Kreativiteti sublim, adhurim dhe xhelozi


Minella Aleksi

Themi që filan shkrimtar të mbërthen menjëherë si me magji që në faqet e para të librit. Po çfarë është ky “mbërthim”, çfarë është kjo forcë “magjepsëse”, ç’kuptim ka kjo marrdhënie? Çfarë do të thotë që një pasazh sublim mund të dëgjohet, të shikohet, të lexohet përsëri dhe përsëri me të njëjtën kënaqësi. A egziston lidhja midis artistit gjeni dhe turbullimeve të rënda mendore?. Në jetën e shoqërisë çfarë përfaqësojnë individualitetet e spikatura, këta “magjistarë” me kreativitet gjenial?.

Përse forca krijuese është shumë më e fuqishme sesa frikërat e përditëshme?. Këto e të tjera pyetje do përpiqem të shpjegoj më poshtë. Mbi të gjitha si në çdo mardhënie njerëzore është autori së pari ai që e kërkon dhe e fillon një mardhënie me audiencën.“Mbërthimi si me  “magji” i detyrohet atmosferës që frymëzimi artistik i shkrimtarit krijon në imagjinatën e lexuesit. Me fuqinë goditëse të fjalës shkrimtari i “injekton” lexuesit një ndjesi emocionale që ai vet e ka përjetuar në imagjinatën e vet dhe, në këtë mënyrë e “shkund” nga përgjumja, i stmulon dhe eksiton fuqishëm ndjenjat e lexuesit duke e çvendosur atë emocionalisht në situate ankthi, tmerri ose ngazëllimi ekstazik. Atmosfera të cilën autori e projekton si imazh është motori që ose na lëviz nëpër faqet e librit ose na bën që të ndalojmë leximin. Ose na përfshin ndjesia e fuqishme e pëlqimit të fjalëve ose jo.

N.q.se atmosfera nuk korespondon me pritshmëritë e lexuesit ky e humbet interesin. Atëhere autorit, mardhënia e kërkuar i refuzohet prej lexuesit. Shkrimtarët më të mirë janë të aftë që të tregojnë një histori e cila simulon në fantazinë e lexuesit një imazh real të shprehur qartë. Ky simulim imazhi lehtësisht i kuptueshëm ka koherencë logjike të shkëlqyer nga përdorimi i fjalëve që janë të lidhura thellë me shqisat njerëzore, fjalë që, fjalë për fjalë “vijnë në jetë” në mendjen e lexuesit.Shkruar ndoshta në shekullin e parë pas Krishtit, traktati “Sublimja” (traktat i estetikës dhe kritikës letrare) botuar më 1554 si përkthim i bazuar në origjinalin e shek.10të, në vlerësimin e shumë kritikëve letrarë dhe historianëve për nga rëndësia renditet i dyti pas “Poetika” e Aristotelit (rreth 335 para Krishtit ). Ka një autor të supozuar të “Sublimja”, i ashtuquajturi Dionysius Longinus. Longinus e përkufizon sublimitetin (hypsos grek) në letërsi si "jehona e madhështisë së shpirtit", domethënë fuqia morale dhe imagjinare e shkrimtarit që përshkon një vepër. Kështu, për herë të parë madhështia në letërsi i atribuohet cilësive të lindura te shkrimtari. Qëllimi i tij ishte të trajtonte në mënyrë të qartë, logjike, bindëse  dhe të pakundërshtueshme rëndësinë e mendimeve dhe të ndjenjave madhështore, të gjuhës dhe të strukturës në poezi.Në teorinë estetike dhe letrare sublimja si  nocion është një madhështi goditëse e mendimit dhe e emocionit, përsosmëri në gjuhë", "shprehje e një shpirti të madh" dhe fuqi kreative për të provokuar "ekstazë". “Sublimimi” thotë Longinus, i krijuar në momentin e duhur shkakton një tronditje emocionale ekstreme e krahasueshme me ciklonin tropikal apo vetëtimat qiellçarëse përpara stuhisë. Kjo ndoshta është ajo që disa shkrimtarë e quajnë “shkëlqim, rrezatim ekstazik mrekullor” e që disa të tjerë preferojnë emërtimin e dijetarit grek “sublimim”.  Longinus i drejtohet lexuesit: "A e shihni, miqtë e mi, sesi Herodoti gjen si suport mental një moment angshtie në mendjen tuaj dhe e drejton atë nëpër vende interesante dhe bën që ju të shihni vetëm atë që dëgjoni. Longinus besonte se “Shkrimi i shkëlqyeshëm nuk ka qëllim që ta influencojë lexuesin për të ndjekur një bindje. Përkundrazi e largon lexuesin nga vetvetja, nga bota e anktheve dhe shqetësimeve të brendëshme dhe me atmosferën goditëse të përshkrimeve e të ideve e komandon vëmendjen e lexuesit, i zbulon atij papritmas një shteg që e nxjerr nga burgu i vetvetes”.

