnë vepra me vlera që do t’i bëjnë ata dhe letërsitë që u përkasin të pasura e të rëndësishme, pikërisht ashtu siç thoshte Anaïs Nin: “Nëse nuk frymon përmes shkrimit, nëse nuk qan kur shkruan, ose nuk këndon duke shkruar, atëherë mos shkruaj, për arsye se kulturës sonë nuk i shërben”.

Jam marrë me studimin e letërsisë së arbëreshëve të Italisë për të përligjur se ajo është letërsi shqipe si dhe për të konkretizuar artin e saj të madh, pastaj lirinë e të shprehurit poetik, për të cilën bëhen fjalë në pyetjen tuaj. Përmes studimit – interpretimit të veprave e të dukurive të letërsisë së arbëreshëve të Italisë kam synuar të jap modelin se si mund të krijohen vepra të vlerave të mëdha poetike larg ideologjive dhe izmave të ndryshëm.

Letërsia e arbëreshëve të Italisë shërben edhe për të vërejtur shmangiet që u bën pastaj gjatë Rilindjes kombëtare, po dhe më vonë. Këtu nuk dua t’i vështroj shkaqet që shkaktuan këto ndryshime, po mund t’u shërbejnë në punën krijuese: për të qenë shkrimtar i mirë është e domosdoshme ta njohësh letërsinë që është krijuar para teje; t’i njohësh mënyrat e krijimit, të komunikimit e të ndikimit që janë shfaqur ose zbatuar në rrjedhën e zhvillimit të letërsisë, qoftë në rrafshin kombëtar, qoftë në atë ndërkombëtar.

T’i njohësh veprat që janë krijuar më parë ose ato të kohës sate, domethënë të mësosh prej tyre e jo t’i imitosh ose t’i kopjosh ato. Në artin e fjalës, siç thashë edhe më parë, mënyrat dhe modelet e përcaktuara (që mbahen të pandryshuara) e zhvlerësojnë letërsinë dhe në qenësi e zhbëjnë atë. Një vepër letrare nuk mund të shkruhet dosido dhe pa menduar. Është e kundërta: duhet të mendohet çdo gjë dhe ato të thuhen në mënyrë poetike e të mëvetësishme, të thuhen ndryshe nga ç’janë thënë nga dikush tjetër. Me një fjalë, të futet frymësia e vetë shkrimtarit, veçantia shpirtërore e tij.

Këtë dukuri e përligj, fjala vjen, zhvillimi i romanit si lloj letrar: ai është lartësuar dhe është pasuruar pikërisht duke e rrënuar vetveten, përkatësisht duke i rrënuar modelet që herë – herë janë shfaqur dhe përfillur, po s’kanë pasur jetë të gjatë.

Këto dukuri duhet t’i dijë e t’i ketë parasysh çdo shkrimtar.


Fatmir Terziu:“Nëna Tereze në shtatë shpalime” na shpie jo thjesht si lexues, jo thjesht si hulumtues, por dhe si një pjesë e tërësisë Globale, ku letrat pikëtakojnë mendimet, të duhurën dhe perspektivën në udhën e jetës. A mendoni se është një nga ndalesat e juaja më të përzemërta?


Anton Nikë Berisha: Me veprimtarinë e Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, tashmë e shpallur e shenjtë nga Vatikani: Shën Tereze e Kalkutës, me tekstet e saj të lutjeve, të letrave, të Testametit shpirtëror etj., jam marrë vijimisht nga viti 2004, kur botova romanin “Nëna e dritës”. Më vonë botova dhe një varg veprash të tjera që ndriçojnë qenësinë e veprimit dhe të filijimit të saj.

Në dy studimet monografike “Shën Pali dhe Nëna Tereze dhe “Shën Maria dhe Nëna Terze” mendimet – tekstet e Nënës Tereze i kam krahasuar me tekstet e letrave të Shën Palit dhe me figurën e Shën Marisë.

Gjatë këtij viti (2019) botova kompletin prej shtatë vëllimesh “Nëna Tereze në shtatë shpalime” ku ndriçoj nga rrafshe të ndryshme përshpitshmërinë dhe flijimin e saj për më të varfrit e të varfërve në Indi dhe në vise të tjera të botës.

Qëllimi i këtyre veprave ka qenë dhe mbetet që Nëna Tereze të njihet në dritën e vërtetë, puna e saj me njerëzit e varfër e të mjerë, të harruar nga shoqëria, flijimin e saj për të, pa marrë parasyh besimin, racën dhe vendin e lindjes.

Njerëzit tanë, mjerisht, në qenësi, e njohin pak punën e Nënës Tereze; atë e përcaktojnë kryesisht si bamirëse ose humanitare që u ka ndihmuar njerëzve!

Me një përcaktim të këtillë jo vetëm nuk thuhet qenësia e punës të saj, po përbuzët ajo. Nëna Tereze është flijuar për tjetrin e nuk i ka dhënë ndihmë sociale. Ajo u është afruar njerëzve me dashurinë e Hyjit dhe ka synuar që ata t’i afrojë tek dashuria e Tij. Ajo i ka dashur njerëzit me të meta fizike e mentale (thënë ndryshe copa njerëzish) sikur e ka dashur Zotin, Krishtin. I ka dashur dhe është flijuar për ta si të kishin qenë të barkut të saj. Kur është marrë me njërin prej tyre, siç ka thënë vetë, s’ka ekzistuar asnjë njeri tjetër në botë. Me këtë përkushtim është marrë me të.

