top of page

Kodet e një narrativi


“Dash shtatëvjeçari pushkatoi arushën”

Kodet e një narrativi

Fatmir Terziu

Ndonjëherë, dhe kjo jo mjaft herë, nuk mund të ndalesh sa për të hequr bulën e djersës nga leximi që të ndez nga brenda. Duhet një rilexim tjetër, që zjarri i brendshëm të djegë të gjitha “larushitë” me të cilat leximi përballet. Kjo, pasi duhet të kuptosh mirë Kanunin, klithmën, armën, burrin, gruan, zakonin, armatën e një gjenerate që udhëhiqet nga “heqja qafe”, mërinë, hasmërinë, inatin, diktatin, kafshën dhe ligjësitë e kafshëve, aradhën e gjërave që të vërdallën, goditjen e fundit, të shkuarën e përhumbjes, siluetën e gjyshërve të rilindur, vështrimin zvarritës, … rrënien në gjak të arushës, por gjithnjë me kujtesën e hershme... Dhe kjo nuk është në “Luginën e pushkatarëve”?! Nuk është në atë luginë, ku ai … Met Ram Sokoli, ushtari i vogël stërvitej me syrin e pushkës…, nuk është, por është në një kënd tjetër, në një luginë tjetër, ku ende gjaku sillet vërdallë, jo më si në një përralllë filmi dhe propagande për të kapur diversantët, por si një narrativ që qëmton dhe qëllon në shenjë këtë fat të dhimbshëm e të frikshëm të kësaj “armate” me protagonist “Dash shtatëvjeçarin”.

Është kjo ndalesë me bulë djerse tek tregimi “Dash shtatëvjeçari pushkatoi arushën” të shkrimtarit Noke Abilekaj. Është aty ku kujtesa e hershme fillon të zhbirrojë venat e ushqimit komod të narrativit. Është aty ku praktika e narracionit dhe e argumentit nuk çon në shpikje, por detyron një koherencë të caktuar të mendimit:

“Kujtesa e të hershmeve u kthye. Jetonte me veten. Mundimshëm, herë me karrigen zvarr, herë me shkop apo duke u mbajtur pas objekteve dilte në verandë. Gjysmështrirë në karrigen lëkundëse, udhëtonte në të shkuarën.

Përtej një jete dhe përtej qindra jetëve.

Thellë shekujve.

Në prehistorinë e ambicjeve të vogla.

Në ditët e eleminimeve makbethiane.

Në mbretërimet me votë popullore.” (Abilekaj, “Dash shtatëvjeçari pushkatoi arushën”)

Dhe këtu duket qartë se Abilekaj, e di mjaft mirë se përdorimi i shpeshtë i heshtjes për probleme të tilla, tradhton një imagjinatë të madhe, atë imagjinatë që duhet për të kuptuar tërë labirinthet ku sillet dhe vërtitet shkrepja e detyruar e armës së shtaëvjeçarit. E ndërsa trutë e kafshës i sheh të spërkatura në këpucët e tij, ky protagonist i vogël i narrativit, sillet jo pa qëllimin më fin të mesazhit që përcjell autori. Ky narrativ, pikërisht për këtë mesazh, strukturë, filozofi, angazhim të gjuhës komunikuese, dialogut të këputur e të shtjelluar në linjën e vet adekuate, është si një dhomë në muret e të cilit janë pikturuar një numër i dritareve të dukshme e të padukshme, që i duhen dritës së errësirës së mendjes së njeriut, ndërsa brenda rrëfimit, kemi shumë zgjedhje të dukshme të daljes dhe hyrjes, por kur Nokja na çon në një dritare të veçantë, e dimë se është e duhura, sepse hapet kjo dritare për mjaft të tjerë: “Ndërkohë, përpara guvës vazhdonte beteja për jetë a vdekje. Duket që kishte sulmuar ulkonja. I ishte cenuar territori i vet.

Dashi e njihte zhvillimin e këtyre betejave. Nga larg e kishte parë por e mbante të regjistruar me hollësi. Ja ç’po ndodhte:

Ulkonja duke ndjerë se po i zaptonin strofkën e vet, do të jetë vërvitur vrullthi dhe do ketë ngulur dhëmbët në vithet e arushës. Arusha do ketë rrotulluar trupin e rëndë dhe me shputën e majtë tokmak, do ketë qëlluar ulkonjën në rrëzë të veshit. Prandaj kumboi ulërima qarëse që çau qiellin.”

Unë mendoj se gjuha e koduar e autorit rreth termit mjaft kuptimplotë në hyrje të tregimit, “lavira” e kafshës dhe e “lavira” e barkut si rezultat e shtratit martesor mes burrit dhe gruas, është ajo që lejon të ndodhë një dhunë e jashtëzakonshme në ekzistencën dhe mbijetesën e cituar. Kur etiketohet një terminologji e tillë, kur përdoret një gjuhë e tillë dhe nuk tentohet për ta shmangur atë, atëherë vetëm rrjedhat të bëjnë të shkosh më tutje, se edhe pse nuk e di dhe nuk e sheh çfarë vazhdon atje, e kupton se ku autori të nxjerr. Dhe aty nuk ka asnjë fytyrë njerëzore që të ndërpresë atë rrëfim, nuk mund të ndalet ai lexim që përcaktohet më pas më qartë: “Jetoi bariun e shpellave. Provoi lartësitë që ofronte karriera në kombin e tij të vockël.”

E gjitha është tek rrjedha e një gjuhe fine, një narrativ që të mbetet në mend. Një narrativ që lexohet …, jo dhe aq shpejt! Kjo sepse është një rrëfenjë e qashtër filozofike, tek ky lexim kryefjalë janë kodet e një narrativi.

49 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page