Në veprën e tij “ Sublimja” Longinus e kupton “Madhështinë artistike” si një kreativitet estetik racional i bazuar në pesë burime: 1.Fuqia imagjinative e jashtëzakonshme,, 2. mendimi instiktiv me fuqi të madhe inspiruese, 3. mendime dhe shprehje të figurshme të nivelit të lartë, 4. elokuence aristokratike dhe 5. virtuozitet për të krijuar një frazë të një ekuilibri sintaksor të shkëlqyer. Dy të parat i konsideronte kapacitet natyral biologjik, talent i lindur ndërsa tre të tjerat kapacitet artistik, përkatësi e zejtarisë së krijuesit. Në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë estetët e përkufizuan artin sublim si, më të fortën ndjesi emocionale nga nxitja e një efekti artistik që i referohet një madhështie estetike përtej të gjitha mundësive të llogaritjes, të matjes ose të imitimit.Të tjerë e konsideronin sublimimin si një emocion absolutisht të shkëlqyer, në kuptimin matematikor përtej çdo krahasimi të një madhësie të pafund dhe në kuptimin dinamik të një fuqie të pakufishme.Sipas Frojdit proçesi kreativ që njeriu e ka dhuratë nga natyra është një alternativë, një mundësi zgjedhjeje përkundër neurozës, dhe që për artistin vepron si një mekanizëm mbrojtës nga neurozat, duke çuar kështu në krjimin e vlerave artistike për publikun. Kreativiteti ka aftësinë t’i shndërrojë fantazitë e artistit në krijime artistike, në vend që ti paraqesë ato si simptoma neurotike.  Në ndryshim nga Frojdi, i cili mendonte se gjithçka kishte të bënte me libidon seksuale, Jung mendote se ishte më shumë diçka mistike. Jung nuk e konsideronte sublimimin një kanalizim vullnetar dhe të detyrueshëm të instikteve në një fushë false aplikimi.

Ai e përcaktoi sublimimin si një produkt artistik të emocionit më të fortë që mendja është e aftë të ndiejë. Qoftë ky një emocion tmerri ekstremisht i dhëmbshëm, qoftë emocion ekstremisht ngazëllyes. Jung njohu dhe vlerësoi potencialin transhendental të psiqikës si diçka misterize.Ka pasur edhe një arsyetim më specifik i cili i përmbahej idesë se vetëm krijimtaria në artet e bukura, në letërsi, në pikturë dhe në muzikë përbën kreativitet sublim, madhërisht hyjnor. Sipas këtij opinioni shkencëtarët e mëdhenj nuk janë në nivelin e gjeniut të arteve të bukura, sepse ata ndjekin proçedurat e përcaktuara të metodës shkencore të paraardhësve në vend që të rikthehen në imagjinatat e tyre. Mendoj se ky diferencim është mjaft intrigues dhe mjaft mirë arsyetuar ngaqë një formulë apo një shpikje fizikë apo në matematikë vërtet është produkt i një mendje brillante por kuptimi i qartë dhe emocionet e saj mbeten aftësi e vetëm pak personave edhe pse dobia për shoqërinë është shumë e madhe. Shpikja në shkencë është kreativitet gjenial që nuk përmban transhendencën, lartësimin