top of page

Kozma Gjergji: GJARPRORËT

  • 14h
  • 4 min read

 

Tregim i ripunuar nga Kozma Gjergji

 

Mua dhe kolegut arkeolog na u ngarkua të presim, shoqërojm dhe i përgjigjemi interesit shkencor të Profesor Shulsit për qytetin antik të Apolonisë, ku dhe punojmë. Nder dhe përgjegjësi të njihemi e bashkëbisedojmë nga afër me këtë personalitet të shquar europian. I jemi shumë mirënjohës, veç të tjerave, për hulumtimin e dritësimin e disa të vërtetave rreth etnogjenezës e formimit të kombit shqiptar  dhe vazhdimësisë iliro-shqiptare, të deformuar e keqinterpretuar qëllimshëm nga politikat ekspansioniste.

Dhe ja tek mbërriti bashkë me një akademik tonin. Takohemi  dhe i urojmë mirëseardhjen. I ftojmë në bar, por Profesori preferon të fillojmë menjëherë punën. Ashtu bëjm. E nisim nga njohja me shëtitoren që çon tek partenoni, agora, nekropoli, amfiteatri, odeoni, banjat, ujësjellësi, punishtja e verës, mozaikët…

Në vijim ndalemi dhe tek zbulimet më të reja të ekspeditës që drejtojm, në të cilën kontribojnë edhe arkeologë të huaj me përvojë. Profesor Shulsi pyet për gjithçka e dëgjon me vëmendje. Thjeshtësia e përzemërsia e tij na e lehtëson komunikimin. Mbase për ta ngjyrosur dialogun dhe me pak humor ai fiksohet një çast pranë njërës prej figurave provokuese dhe kërkon të dijë më tepër rreth saj.

-Ç'të jetë vallë gjithë kjo shtyllë madhështore e skalitur mjeshtërisht?!

Ndonëse dyshojmë që të mos e kuptoi i përgjigjemi.

-Është shëmbëlltyra e organit gjenital mashkullor, simbol i pjellshmërisë…

-Ah, po…, -pohon me entuziazëm e disi i habitur. -Ja dhe një tjetër vlerë interesante që befason, josh e tërheq turistë e vizitorë… Të moçmit kishin nderim tejet të lartë për jetën dhe prandaj i ngrinin kulte… Nëpërmjet tyre na porosisin ta duam, shtojmë, çmojmë e mbrojmë si gjënë më të shtrenjtë…

Itinerarin e vizitës e përfundojmë me manastirin e Shën Mërisë të shekullit XIII dhe Muzeun Arkeologjik, në pavionet dhe mjediset e të cilit ekspozohen statujat e mermerta dhe gjetjet e deritanishme.

Profesori duket i kënaqur, ndaj përsërit vlerësimin e Ciceronit për Apoloninë: “Një qytet i madh e hijerëndë!” Dhe shton se, është një karakteristikë domethënëse që si këtu, ashtu dhe në Butrint, Dyrrah, Antigonea, Bylis, Amantia e qytetet e tjera të Ilirisë, gjen të shkrirë mrekullisht me njëra-tjetrën hijeshinë dhe madhështinë e kulturës vendase dhe greko-romake. Siç dihet, gadishulli i Ilirisë dhe Apenin kanë qenë qendra e civilizimit, që shekuj më vonë u çvendos gradualisht në Perëndimin e sotshëm. Asokohe ne gjermanët ishim ende barbarë…

E pyesim me kureshtje se ç'shtysë e kishte nxitur t'i përkushtohej studimit të qytetrimit iliro-shqiptar.

-Ka ndodhur rastësisht. Në vitin e fundit universitar më bie në dorë një përmbledhje që i kushtohej pikërisht historisë së tij e ilustruar e plotësuar dhe me skica, piktura, foto, kronika, krijime folklorike, dëshmi, dokumenta, kujtime, shënime të udhëtarëve, diplomatëve e ushtarakëve të betejave.

Qe një zbulim befasues që më nxiti e frymëzoi ta eksplorojë sa më parë. Më intriguan, sidomos, valët e dyndjeve sllave, ngjajshëm me hordhitë rrënuese të perandorisë romake. Tribu gjysëm të egra ardhur nga Karpatet, Uralet e stepat ruse.

