Kolec Traboini: GJUHADOLI
- Aug 8
- 2 min read

Ese me shkas nga peisazhi i piktores së njohur shkodrane Xheneta Kadillari për të cilën shprehim mirënjohje.
Si fillim fjalët më të mira për Xhenetën, por dhe piktorët shkodranë Agim Kadillari, Skënder Strica e tjerë që nën shëmbullin e të madhit Pjerin Sheldija hedhin në telajo këndpamje të ndryshme të Shkodrës nëpër vite. Art dhe histori para se marrëzia politike ta demolojë edhe këtë qytet.
Peisazhi që shohim "Gjuhadoli" është me këndpamja nga shtëpia e Ndoc Çobës, i vjetri, e blerë në vitit 70 nga Uruçët, projektuar kjo ndërtesë e bukur e denjë për një galeri moderne arti nga gjeniu ynë kombëtar Kol Idromeno.

Majtas në thellësi duket shtëpia "Mazi", ajo që sot po bëhet objekt sherri se duan ta ndërtojnë si një hotel 3 katësh dhe me dy kat nën tokë. E njoh mirë ndërtesën "Mazi" sepse kam jetuar aty më se 5 vjet. Pas 1990 e lanë qëllimisht të demolohet derisa të kthehej në gërmadhë, qëllimi ndërhyrja në një zonë të mbrojtur me ligj e Maliq, i njohur si stili i Saliut dhe Meksit kur shkatërruan Shqipërinë pa u hy ferrë në këmbë. Për Shqipërinë koha e burdullëve Sali - Meksi ishte viti Zero për Shqipërinë. Dhe vetë këta vazhdojnë të qëndrojnë si dy gërmadha- statura në publik pa u hy as ferrë në këmbë. Tash në pushtet është bajlozi i zi, hukubet e për ibret. Zi e ma zi e banë këtë vend.
Dhe prokurorët e SPAK-ut si bufa rrinë e vështrojnë pa parë asgjë sikur koha të ketë ngrirë.
Ngulin sytë në asgjë për të krijuar përshtypjen e rreme se kinse po shohin e po preukupohen për vlerat kombëtare e traditën e as shohin, as dëgjojnë e as bëjnë kurrgjë.
Si bufat ditën se natën galdojnë.
Koha në Shkodrën tonë të strapacueme deri në palcë, në këtë mbretnesh ujnash me kunora malesh mbi krye, rrjedh si lumi i Bunës pa u ndjerë, e tash na duhet një 37 katësh si shtëllungat e leshit të deleve të Marash Maranait dhe jemi në kohë të kryeme. Na duhet veç një shpellë.
Kena nis me u ba milet, kangë e vjetër këndu këtu e dyqind vjet. Vu kanga- hiç na!
Kjo është Shkodra jonë sot. Sot e mot.
Me Çels të ndryshkun katallan e me Leshin mullar e për gazep.
Hiq e mos këput more Hudut!
Prish e ndreq more Meleq!
Përralla në lesh e shndeti prej nesh!








Comments