hyjnor, nuk e “ngjall të vdekurin” sikurse muzika, nuk e përmban fuqinë e “fjalëve që e lartësojnë mendjen dhe e nxjerrin njeriun jashtë vetes". Formula e relativitetit është emocionalisht “e ftohët në madhështinë e vet universale”, Vet Ajnshtajni e përshkruan relativitetin si "mendimin e tij më të lumtur", por që sigurisht mbetet si i tillë për shumë pak njerëz të shkencës, Artet kanë vendin e 'mbretëreshës” edhe në radhën e publikimit të çmimit “Nobel”. Mbas mjeksisë dhe shkencave ekzakte ankthi më i madh kulmon me çmimin e letërsisë e më pak me atë të paqes. Edhe Isaac Nevvton, të cilin Kanti e quante "njeri i madh i shkencës", prej atij vet nuk konsiderohej se ishte një gjeni i kreativitetit hyjnor.. Pikërisht për këtë arsye, nuk ishte as vetë Kant!.Madhështia e artit nuk është të gjej dhe të përshkruaj atë që është e zakonshme, kërkon dhe përshkruan atë që është unike.Kreativiteti i madhërishëm nuk është sinonimi i origjinalitetit, i produktivitetit, i spontanitetit, i një njeriu që jep një zgjidhje logjike të problemit, apo i një artizani produktiv në seri, edhe pse shpesh termi kreativitet përdoret reciprokisht duke mos qënë i barazvlefshëm.. Një piktor mund të jetë origjinal por jo kreativ, një i arsimuar në letërsi mund të jetë produktiv por qartësisht jokreativ, etj., etj..Psikiatri i shkollës mjekësore të Harvardit Albert Rothenberg i cili u dallua në gjithë jetën e tij profesionale për studim të thelluar të proçesit kreativ ka meritën e shpjegimit të një proçesi veprues përgjatë akteve të krijimeve sublime, krijime që për kohën kur ndodhin përbëjnë një ide, një formë dhe një përmbajtje të re dhe së dyti me konsensus konsiderohen si vlera që shtrihen për një periudhë kohe pa limit. Bëhet fjalë për proçes krijues mendimi që bazohet në nocionin e kundërshtive strukturore dhe që përfshin në vetvete zhvillimin e njëkohshëm të të kundërtave përgjatë kreativitetit sublimues. Fillimisht e quajti “të menduarit kundërshtues”, aftësi për të konceptuar dhe përdorur në mënyrë të njëkohëshme dy apo më shumë ide, koncepte apo imazhe kontradiktore. Rothenberg e zëvendësoi fjalën “kundërshti” me fjalën “Janusian” sepse më saktësisht kjo e dyta përputhet me simultanitetin, njëkohësinë e “kundërshtive” por edhe sepse si metafor mishëron simbolet që tregohen në imazh. “Janusi” ishte Hyji romak me dy fytyra që shikojnë njëkohësisht në dy drejtime të kundërta. Më së shpeshti operativ në fazën e hershme ose të frymëzimit të produktit krijues. Proçesi “Janusian” është tipar dallues i mendjeve me kreativitet artistik brillant ngaqë kanë aftësinë e jashtëzakonshme që arrijnë të shohin lidhje të pazakonta në situata të zgjidhjes së problemeve, gjë që u mungon njerëzve të tjerë.

