Kolec P. Traboini: U DASHKA TË DAL NATËN VONË...
- Jan 22
- 2 min read

U DASHKA TË DAL NATËN VONË...
Mbrëmë vonë dola në Bulevardin Dëshmorët
e Kombit, të rënëve - që ky bulevard
të ishte i lirë si vetë Liria.
Por, Liria shpeshherë gjendet ngushtë
si pëllumb i përgjakur, i plagosur
sa ndalon edhe frymëmarrjen e pishave
që i lëshuan halat e tyre të vrara këtë dimër
prej breshërisë së plumbave
mbi trupat e pajetë të demostruesve
me sy të hapur e të ngrirë drejt qiellit
të murrëtyer në atë ditë të egër
pa ditur se pse duhej të vdisnin.
Dëshmorët
emrat e të cilëve mban ky Bulevard
përballë ndërtesës qeveritare
u bënë vend dhe katër të ardhurve
në Panteonin e Kombit
pa ditur dhe ata
pse kishin luftuar e pse kishin rënë
dhe a duhej që kujtimin e tyre ta përgjaknin.
Mbrëmë dola në Bulevardin Dëshmorët
e Kombit - kudo zotëronte errësira dhe frika
policët e fshehur pas kolonave përgjonin
trupin tim si hije e dyshimtë
tek afrohesha pranë luleve e banderolave
si një ushtar pas një beteje të frikshme
ku humbës ishin të gjithë.
U dashka të kemi dhe ne një Vaterlo
u dashka të kemi një Napoleon në çdo kohë
u dashka të kemi dhe kufoma
u dashka të dal natën për të mundur
errësirën që kish pllakosur në gjoksin tim.
U dashka të ndez një qiri amshimi për paqe
në të cilin flakërojnë shpirtat e ikur
me nga një plumb qorr në pabesi.
U dashka, që gryka e automatikut
t`i drejtohet hijes sime të vogël
se përbëka një rrezik për shtetin.
U dashka të dal natën vonë
për të vrarë frikën,
se frika qenka më e rëndë se vdekja.
Më mirë qenka të vritesh!









Të falenderoj për publikimin, i dashur Fatmir. Të uroj shëndet e suksese në krijimtari !