Vendasit iliro-arbëror me standarte të larta zhvillimi nuk i luftuan, rikthyen mbrapshtë apo i bënin skllevër. Përkundrazi, i pranuan dhe i ndihmuan bujarisht, duke iu dhuruar tokë, bagëti, kafshë e mjete pune. Edhe banorët e frikësuar që nuk i dëshironin, iu ofruan përkrahje, siç i këshillonte urtësia, që po e ushqeve krokodilin kurrë nuk do të të hajë.

Dhe vërtetë midis dy etnive për një kohë të konsiderueshme zotëroi paqja, harmonia e bashkëjetesa e mirë. Por me mëkëmbjen e fuqizimin ekonomik, bashkësia sllave me emrin e gjarprit nisi armiqësitë me vendasit. Përhapte shpifje e gënjeshtra se gjoja ishin ardhacakë e grabitës, si justifikim për t’i vrarë e përzën dhe iu rrëmbyer territoret e pasuritë. Mizoritë apokaliptike bënë që të kapitullonin e zbrazeshin pjesë të tëra të Ilirisë dhe kërcënohej ekzistenca e saj. Kjo qe arsyeja që pushtuesi i ri osman, krahas qëndresës, u prit dhe krahëhapur.

Sa e sa kujtime e akte të heroizmit, pabesisë e zhgënjimeve tronditëse me gjarprorët lanë gjurmë të pashlyeshme në zemra e u rrënjosën thellë në kujtesën arbërore; vibruan, gjëmuan e klithën në telat e lahutave e çiftelive, dhe shndërruan në xhevahire artistike të rralla. Më kanë sugjestionuar. Dëshiroj t'iu ritregoj një prej rrëfenjave, e cila me fare pak fjalë përcjellë thelbin e tragjedisë së madhe. Dëgjojeni: Një fshatar, përfaqëson autoktonët, teksa kalonte në pyll pa një gjarpër të ngrirë nga të ftohtit. Gjarpri me zë të mekur iu lut: “O njeri zemërbardhë, më merr me vete e më shpëto për hir të Zotit!”

        Fshatarit i erdhi keq e menjëherë e mbështolli me brezin e lesht dhe e futi në gji. Kur arriti në shtëpi e afroi pranë zjarrit dhe e ushqeu me qumësht e mjaltë.  Gjarpri u gjallërua dhe erdhi krejt në formë. Ndërsa fshatari zgjati dorën ta përkëdhelte dhe e pyes se si ndihet, ai vrullshëm i dha pickimin më të egër vdekjeprurës.

-Ç'bëre?!... Unë të shpëtova jetën, kurse ti më jep helmin! -i thotë fshatari.

-Kështu jam unë. Ti e dije qysh më parë që isha gjarpër  e tani s'ke pse habitesh! -ia ktheu ky i krekosur.

Këtë tregimth e kanë marrë e rikrijuar dhe popuj të tjerë e disa shkrimtarë e fabulistë të famshëm. E kam përdorur dhe unë në një përsiatje, me të cilën u paraqita në një konkurs ndërkombëtar në gjininë e eses me temë: “Mosmirënjohja!”, ku u vlerësua me çmim.

Kështu, që atëhere unë mbeta i dashuruar me Ilirinë dhe ju shqiptarët. Trishtohem kur shoh që gadishulli i ka me bollëk gjarprinjtë krejtësisht si i fabulës. Vetëm lëkurën kanë ndryshuar, dhe përveç helmit nxjerrin nga goja edhe flakë e zjarr. Flas për gjarprinjtë  njerëzor, misioni i të cilëve vazhdon të jetë po ai shekullor, shkulja me rrënjë, përzënia,  gjarpërzimi dhe zhdukja e autoktonëve.

1 Comment


F. Terziu
14 hours ago

Tregimi “Gjarprorët” i Kozma Gjergjit mund të lexohet në kushtet e sotme si një tekst me domethënie të thellë simbolike, që shkon përtej rrëfimit të thjeshtë dhe merr vlerë aktuale shoqërore, historike dhe morale. Në thelb, ai paraqet një alegori të marrëdhënieve midis njerëzve dhe popujve, ku mirësia, mikpritja dhe besimi shpesh përballen me tradhtinë dhe mosmirënjohjen.

Ngjarja e tregimit, sidomos fabula e fshatarit që shpëton gjarprin dhe më pas helmohet prej tij, shërben si një simbol i fuqishëm për të kuptuar rreziqet që mund të vijnë nga një besim i pakushtëzuar. Në këtë kuptim, tregimi na paralajmëron se mirësia pa maturi mund të kthehet kundër njeriut dhe se jo gjithmonë të gjithë e vlerësojnë ndihmën që u jepet. Ky…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page