Në librin “Kohë e Pamjaftueshme” Helena Kadare zbulohet si një vëzhguese shumë e hollë kur sjell një konstatim shumë interesant që lidhet me proçesin Janusian. Ja sesi e shpejegon bashkëshortja e shkrimtarit në libër: “Is. të cilit i qëllonte që në çaste zemërimi të kapte në mënyrë të rrufeshme gjëra që do t’i duhej ndoshta shumë kohë për t’i kuptuar më tha se, në atë përgjigje cinike (të Javer Malo) atij iu zbulua lakuriq gjithë hipokrizia dhe qëndrimi me dy faqe i zyrtarëve shqiptarë ndaj këtij libri....”.  Ilustrimi shumë i qartë i simultanitetit të të kundërtave, si të shikosh në copat e një pasqyre të thyer.Rothenberg na bën me dije se të gjitha llojet e të menduarit kreativ sipëror zakonisht ndodhin brenda një kornize racionale të vetëdijshme të menduari dhe jo në një gjendje të ndryshuar ose të transformuar në mënyrë mistike.Psikiatri Rothenberg konstaton se larg të qenurit burim ose kosto e kreativitetit, psikozat dhe format e tjera të sëmundjes mendore janë në të vërtetë pengesa për punën krijuese. Krijuesit poet që ndërkohë mbartin dhe manifestojnë turbullime mendore dallohen për egot e tyre marramendëse, të cilat i shtyjnë ata që të mendojnë se poezitë e tyre janë aq personalisht vetë-shprehëse sa sipas atyre në poezinë e vet nuk mund të cungojnë asnjë fjalë të vetme pa rrezikuar të shpërbëhen. Ata duket se thonë: “merre ose lëre, kjo poezi është unë. Në asnjë mënyrë nuk do ta ndryshojë”. Që psikozat influencojnë në krijimtari në mënyrë penguese ilustrohet qartësisht edhe nga rasti i ndikimit insistues të Ezra Pound mbi Thomas Eliot për gjëndjen e dobët të draftit të parë të poemës “Territori i mbeturinave”. Thomas Eliot nuk dallohej për “ego marramendëse psikotike”. Kjo bëri që të ishte i hapur, i gatshëm për ta rishikuar poemën sipas këshillave të mikut të tij Ezra Pound. Pasi e ripunoi poema me rreth 800 rrjeshta u njoh dhe u vlerësua si një nga më të rëndësishmet e shek. të 20të. Gjeniu dhe krijimtaria artistike e shkencore jo vetëm në mendësinë popullore por edhe në mes të njerëzve të fushave të ndryshme profesionale konsiderohen prej kohësh të lidhura shumë me çrregullimet apo deviacionet psikopatologjike. Një numër i madh i sjelljeve jo të zakonta-devijante, duke filluar nga ekscentrizmi i butë e deri tek psikozat e manifestuara, jo vetëm që pranohen si diçka e natyrshme te ata me kreativitet te lartë, gjë që nuk habit, por shpesh janë aq të pritëshme sa mos çfaqja te këta persona përbën habi. Të shumta janë anekdotat për veprimet e çuditshme të njerëzve të mëdhenj, mbushur me imazhe të shkencëtarëve, artistëve dhe poetëve të “lajthitur”, “të fandaksur”. Mendimtarët e Greqisë së lashtë e mendonin frymëzimin poetik si një formë të çmendurisë hyjnore ndërsa Aristotelit i dedikohet thënia se "asnjë gjeni nuk ishte pa një përzierje të marrëzisë hyjnore". Kriminologu Cesare Lombroso, shkroi traktate të gjera që lidhin gjeniun dhe krijimtarinë me marrëzinë. Por a ka prova bindëse apo studime mbështetëse mbi këtë tezë? Dokumentacioni i kujdesshëm historik dhe epidemiologjik i incidencës së turbullimeve mendore te njerëzit që shkëlqejnë në nivelet më të larta të kreativitetit artistik tregon se përgjatë gjithë historisë njerëzore ka një numër shumë herë më të madh të individëve pa sëmundje mendore. Psikiatrit konstatojnë se ka një element të përbashkët si faktor kryesor që ka çuar në besimin e gabuar se, ka një lidhje midis kreativitetit artistik dhe sëmundjeve mendore, pikërisht anormaliteti apo shmangia ndonjëherë mjaft ekstreme në jetën e përditëshme e të dy subjekteve nga mënyra e zakonshme e të menduarit dhe e sjelljes normative e shumicës