KOZMOLIRIKA KACALIDHA


sprovë

Nga Vasil Vasili

Ndjej pa qënë Kasandra: Niko Kacalidha (poeti), s’do të bëhet kurrë mit. Ai do të mbetet poet pa popull. Ndërsa lexuesit e tij do mbeten të mrekulluar. Idhujt s’ngjizen me nënshtresa lirike. Ky këndvështrim tërheq një arradhe arsyesh. Më i thukti thotë: Populli i lirikës ende s’është krijuar. Lirika u shmang për kambanat e katedraleve të epopeve. Egzistenca (njeriu mbi njeriun) janë akejtë e Luftës së Trojës që e shmangën Helenën dhe Paridin dhe me ta krijuan një preteks për hakmarrje heroike. Lirikës i mbeti një vend i fshehur, u fut thellë në psikikë e ndjekur nga muzat e luftës. Sot, të shkruash lirikë të mirëfilltë, është sikur të flasësh dhe njëherësh të përkthesh një gjuhë të harruar.

N. Kacalidha është një luks për një pakicë etnike aq të vogël (sa ai grek në Shqipëri), që ndjeshmërinë poetike të tij, ende s’e ka bërë të vetën. Asnjë grek nuk ka ndenjur kaq bukur mbi truallin e Shqipërisë si Niko Kacalidha. Po kaq bukur qëndron kozmolirika Kacalidha edhe mbi truallin grek të poezisë. Ai është një rast i veçantë, një përjashtim, një ksombël i të shprehurit lirik. Qindra shenja poetike, që ka vizatuar me fjalën e tij, krijojnë një tërësi, prandaj duket sikur shikon tërësinë para detajeve. Kjo i jep korpusit të tij lirik plotërinë e parashestuar. Kacalidha ka bërë flijimin më të madh që mund të bëjë një poet, ka shmangur shenjat poetike të qytetërimit për kozmolirikën. Në thelb ai ka flijuar edhe kombësinë për ta shfaqur në tekst si tekst lirik dhe prandaj ka marrë plagë të pashërueshme prej qytetërimit. Nëqoftëse do të kishte një çmim ndërkombëtar për lirikën e dlirë, Kacalidha do të ishte një kandidat i përjetshëm.

Kozmolirika është estetika e individualitetit melankolik. Moraliteti i kozmolirikës është përkorja e jetës e lidhur me natyrën e harlisur dhe një paraneveri për shoqëritë e muzave të luftës. Ajo është profete duke qënë e përjetëshme. Ligjërimin e end me shenjat e natyrës që iu gjen përgjegjëset në historinë ikumenike të Botës. Detaji i saj është shqisor, por konkreten e lëbyr dhe i përgjigjet një ndjenje që kërkon të bëjë në brendësi “kryengritjen” e saj në pallatin e botës. Kacalidha e profanon këtë trini duke e bërë surealiste. Surealizmi i tij është lëvizja nga sendet me mjete konceptuale të figurës (harakiri sureal Kacalidha). Lodra konceptuale e kozmolirikës është e fshehur... në farën e jetës, por trajtat e saj e çajnë cipën e virgjërisë. Kozmolirika punon për ti shkuar zëri te njeriu i lirë, por i vetmuar. Kur ta ketë bërë këtë udhëtim, do ta ketë ndryshuar edhe njeriun. Bota, që do të dalë prej këtij njeriu, do të jetë krejt ndryshe, si ripërtëritje. Kozmolirika e mendon njeriun të ndjeshëm ndaj estetikës dhe harmonisë së natyrës dhe përsillet rreth harmonisë kozmogonike. Gjedhi estetik i kozmolirikës është trajtësuar me përbërës në dukje të thjeshtë dhe të harruar nga qytetërimi perëndimor si: gurët, zogjtë, drurët, hëna, uji, gjethi, era, bari, uji, lulet me gjithë simbolikën e amshuar që rrjedh prej tyre. Kozmolirika s’është një filozofi veprimi, ajo është një gjendje që duhet të vijë te njeriu. Është një nga degët e pemës filozofike të njeriut. Është kalimi nga një gjendje shoqërore në një tjetër, pa dhembje. Është një shtëpi e re brenda shtëpisë së mëparshme, me dy palë çelsa, për të hapur të gjitha kujtesat e njeriut. Është shtëpia e atit dhe e birit me shpirtra të shenjtë. Kacalidha është për lexuesin e sipërfaqshëm i paanshëm dhe larg filozofisë. Megjithatë ai është i mbrujtur nga kozmolirika që është një estetikë ortodokse si në Lezbos, në Lëshnicë, në Kinë e gjithandej. Po të kujtojmë që estetika është forma e bukur e filozofisë, atëherë do themi se estetika orthodokse e Kacalidhës është një filozofi, ndoshta më e vjetra, sepse ka lindur nga mrekullimi i njeriut përballë të fshehtave të natyrës. Lirika nëpërmjet zbrazjes së mrekullimit ka “zbuluar” natyrën të përthyer te kujtesa dhe ka bërë revolucion në gnosologji. Përfaqësuesit e saj, ndonëse të rralluar, mendojnë se revolucioni i kozmolirikës nuk ka pikë mbërritje. N. Kacalidha është një zë emblematik i kozmolirikës.

Janar 2013

73 views14 comments

Shkrimet e fundit