Kolec P. Traboini: KUFOMË E HARRUAR
- Aug 1, 2025
- 2 min read

KUFOMË E HARRUAR
Nga Kolec P. Traboini
Ditën e parë të punës si emigrant
pashë një të vdekur,
më mes te Athinës,
në mes të udhës,
në mes të njerëzve.
Por sekush kish punën e tij
e ikte, veç ikte;
duke harruar se ai kishte vdekur,
duke harruar se ai nuk flinte,
se vetura e goditi me 100 km. në orë
dhe ai vdiq në çast.
Pa thënë as emrin e tij,
pa arritur të kujtojë fytyrat e fëmijëve,
pa i thënë gruas lamtumirë e veja ime,
pa e parë atë që e vrau
dhe as diellin e mëngjesit të 4 nëntorit 1991
që sa ishte nisur të vinte.
Kamionçina e shoferit Jorgo me të cilin udhëtoja
uli shpejtësinë veç një çast,
sa për të hedhur një vështrim tmerri mbi kufomë
e pastaj nxitoi.
Nxitonin të gjithë me makina si të çmendur,
duke ikur prej kufomës,
duke menduar se, sa më larg saj të ishin,
aq më të lehtë do ta kishin tundimin.
Por imazhi është imazh,
ai të ndjek nga pas e në çdo çast
duke përhapur tmerrin në shpirtat e të gjithë
kalimtarëve në bulevardin e madh "Mesogeion" *
e duke riprodhuar vetveten pafundësisht.
Më kot iknin, iknin si të çmendur,
për t'u çliruar nga makthi i vdekjes,
se imazhi fluturonte më shpejt se mendimi
se ajo çfarë shihnin, mbase s'ishte e vërtetë.
Mos vallë athinjoti bënte sikur flinte
në mes të bulevardit të madh,
duke mashtruar tërë Athinën me kufomën e tij,
apo Athina mashtronte vetveten, duke harruar
se në zemrën e saj diçka kishte vdekur?
ADOLESHENCA
Ajo çfarë mësova prej adoleshencës ish
se ne ikim pa dhembje për atë që lëmë pas
e harrojmë - a na bëjnë të harrojmë
se çdo gjë që kemi sot bëhet e djeshme,
për t`u kthyer në nostalgjinë e moskthimit
për mirë, për keq apo për dreq - veç shteti
e dinte.
Nostalgjinë për kohën kur kisha:
një shtëpi me dy porta
një pemë me emrin - fik
ca fruta dhe ca kalimtarë
një qiellnajë me emrin - pëllumba
një njeri me emrin- baba
që vështirë ishte të gjeje një tjetër
një grua me emrin - nënë
një fëmijë me emrin - tim
që prej meje iknin
drejt një vetmie që quhet harrim
sikur të ishim pjellë
e hiçkurrmoskthimit...
Tani gjithçka që kërkoj në kujtesë
më ka humbun,
ka mbet veç një cung pa oborr
me emrin - vetvetja.
---------------------------
Nga libri "U DASHKA TE DAL NATEN VONE" 2012.









Comments