së njerëzve. Simptomat e sëmundjes mendore bëhen mënyra stereotipe dhe shpesh banale, janë të pavullnetshme, pa bazë gjykimi dhe të pa orientuara drejt një finalizimi, (të menduarit divergjent) ndërsa produktiviteti i artistëve krijues është i qëllimshëm, drejt një zgjidhjeje të vetme korrekte  dhe euforia rezulton pothuajse gjithmonë nga një arritje e jashtëzakonshme, (të menduarit konvergjent). Gjenitë në mënyrë specifike mendojnë në mënyrë jashtë të zakonshmes për të krijuar ide dhe produkte të reja jashtë rendit të zakonshëm të shoqërisë. Në çdo rast kur nga studjuesit bëhet pyetja nëse egziston lidhja midis sëmundjes mendore dhe gjeniut artist sillet si shembull piktori Vincent van Gogh dhe matematicieni John Nash. Ata që e pranojnë lidhjen midis gjeniut dhe sëmundjeve mendore çuditërisht harrojnë apo nuk marrin në konsideratë një fakt që dihej që gjatë kohës kur piktori i madh ishte gjallë.Prindërit Van Gogh kishin gjashtë fëmijë dhe i pari i tyre ishte piktori Vincent. Nga këta gjashtë fëmijë, krahas fëmijës së parë, piktorit të sëmurë ishin edhe tre fëmijë të tjerë të diagnostikuar me të njëjtën sëmundje. Por “çuditërisht” asnjë nga tre të tjerët nuk manifestoi ndonjë talent artistik si vëllai i tyre i madh Vincent. Matematicieni John Nash deri në moshën 33 vjeç zhvilloi një kreativitet gjenial dhe më pas për 12 vjet u trajtua në kondita spitali për paranojë skizofrenike. Mbas trajtimit mjekësor riffilloi aktivitetin akademik për rreth 20 vjet të tjera. D.m.th kreativiteti brillant jo vetëm nuk manifestohet domosdoshmërisht në prani të sëmundjes mendore, por në të kundërt disbalanca mendore e frenon atë. Numri i të sëmurëve mendorë që nuk çfaqin kreativitet artistik është kaq shumë më i madh sa, e kundërta përbën përjashtime. Studjuesi i njohur, psikiatri Albert Rothenberg ka vënë në dukje se, te njerëzit ekscentrik me çrregullime mendore dhe tronditje emocionale ekstreme mundet që të bashkëegzistojnë apo bashkëjetojnë paralelisht dhuntia e talentit të shkëlqyer me sëmundjen mendore,.Te njerëzit që i përmbajnë paralelisht të dyja këto entitete për fat të keq cënohet ndjeshëm proçesi kreativ i cili vuan dhe pëson si pasojë e interferencës dhe influencimit devijues që shkakton sëmundja nervore ndaj proçesit kreativ. Duhet të kihet mirë parasysh se në shumicën e rasteve diagnostikimet psikiatrike të personave eminentë janë nxjerrë jo nga burime të sakta klinike, por nga biografitë e përgjithshme, thashethemet e paprovuara dhe interpretimet subjektiviste si të analistëve letrarë ashtu edhe të atyre psikologjikë, të cilët përshkruajnë lidhjet e hamendësuara midis konstitucionit psikologjik të artistëve dhe elementeve patologjikë të cilat i shohin të manifestuara në subjektet e veprave ose në personazhet e tyre. Këtu mund të sillet rasti i shkrimtarit Charles Dickens dhe shkrimtarit Fjodor Dostoyevsky.

Krijimi artistik mund të jetë për artistin dëshira që përmbushen ose shtresëzime kënaqësish fantaziste të dëshirave të mohuara nga parime, kode morale të jetës së përditëshme. Kështu nën këtë domethënie për artistin e vërtetë arti është një mjet shpirtëror shprehjeje dhe balancuesi presionesh psikike të ndryshme.Kur mendon që në shekullin e VII, biblioteka e perandorit kinez përmbante 370 000 rrotulla pergameni, ndërsa dy shekuj më vonë, në shekullin e 9-të, një nga koleksionet më të mëdha të Oksidentit që i përkisnin manastirit të Shën Gallen (Zvicër), mund të krenohej me vetëm katërqind vëllime, nuk mund të mos bësh pyetjen: Përse njerëzimi erdhi duke u diferencuar gjithmonë e më qartë në dy kultura, Lindore dhe Perëndimore. Përse kultura perëndimore