KONOVAKA E PILURIT
Nga Timo Mërkuri
Së shpejti do zhvillohet Festivali Folklorik i Gjirokastrës, një ngjarje madhore kulturore, e cila më shumë se si një konkurim mes grupeve nga treva të ndryshme të vendit zhvillohet si një festë mbarëkombëtare. E parë në këtë aspect ky festival jo vetëm që mbron nga harresa dhe shpalos bukurinë e artit gojor dhe të valleve të popullit tonë, por vlen edhe si një shkollë ku grupet e trevave të ndryshme shohin dhe mësojnë nga ecuria e këtij arti në treva të ndryshme, duke inicuar ecurinë dhe në trevat e tjera. Pra grupet pjesmarëse në këtë festival sjellin më të mirën e tyre të traditës, pavarësisht se mund të jetë psh një tekst kënge shumë i hershëm që çfaqet për herë të parë, apo një vijë melodike që hedh një hap të ndrojtur përpara në traditën e saj.
Kështu edhe grupi “Bejkë e bardhë” e Pilurit kaloi konkurimin lokal në Vlorë dhe do paraqitet në Gjirokastër me këngën “Konovaka”. Konovaka është emërtim i një vajze të re që përgatitet për nuse, pra emërtimi është marrë nga jeta baritore dhe pikërisht nga emri i sheleges që përgatitet të hyjë në vitin e dytë dhe që ka faqe kafe e lesh përmbi ballë. Sikur të mos mjaftonte kjo kënga hapet me një motiv të ëmbël e rëfyes baritor fyelli, sa që të kkrijohet përshtypja se kemi të bëjmë me avaze fyelli dhe jo me një këngë iso-polifonike.
Megjithatë pavarësisht faktit se: kënga është me motiv baritor, me një tekst të jetës baritore, shoqërimit të këngës me fyellin tradicional, kënga ka disa veçori dalluese që përbëjnë risi për këngën pilurjote dhe konkretisht: teksti i këngës është një tekst poetik i nivelit të lartë, nisja e këngës ka një tipar të veçantë pasi fillon me kthyesin dhe jo me marrësin tradicional, motivi i fyellit ëhstë i veçantë dhe “çuditërisht” në marjen e katërt kemi jehonën e marrëses dhe në fund të këngës kemi hyrjen e një zëri të ri që interpreton finale e këngës. Le ti shohim me radhë këto tipare karakteristuike të kësaj kënge, duke ju referuar tekstit të saj, me autor poetin “Mjeshtër i Madh” Kristo Çipa, i cili është:
Kono-ooo , Konovaka
Përmbi maja ulet nata
Doli, doli Konovaka
Supe hëna, flokë mëndafshta
Doli, doli Konovaka
Kur limanin morri vasha
U dogj deti, s’dukej flaka
Me ca trëndafila Joni
Doli Konovaka, doli
Djem e yje bashkë i mblodhi
Doli Konovaka, doli
Me vetull të saj më foli
Zemra ime flakë më morri
Sinjalet që dha ja kapa
Doli, doli Konovaka
Më tha duku nga mesnata
Doli, doli Konovaka
Unë si guximtar u çfaqa
Tunda kambanët e larta
Këmishën natës ja vodhi
U duk Konovaka, doli
Vezët e pashkës i nxorri
Puthjen nga buza ma morri
Konovak e bregut-ooo
Në gjoks tënd moj Konovakë
Shkoj një jetë e pak më gjatë
Në këtë këngë prezantojmë: marrëse: Polikseni Mërkuri dhe Florika Thanasi , kthyes: Dhimitraq Bala, hedhëse Valentina Gërdhuqi, finale Agron Kreku, fyell Milto Gjiçali.
Thamë që kënga hapet me një motiv të ëmbël e rrëfyes baritor duke të dhënë idenë se kemi të bëjmë me avaze fyelli, por befas ndërpritet me elegancë nga kthyesi duke e kujtuar që të kthehet motivi ligjërues në këngë. Pra,kthyesi futet në mes të melodisë baritore të fyellit me një e-e-e dhe jo si rrëndom në fund të vargut. Me këtë futje në mes të melodisë kthyesi “jep sinjalin” e kthimit të melodisë në këngë, pra nisjen e këngës.
Menjëherë pas kthimit jehonë futet marrësja Polikseni Mërkuri, e cila shtron jehonën në zanoret e Konovakës (Kono o o o, Konovaka) duke dhënë qysh në fillim një harmoni zërash deri në përkryerje. Gjatësia e valës së shtrirjes është më e gjatë se çdo shtrim tjetër në këngën iso-polifonike, kthyesi ndërhyn përsëri dhe grupi ekzekuton një fjalë të vetme por ne ritëm: “Konovaka”. Pastaj fyelli me tempo ritëm futet në motivin e këngës.
Marrësja Florika Thanasi futet me ekspresivitetin e saj në meledinë valë e dallgë
deti duke aritur qafa e maja me blerim tingujsh “Supe hëna, flokë mëndafshta/Doli, doli Konovaka” dhe ja “dorëzon” dy vargëshin e fundit “Kur limanin morri vasha/U dogj deti, s’dukej flaka” Polikseni Mërkurit, e cila e tjerr në furkën e motivit bazë pilurjot këtë këngë, duke u dhënë një gjatësi vale më të madhe zanoreve.
Tre marrje ecin në mënyrë të njëjtë me befasitë e fjalës dhe gurgullimat e melodisë duke mbritur tek marrja e katërt, ku vetë fyelltari Milto Gjiçali ndryshon motivin duke na dhënë një jehonë të gëzuar dhe tërheq marrësen Florika Thanasi në një thirje kumbuese kreshendo të cilës i bashkangjitet menjëherë kthyesi dhe pastaj grupi duke u futur në mënyrë befasuese dhe duke dhënë katër vargjet e mbritjes së Konovakës në kishë, vezët që përpiqen dhe puthjen e ringjalljes. Aty kënga shtrohet në mënyrën më kumbuese dhe valëzimin e zërit të marrëses e shton dallgëzimi i hedhëses Valentina Gërdhuqi.
Në fund kënga e Konovakës mbyllet me dy vargjet e interpretuar nga këngëtari Agron Kreku: “Në gjoks tënd moj Konovakë/Shkoj një jetë e pak më gjatë”që interpreton si një “zë i ri” apo si një marrës i ri, pavarësisht pranisë së dy marrësave.
E parë në lupën e tradicionalitetit kënga “Konovaka” është një këngë tipike pilurjote, me novacione dhe risi në bashkërendimin e zërave dhe melodisë së fyellit. Si e tillë në Festivalin Folklorik Gjirokastër ka për të dhënë diçka të re në interpretimin melodik të zërrave të këngës, duke dhënë premise të rikthimit të një suksesi jo të vogël të këtij grupi.
Sarandë, më maj 2023
Comments