top of page

Kokona pretendent për çmimin kombëtar “One Dance UK”


Kokona pretendent për çmimin kombëtar “One Dance UK”

Tomorr Kokona koreografi dhe producenti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar është nominuar në çmimet kombëtare “One Dance UK”, për lidership në trajnimin artistik.

“One Dance UK” janë aktivitete vjetore që vlerësojnë njerëzit që kanë ndikuar në peisazhin artistik të vallëzimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Kokona mban titullin “Ambasador i Kombit” dhe është themelues i Artistic Business Coaching (ABC).

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kokona me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook” ku shkruan:

“Ndjehem i përulur dhe i nderuar që jam nominuar në “One Dance UK”, në Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me lidership tim në trajnimin artistik

Çmimet “One Dance UK” në Mbretërinë e Bashkuar janë një festë vjetore për njerëzit nga i gjithë sektori i vallëzimit për të bashkuar, festuar, pranuar dhe shpërblyer njerëzit që kanë ndikuar në peizazhin e gjallë të vallëzimit në Mbretërinë e Bashkuar! Të sfidosh punën e mrekullueshme të artistëve të vallëzimit, mësuesve, praktikuesve, arsimtarëve, shkollave, koreografëve, ndërmarrjeve, vendeve, shkencëtarëve dhe shkrimtarëve, kjo është një mbrëmje vezulluese e mbushur me festime, gjithçka për ata që kontribuojnë në sektorin e vallëzimit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, mbyll statusin Kokona.

Tomorr Kokona më herët ka rrëfyer dhe historinë e tij të emigrimit.

“Në fund të gushtit 1991 mbasi kisha dy vjet që punoja si asistent koreograf në Teatrin e Operas dhe Baletit u ftova të isha pjesë e një grupi artistësh që do të shkonin në një turne në Spanjë. Sapo shkela në atë vend u dashurova me njëherë me kulturën dhe njerëzit dhe vendosa të mos kthehesha në Shqipëri. Fillimisht punova si kërcimtar për një kompani të vogël në Murcia (Jug të Spanjës) dhe mbas gjashtë muajsh dhe disa audicionesh sigurova një punë ne Teatrin Kombëtar Spanjoll në Madrid. Gjatë qëndrimit tim tre vjeçar në Spanje punova si kërcimtar, koreograf si dhe mësues baleti.

Në Madrid fitova një konkurs për një vend studimi të kërcimit modern në Laban Centre në Londër ku arrita ne Gusht te vitit 1994.

Kur arrita ne Gatwick flisja vetëm disa fjalë anglisht si: Hello, Good Morning and I love you. Edhe pse isha tashmë 30 vjeç dhe kisha eksperiencë në profesion dhe emigracion, ambjentimi me Londër nuk qe i lehtë. Përveç klimës më duhej të mësoja gjuhën në kohë rekord dhe të gjeja një punë për të paguar mijëra paund për kursin si dhe shpenzimet e jetesës. Këtu shtohej edhe studimi i përditshëm i lëndëve teorike dhe ushtrimeve fizike te baletit.

Në përfundim të kursit dhe pas disa audicionesh te vazhdueshme sigurova kontrata të ndryshme pune në institucione si Opera Kombëtare Angleze apo Southfields Community College ndërkohë qe dhe u mora edhe me aktivitetin e pavarur si koreograf dhe mësues kërcimi modern. Duke pasur një eksperiencë dhe mbi të gjitha besim se ajo që dëshiroja do të realizohej nuk kam ngurruar të bëja çfarë do procesi të profesionit tim. Gjatë këtyre viteve kam kaluar nëpërmjet gati të gjitha nivelet e profesionit tim; si kërcimtar, mësues, aktor, figurant filmash, koreograf, trainer apo producent. Një prej gjërave më interesante si kërcimtar ka qenë gjatë punës ne Operan Kombëtare Angleze ku si gjithë të tjerët mu desh që të futesha ne audicion (konkurs) gati ç’do tre apo katër muaj për të mbajtur vendin e punës. Kjo ishte një eksperiencë po aq e vështire sa edhe e dobishme sepse të bën të jesh këmbëngulës dhe i gatshëm në çdo moment. Londra është një prej qendrave ku grumbullohen shumë artistë që kërkojnë sukses. Prandaj edhe konkurrenca është tepër e lartë.

Emigracioni duhet parë në mënyrë realiste. Me siguri që ne kemi humbur por edhe përfituar në mënyrë të ndërsjellët. Të qënurit në një vend të ri si Britania ka kushtëzimet e veta si rrjeti relativisht i kufizuar i miqve të ngushtë apo domosdoshmëria e të qënurit gjithmonë në kontakt me njerëzit”.

19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page