pësoi një transformim umanist të jashtëzakonshëm në mijëvjeçarin e dytë? Si Individualizmi me individualitetet e spikatura brenda tij e shndërroi një grup kolonish të shpërndara evropiane në kombin më të lirë dhe më të prosperuar në histori. Përse në Perëndim egziston praktika e njohur institucionale që në mënyrë të vazhdueshme u jepet strehim dhe merren në mbrojtje individualitete të shquara të kulturës dhe të shkencës nga vendet e Lindjes?. Çfarë ndodhi që Shekspiri është bërë autori i parë universal duke zëvendësuar Biblën në vetëdijen civile laike?.Kultura dhe humanizmi Perëndimore i detyrohen kryesisht kontributit të Dantes, Servantesit, Shekspirit, të cilët gjeneruan ndryshimet kulturore dhe intelektuale të njohura si Rilindja europiane. Këta Individualitete krijuan gjuhët letrare përkatëse, krijuan dhe formësuan natyrën njerëzore ashtu si e njohim sot. Studjuesit perëndimorë të letërsisë pohojnë se gjenia e Shekspirit qëndron te mënyra unike sesi e ka përdorur gramatikën në ndërtimin e fjalive duke i shtuar anglishtes elementin poetik. Frojdi vetë besonte se ajo që e bëri Shekspirin një shkrimtar të shkëlqyer ishte aftësia e të kuptuarit të psiqikës dhe të depërtuarit në subkoshiencën e njerëzore.Shumë ide dhe tema të tyre u morën dhe u zhvilluan nga shkrimtarë dhe mendimtarë të mëvonshëm. Individualizmi mund të cilësohet si besim në rëndësinë parësore të individit dhe në virtytet e vetë-besimit dhe pavarësisë personale. Alexis de Tocqueville e vizitoi Amerikën në vitin 1830 dhe vuri re që amerikanët shumë më me dobi ishin të angazhuar në korigjimin e deformimeve që kishin ndodhur gjatë aplikimit të parimeve të njohura, sesa të kërkonin zbulimin e parimeve të reja. Ai theksonte se një histori e ripërsëritur në historinë e Shteteve të Bashkuara është ajo e ndryshimit që vjen jo përmes kërkimit të vlerave të reja shoqërore, por në përpunimin rinovues të atyre të vjetrave. Një shëmbull që ilustron më së miri këtë ide është ligji amerikan i shtetësisë-qytetarisë si për të drejtat edhe për detyrimet është një aplikim i rinovuar i ligjit të të drejtave që u garantonte legjislacioni romak atyre të lindur si të tillë.Si një vëzhgues i hollë ai konstatoi gjithashtu se individualizmi amerikan rrezikonte edhe mundësira shkatërruese, gjë e cila mund të nxiste një autonomi radikale.Shoqëritë e Lindjes janë shoqëri kolektiviste në ndryshim nga shoqëritë individualiste të Perëndimit. Kultura individualiste vlerëson si prioritar funksionin INFORMUES të komunikimit, ndërsa kulturat kolektiviste i kushtojnë një theks më të madh funksionit RELACIONAL." Në një kontekst kulturor, "kulturat individualiste" dhe "kulturat kolektiviste" i referohen mënyrës sesi individët e shikojnë dhe e përcaktojnë veten në kontekstin e grupit - nuk i referohet sistemeve politike ose shoqërore të një vendi. Njerëzit në kulturat individualiste si Shtetet e Bashkuara dhe Evropa Perëndimore, janë shumë të pavarur dhe kanë ndjenja të forta të autonomisë brenda grupit. Në të kundërt, kulturat kolektiviste në Amerikën e Jugut dhe të Lindjes në tërësi "mbështeten në një masë të konsiderueshme te marrëdhëniet e ngushta brenda grupimeve që kujdesen për ata në këmbim të besnikërisë së verbër. Amerika është një nga shoqëritë më individualiste në botë. Në letërsinë amerikane, lufta më e madhe e njerëzve ka qenë gjetja dhe zbulimi i vetvetes përmes konceptit të Individualizmit. Individualizmi është një nga temat më të mrekullueshme të letërsisë për shkak të kontributit të tij në zhvillimin e dinjitetit njerëzor. Individualizmi është një qëndrim moral dhe një koncept filozofik që nuk do të thotë thjesht të