Korrupsioni
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 7, 2022
- 1 min read

Nga Petrit Malushi
Korrupsioni
Ai, lirshëm midis nesh
Vjen e shkon si zotëri.
Përshëndet, buzëqesh…
E thërrasin, ulet rri.
Por, si bubullimë në verë
Në të thatë, ligjërohet :
“Korrupsioni është kolerë !…
Ta groposim, të dërrmohet !…”
“Ta prangosim në birucë,
T’ja shkulim dhëmballë, dhëmbë.
Ta zhytim në gropë me llucë,
Lidhur kokë, duar, këmbë !”
Ai, hyn e del në zyra
Pa trokitur, pa pengesë.
Bisedon, i qesh fytyra,
Miq e shok’ i bëjnë ftesë.
Gjatë e gjerë rrahin mendime,
Përvojë zbrazin, thurin plane.
“Pjesa jote, pjesa ime !
Ja kufiri… asaj ane !...”
Të korrupsionit, dashnorë
Mallkimet për të s’i ndalin.
Luajnë më bukur se aktorë,
Lidhjet sheshit mos t’u dalin.
“Kërkoni aty… atje…
Ta shkulim, thajmë nga rrënja
Edhe po të jetë në re !”
“Jooo tek unë ! Këtu s’ka shenja !”
Korrupsioni kokorrosh,
Qafëbuall e dorëpallë
Në çdo shkallë sipër, përposh,
Majtas, djathtas bëhet palë.
Çdo kostum për masë i bie,
Ministër a deputet,
Bashkiak, shef drejtorie,
Pushtetar në fshat, qytet…
Comments