Pa e zgjatur: po përmend vetëm vëllimin e katërt të kompletit “Nëna Tereze në shtatë shpalime”, që mban titullin: “I desha njerëzit me dashurinë e Hyjit”, ku dëshmohet qenësia e veprimit dhe e flijimit të saj (Nëna Tereze edhe kur u qe drejtuar me një letër kryetarëve, Gjorgj Bushit dhe Sadam Hyseinit që të bënin gjithçka të mos fillonte lufta, u shkruante: “[...] me lot në sy e me dashuri të Zotit në zemër”.).


Fatmir Terziu: Si do të këshillonit stimuluesin e krijuesit në lidhjen Shtet-Krijues?


Anton Nikë Berisha: Janë disa forma që shtetet shqiptare (Shqipëria e Kosova) e ndihmojnë krijimtarinë letrare (sidomos Ministria e kulturës dhe sporteve të Kosovës, komuna e Prishtinës etj.) po shtetet tona nuk lodhen shumë, as për kulturën e as për letërsinë. Bile ndonjëherë, për të mos thënë shpesh, letërsia për ta është më shumë pengesë; shkrimtarët janë ferrë në sy; ata i kuptojnë dredhitë dhe shtirjet e politikanëve; u zbulojnë mangësitë dhe ligësitë dhe nuk i kursejnë: ua thonë në sy e publikisht. Politikanët nuk e dinë, mjerisht, se nuk mund të bëjnë politikë të mirëfilltë pa njerëzit e penës, pa intelektualë. Po ta dinin në qenësi punën e shkrimtarëve e të librave të tyre, do ta ndërronin qëndrimin ndaj tyre dhe do të bënin më shumë për krijimin e kushteve të krijuesve dhe për botimin e veprave që heqin peshë. Xhani Rodari (Gianni) e shprehte kështu qenësinë e librit e të fjalës poetike: “[...] një fjalë, e hedhur në mendje rastësisht, prodhon valë të sipërfaqshme e të thella, duke shkaktuar një varg të pafund reagimesh e përfytyrimesh, analogji e kujtime, kuptimësi e ëndrra, në një lëvizje që i intereson përvojës dhe kujtesës, fantazisë dhe ndërdijes e që është e ndërlikuar nga fakti se e njëjta mendje nuk rri pasive në paraqitje (shfaqje), por ndërhyn vijimisht, për ta pranuar ose për ta prapësuar, për ta bashkuar ose për ta censuruar, për ta ndërtuar ose për ta shkatërruar”.

Institucionet tona nuk çajnë kryet, fjala vjen, të bëjnë një sistem se çka duhet përkthyer dhe me cilat vepra (ato më cilësore e sipas miqve dhe të “njohurve”) të paraqitet (prezentohet) letërsia jonë në kulturat e tjera të mëdha. Gjithçka i lihet rastit dhe individëve. Kjo është vetërrënuese, jo vetëm për letërsinë, po dhe për politikën, për botën tonë në përgjithësi. Po e kujtoj këtu një mendim të Fishtës i cili thoshte se shkrimtarët (brenda tyre dhe poetët) nderohen e çmohen ndër popuj të tjerë për arsye se ata dëshmojnë rrafshin e përparimit, rrjedhën dhe frymëmarrjen artistike dhe shpirtërore të një shoqërie: “Ideja e naltueshme, e veshne me fjalë të bukura e të pershtatshme, nuk merr mort. Prandej nder popuj të gjytetnuem poetve të vertetë, letrarve të njimendtë u ngrifen pomendore të madhnueshme, e i lavdojn e i nderojn si t’ishin do hyjní, të thuesh; edhè brezníve të reja u a paraqesin si trashigimin mâ të çmueshmin, per t’a ruejtë të pacenuem gjatë gjithë verigës së pakputne të shekujvet”.


Fatmir Terziu: A mund të ndaleni në një mesazh për “Fjala e Lirë” (www.fjalaelire.com) në Mbretëri të Bashkuar? Cili është mesazhi i kalibrit Anton Nikë Berisha, për udhën tonë letrare, pikat ku kemi ecur dhe ku kemi ngecur, natyrisht dhe më tej, sidomos për të rinjtë e krijimtarisë?


Anton Nikë Berisha: Derisa nuk do ta ndryshojmë qëndrimin ndaj kulturës dhe letërsisë, ndaj librit cilësor dhe rëndësisë që ai ka për njeriun tonë, ne do të sillemi në një rreth të pa qartë dhe të parrugëdalje.

Në veprën “Fëmija dhe libri” Nichola Turker-i shkruan: “Sidoqoftë, zgjerimi i mundshëm i vetvetes mbetet edhe më tej një nga të mirat e mundshme më të çmueshme që mund të japin librat. Përsëri me fjalët e C. S. Lewis: ‘Në leximin e letërsisë së madhe unë shndërrohem në mijëra njerëz, megjithëse duke mbetur po ai. Unë shoh me një shumësi sysh, por jam gjithmonë unë që shoh… Unë e ndërroj vetveten dhe asnjëherë nuk jam i njëjti si në çastin paraprak’”.

Letërsia është art i fjalës dhe e bukura që përligjet në të dhe ndikimin estetik që ajo bën, nuk mund të zëvendësohet me asgjë: Këtë dëshmohet nga ky mendim i shkrimtarit të madh rus, Pushkinit: “Synimi drejt së bukurës është fort i natyrshëm për shpirtin njerëzor dhe këtë nuk mund ta zëvendësojë asgjë”.

Kush prej njerëzve tanë nuk e përfill ose e shmang këtë gjë në veprimin e vet, qoftë politikan, qoftë qytetar i zakonshëm, bëhet vetvetiu rrënues i botës sonë.

Bisedën e bëri

107 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page