qëndrosh vetëm. Do të thotë të zhvillosh talentet unike të dikujt dhe të jesh në gjendje t'i ndash ato për kënaqësinë e vetvetes dhe të të tjerëve. Amerikanët kanë besuar dhe besojnë se ata ushtrojnë dhe gëzojnë autonomi të plotë gjatë jetës së tyre. Kultura Lindore përqendrohet më shumë në “kolektivizëm” që do të thotë se ata kanë familje të mëdha mbështetëse. Kultura perëndimore përqendrohet në "individualizëm" që do të thotë se çdo person duhet të sigurojë jetesën i vetëm. Ndërsa në komunizëm Partia ironizonte kapitalizmin me shprehjen: “secili për vehte, Zoti për të gjithë”. Shumica e studjuesve mendojnë se, nëse me kujdes dhe pa emocion studiojmë jetën e burrave dhe grave të mëdha, zbulojmë se në mënyrë të pa ndryshueshme madhështia u zhvillua, u testua dhe u zbulua në periudhat më të errëta të jetës së tyre. Prandaj mendojnë se një nga degët më të mëdha të lumit të madhështisë është gjithmonë rrjedha e fatkeqësive.Meqenëse individi veprimet e vetë-interesuara të individëve krijojnë përparim shoqëror, e mira e përbashkët shërbehet më së miri kur secili individ çlirohet dhe fuqizohet të ndjekë aspiratat e veta. Studjuesi i njohur amerikan Harold Bloom nënvizon se: “ Sot, nëse një roman pranohet në kanonet e kulturës amerikane atëhere konsiderohet si një kryevepër e individualizmit që inkludon dhe nënshtron qenien shoqërore dhe ambjentin që e rrethon në frymën e një gjeniu të vetmuar”. Ai na kujton sesi “shkrimtarët tanë më të rëndësishëm kanë formuar vetëdijen tonë se kush jemi dhe nevojën urgjente për të qenë versione më të mira të vetvetes. Fatmirësisht shqiptarët përfaqësohen në botë me atë që konsiderohet shkrimtari më i madh i gjallë. Mbas rënies së komunizmit disa njerëz të njohur të letrave manifestuan një ndjenjë xhelozie dhe armiqësie të hapur ndaj shkrimtarit Kadare. Vepra e të cilit përbën një kreativitet sublim e njohur dhe pranuar botërisht. Njëri prej tyre nxitoi të thoshte se: “magjja e Kadaresë nuk kishte më miell për të gatuar letërsi të madhe”. Një tjetër mbas tij shkruante në gazetë: “Zbythu gjeni, ka ikur koha jote”. “Largohu nga skena, lërua vendin të rinjve” i bënte thirrje një tjetër me mendësi kolektiviste komuniste sikur shkrimtarët të ishin te radha e qumështit. Në kulturën shqiptare përbëjnë pikëllim shoqëror ndërprerja e uraganit Migjen nga sëmundja në moshë të re dhe “vdekja” për së gjalli e L. Poradecit, të dy të shquar për talentin kreativ sublim pa turbullime emocionale ekstreme.   Për një kundërshti të fatit kemi dy rastet e tjera, të vlerësuar nga audienca elitare shqiptare, poeti F. Reshpja dhe kompozitori P. Jakova,  te të cilët bashkëjetonte kreativiteti artistik sipëror me turbullime emocionale të rënda. Sublimiteti mund të lindë nga disa fjalë që hedhin dritë mbi një temë të tërë, ose mund të jetë rezultat i zgjerimit dhe zhvillimit të një ideje. Në këtë kontekst nuk përjashtoj mundësinë dhe praninë e momenteve të krijimtarisë sublime në shkrimtarë, kompozitorë dhe piktorë të mirë shqiptarë që për arsye vendi nuk mund të shkruaj më gjatë.Historia e shqiptarëve është histori e një shoqërie që në 100 vitet e fundit kaloi në 3 faza, nga fillesat e individualizmit në kohën e mbretërisë, më pas në komunizëm ekstremisht kolektivist dhe në 30 vitet e fundit në një demokraturë anarkiste. Respekti për individin përbën mungesën më të madhe në shoqërinë klanore kolektiviste shqiptare. Letërsia kujdeset vetëm për vetpërmbajtjen e mençurisë dhe bukurisë së vet, përsosmërinë e vet estetike. Në atë mënyrë, letërsia është paradoksale, njëkohësisht egoiste dhe vetëmohuese. Mbase nuk të bën një qytetar më të përgjegjshëm, por mund