top of page

Fatmir Terziu: Marrëdhënia me librin nuk është luks, por mbijetesë kulturore

  • 10 hours ago
  • 4 min read

 

Në një Panair libri jashtë vendit thuhet, sipas burimeve të besuara, se kishte shumë kureshtarë, por nuk kishte asnjë shkrimtar. Dhe i vetmi që shkoi rastësisht, u habit se aty gjeti vetëm disa libra si në tezgat e pasdites në një bregdet të Shqipërisë, ku turistët kalojnë dhe shohin kopertinat, se natyrisht nuk dinë shqip. Ishte një pamje e çuditshme. Libri i ekspozuar si suvenir dhe jo si mendim, si ngjyrë vere dhe jo si frymë e një kombi. Aty ku duhej të dëgjohej zëri i autorit, dëgjohej vetëm zhurma e kalimtarëve. Aty ku pritej debati mbi letërsinë, mbizotëronte heshtja e marketingut bosh. Dhe kjo nuk ishte thjesht një rastësi organizative. Ishte fotografia më e qartë e marrëdhënies që kemi krijuar me librin në këto vite tranzicioni të lodhur.

Marrëdhënia me letërsinë duhet të ndryshojë. Jo nesër, por tani. Lidhja me librin është më shumë sesa domosdoshmëri. Është mënyra më e sigurt për të rikthyer aftësinë tonë për të menduar thellë, për të dalluar të vërtetën nga propaganda, për të ndërtuar një qytetari që nuk jeton vetëm me instinktin e mbijetesës. Nuk mjafton më të numërohen lexues në statistika të thata, ndërsa bibliotekat boshatisen dhe shkolla prodhon nxënës që lexojnë vetëm titujt e shpejtë të rrjeteve sociale. Në të vërtetë, ajo që është shembur më shumë në këto tri dekada e kusur nuk është vetëm ekonomia, apo besimi politik. Është shembur vetë autoriteti i dijes. Shkolla shqiptare, e mbërthyer mes reformave pa shpirt dhe improvizimeve burokratike, ka humbur aftësinë për ta bërë librin pjesë të jetës së përditshme. Dhe kur shkolla e humbet librin, humbet edhe qytetarin e së nesërmes.

Prandaj kurikula nuk mund të vazhdojë të funksionojë si një makineri formularësh dhe projektesh sterile. Duhet një kurë e re mes shtetit dhe shkollës. Duhet më shumë decentralizim, më shumë funksionim lokal, më shumë frymëmarrje për bibliotekat, qendrat kulturore dhe mësuesit që ende besojnë se letërsia mund të shpëtojë diçka nga kjo mpirje kolektive. Dhe kjo bëhet edhe më dramatike kur kujton se sa shumë ka ndikuar gjendja e dobët ekonomike në këtë varfëri shpirtërore. Në periudhën katastrofike dhe jopopullore të tranzicionit, kultura u la në qoshe si një mobilie e vjetër që nuk hynte në planet e pushtetit. Libri mbeti pa mbështetje, autori pa dinjitet, lexuesi pa orientim.

Ndërkohë, pushteti vazhdon të sillet sikur kultura mund të mbahet gjallë me ceremoni dhe fotografi. Pikërisht tani, kur koha politike e shumë zaptuesve institucionalë duket se ka mbaruar dhe vota endet në shifrat e pecetave të kafenesë së Kaninës, ekonomia pret ende një mrekulli për t’u rimëkëmbur. Por asnjë ekonomi nuk ringrihet realisht pa kulturë. Një shoqëri që nuk investon tek libri, investon pa e kuptuar tek harresa. Megjithatë, edhe nëse leximi arrin të mos dalë plotësisht jashtë kontrollit, askush nuk duhet të besojë se ndonjë organizëm me emër të madh do të zbresë për ta ribërë letërsinë sipas imazhit plastik të këtij shekulli. Letërsia nuk fabrikohet me urdhra dhe as nuk ringjallet me panaire fasadë. Ajo jeton vetëm aty ku ka lexues të vërtetë, mësues me pasion dhe autorë që nuk shkruajnë për dekor. Përndryshe, librat mbeten si ato kopertinat buzë detit, kalimtarët i shohin, i prekin me sy dhe largohen pa hyrë kurrë brenda tyre.

Perëndim, marrëdhënia me librin nuk mbahet gjallë vetëm nga tregu, por nga një kulturë shtetërore dhe qytetare që e konsideron leximin pjesë të zhvillimit kombëtar. Në Finland, bibliotekat janë kthyer në qendra komunitare moderne, ku qytetari nuk shkon vetëm për të marrë një libër, por për të debatuar, studiuar dhe krijuar. Në Francë, libraritë e vogla mbrohen me politika konkrete për të mos u zhdukur nga tregu agresiv komercial, ndërsa panairet e librit nuk janë thjesht shitje kopertinash, por takime reale mes autorit dhe lexuesit. Edhe në Britani të Madhe, Gjermani, Suedi, e gjetkë, qytetet e vogla kanë biblioteka funksionale dhe aktivitete të vazhdueshme letrare, sepse libri shihet si investim afatgjatë për qytetarin dhe jo si dekor kulturor për raste festive.

Në Ballkan, megjithëse plagët e tranzicionit kanë qenë të ngjashme me tonat, disa vende kanë tentuar të krijojnë ura më të forta me letërsinë. Në Kroaci, festivalet letrare janë lidhur me turizmin kulturor dhe autorët ftohen të komunikojnë drejtpërdrejt me publikun në qytete bregdetare e universitare. Në Slloveni, leximi mbështetet fuqishëm në shkolla përmes programeve lokale dhe bashkëpunimit me bibliotekat publike. Ndërsa në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, apo Serbi, pavarësisht krizave ekonomike dhe përçarjeve politike, panairet e librit ende ruajnë një lloj graviteti kulturor, ku autori mbetet në qendër dhe jo në periferi të aktivitetit.

Krahasuar me këto modele, tek ne shpesh libri trajtohet si objekt sezonal. Hapet një panair, bëhen disa fotografi, organizohen disa promovime rutinë dhe më pas gjithçka bie sërish në heshtje. Bibliotekat lokale mbeten pa fonde, shkollat pa programe të gjalla leximi dhe autori pa hapësirë reale komunikimi me publikun. Kjo është arsyeja pse marrëdhënia me letërsinë duhet rindërtuar nga themelet. Nuk them se duhet reaizuar duke kopjuar verbërisht Perëndimin, por duke kuptuar se çdo shoqëri që ka respekt për dijen, e fillon gjithmonë nga libri. Ka mjaft ide… por kush na pyeti, ne.

1 Comment


Guest
32 minutes ago

Nji analizë e mbeshteturë në fakte dhe fenomene konkrete që u sherbenë politikave kulturore të vendit tonë .

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page