të të mësojë se si të fillosh të flasësh me veten tënde. Leximi i letërsisë, jo më pak se të shkruarit e saj është një reagim kundërvënës ndaj konventave asfiksuese që shoqëria  konformiste i ka të nevoijshme për të funksionuar. "Kreativiteti sigurisht që nuk kufizohet me rregulla ose nuk pranon kufizime që shoqëria vendos mbi ne. Pitagora ishte keqkuptuar, Sokrati, Jezusi, Luteri, Koperniku, Galileo, Njutoni gjithashtu. “Të jesh i shkëlqyeshëm është të keqkuptohesh”. Eseisti amerikan Ralph Emerson e ka përdorur këtë frazë në kontekstin se nëse njerëzit keqkuptojnë një person për shkak të ideve të tij të ndryshme nga masa, atëherë personi është, në të vërtetë, një mendimtar i shkëlqyeshëm. Kuptimi për të qenë i madh është të keqkuptohesh. James Joyce besohet se ka thënë se, gjëja më e rëndësishme në lidhje me një vepër të letërsisë, të muzikës apo të pikturës është cilësia e mendjes nga e cila buron. Njerëzit me kreativitet sublim kanë prirjen të jenë shumë individualistë, janë vetvetja në nivelin më të lartë shoqëror, vizionarët e koncepteve transformuese. Shkrimtari, kompozitori, piktori gjenial është i pazakontë me vizionin për botën dhe stilin e të shprehurit. Nuk e riprodhon botën por e transformon atë. Mendoni për një moment sesi gjatë një shekulli impresionistët kaluan nga skandali i salloneve në posterat e dhomave të fjetjes. Bashkëkohësve të cilëve u drejtohet janë pak sepse ai nuk po i jep masës atë që është mësuar të marrë gjithmonë. Duhet të kalojë kohë që njerëzit të mësojnë mënyrën e tij të re për të parë dhe për të pranuar se ka edhe një shprehje tjetër të së vërtetës. Kërkohet një nivel i caktuar arsimimi dhe kultivimi kulturor për të menduar dhe shikuar si shkrimtari elitar. Gjë që zotërohet nga një pakicë lexuesish. Natyrisht si autor ju dëshironi që lexuesi të ketë një bagazh kulturor për të kuptuar idenë, prioritetet apo tezën e autorit.

Dymijë vjet më parë Longinus kërkonte që audienca “duhet të jetë e çliruar nga mendimet e ulëta dhe vulgare që shoqërojnë përgjithësisht njerëzit e munduar nga puna fizike në natyrë.Asnjëherë në historinë e kulturës botërore nuk ka pasur mungesë të “shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve keqdashës të vërtetë e xhelozë” të cilët nga pusia e ngritur me kujdes godasin armiqësisht veprat e krijueve më të mirë. Kritiku amerikan Harold Bloom pohon se “hendeku midis gjykimeve ndaj letërsisë popullore dhe gjykimeve shumë të ashpra ndaj shkrimtarëve elitarë ka qënë dhe vazhdon njësoj të mbetet i gjerë dhe i thellë”. Në kulturën amerikanë prej vitit 1953 ka gjetur qytetarinë fjala “Frenemi” (friend-enemy, mik-armik) që nënkupton njeriun që në sy të sillet si mik por që mbart të fshehura ndjenja armiqësore, xhelozi dhe urrejtje. Ndërsa Shekspiri ishte i pari që krijoi termin "përbindësh me sy jeshil" në “Tregtari i Venedikut”, për të tërhequr një paralele midis xhelozisë dhe mbretëreshës e cila kishte ngjyrim të jeshiltë të syve si pasojë e sëmundjes së talasemisë.Psikologët njohin e pranojnë ndonjë anë pozitive të zilisë e cila në shumicën e rasteve manifestohet me ndjenja që rrezikojnë stabilitetin emocional të një individi, i cili mund të sjellë pasoja të rrezikshme për rrethin e njerëzve pranë tij. Nuk mund të mos bëhet pyetja: kur ndodh që xhelozia arrin një pikë të rrezikshme? Ndoshta kjo ndodh atëhere kur fillojmë që të kujdesemi më shumë për shkatërrimin e diçkaje sesa për proçesin vetjak të krijimit.Psikiatri Albert Rothenberg thotë: “Ka vetëm dy mënyra për të reaguar ndaj njerëzve me kreativitet të lartë artistik; ne ose i adhurojmë ata ose jemi xhelozë”.

65 views

Shkrimet e fundit