KOCI I XHA NUROS




(Edhe koc, edhe tul, edhe muskul, edhei fortë, sikurse nuk është më sot)

Tregim nga Fatmir Terziu


Çinari s’ka të gdhirë. Ai s’ka as të ngrysur. Thurr e tjerr në hije të Xhamisë dhe të Kishës yrniqe për mëkatarët e Zotit dhe hirëplotët. Bashkë me kutinë e vjetërruar të xha Nuros modelet shkojnë deri në anën tjetër të Globit. Kutia herë përlaget nga ciflat e pështymës që dredh cigaren, herë nga shatërvani gojëmadh, si qasje sinonime e të gjallëve që e rrethojnë në kohë-pakohësi. Çinari ka shesh të madh, të gjerë, ka lule, ka dhe një gur të madh e të rrëndë, që daton në shkundje të ushkurit të gjatë e në kohë të bluarjes së kacarumit të misrit për të kaluar krizën e urinë e asaj kohe të treguar vetëm nën Çinar. Ky quhet edhe Guri i Çinarit. Bie në sy se lahet përditë e përnatë dhe përsëri atij nuk i vë prapanicën askush. Sjellin fjalët…, fjalën se atë e ka shkulur në atë mjedis vetëm “Koci i xha Nuros”. Dhe emri i gurit dhe koci i më burrit sillen si në kashtisjen e mjedisit që shkelet jo pak herë ditëve dhe deri vonë edhe netëve nga taka të holla e të gjata, nga mini të tërhequra deri në atë vend ku “tubestajfurdha” shkon me gojë dhe pasohet nga një lëng…, që natyrisht i duhet letrës së duhanit. Emri i gurit. Emri i burrit. Të dy sinonimë të kësaj atmosfere që pasohet nën Çinar. Dhe pasohet heshtja. Heshtja, se syri sheh të kundërtën. Burra dhe meshkuj, gra dhe femra, mashkullorë dhe femërorë, që pasojnë gurin dhe Çinarin dhe nuk ia hedhin as më të voglin sy. “Eh, si u prish ky milet?”, trazon pasnajën e një fjale të lëshuar me një “ia q… rrobtë këtyre pisave që na lanë nën Çinar”. Rrudhat dhe vetullat e trasha bëhen palë me një cifël tjetër që ia piskat ana e pasme e Çinarit “të prita deri vonë mbrëmë dhe ti s’e rruajte fare për mua…”. Ndryshe ndodh lart mbi majën më të pakapshme të sheshit, ku vrigëllon nën diell të lehtë shkurti, çallma e bardhë borë dhe zëri që meton në gjuhë të panjohur për ata që kafshojnë gjuhën e dreqit në terr. Ndryshe dhe në skajin tjetër ku varren në kryq shpendë të lodhur gjatë ditës. Në atë pluskim zërramash duket se aty nën Çinar mungon vetëm heshtja. Heshtja, thuhet nën zë e mbi zë është përhumbur qëkur vetë Çinari e la atë në një qoshkë të harresës. Të heshtësh?! Të mos heshtësh?! Aty nën Çinar është edhe pyetje, edhe … pa përgjigje. E kush mund ta zërë në gojë heshtjen? Heshtja është bërë tashmë një fjalë që edhe fjalori më i trashë i Gjuhës Shqipe e ka lënë paksa mënjanë. Heshtja ka dalë si një bijë e fuuqishme në shtratin e pëshpëritjes, fryrjes, thashëthemit, shkatërrimit të jetës së Tjetrit, tymërimit të gjërave dhe … si gjithnjë heshtja nën Çinar është e zgjuar dhe sheh edhe matanë, pra atje larg… ku ndodh koronavirus, hyn poshtë tantelave alla-franga dhe deri në tanga të holla si cigaret që dridhen nën mustaqe të zverdhura. Çinarasit prej vitesh e kanë bërë lojë të ditës këtë qasje. Thuajse rutinë. Nuk kthehen më në kohërat kur loja e filxhanëve kërkonte unazën e fshehur e paskësaj dilte humbësi dhe fituesi. Nuk shkohet më në atë kohë, në atë lojë, kur ia nxinin faqen humbësit me katranin e drurëve që digjte dimri në oxhakët e mëdhenj. Tani oxhakët janë mëkat, mëkat shumë i madh. Edhe oxhakët ia kanë zënë vendin heshtjes. Heshtin rrëzat e grykat e tyre, se thuhet me zë të fuqishëm aty nën Çinar “e ku ka më si Koci i xha Nuros?!” Kur ishte Koci i xha Nuros… Eh kur ishte ai, gurët këndonin, drurët e lisave të mëdhenj bëheshin korr e ison e përcillte hapësira e madhe e kaltër e ndarë në dy dete deri atje mënjanë. Eh, ishte Koci i xha Nuros… ishte, që ishte. Akustika e këtyre fjalëve dhe atyere që u besohet se ka ardhur si dhuratë e shekujve ende duket si një palimpsest që bardhëplisët e kanë bekuar denbabaden për zot, sikur e kishin pas menduar se ai pra, Koci i xha Nuros ia kishte këputur kokën gjarpërit që sillej e bënte kërdinë heshtazi në mjedisjen e Çinarit. Tani aty nën Çinar shohin si rrëshqasin hijet me maska dhe vrasin trupat në dietë, se lajmi ka shpërndarë lajmin dhe aty nën Çinar edhe kur nata bëhet imitim pusi “kujdes, kujdes po vjen Koronavirusi…” Dhe aty nën Çinar qëkur ndodhi të heshtet për Kocin e xha Nuros, dëgjohet vetëm zërri i të huajit. I huaji është edhe s’është aty, por ai mbetet një me atë që zë dita e ngrys nata. I huaji nuk mund të sjellë tjetër gjë, ndryshe nga habia ai ngre sytë dhe ul sytë, tund kokën dhe shkund kokën, ore këtu a ka shenja frike? Këta njerëz, o e besojnë shumë Zotin, ose nuk dinë se ekziston Zoti. Dhe i huaji si i huaj shukatet mes tërësisë që pason dhe përmbledh gjësendet nën Çinar. Këtë herë fundja e ka një emër. Herët e tjera, aty nën Çinar duhej të ziheshin me javë e me muaj, deri sa ti vendosnin një emër. Nuk mund ta linin një të huaj pa emër fare. “Thuaj shyqyr, që ky … i huaji e paska zanafillën larg, thuaj shyqyr…” “Si the, a fole…?” “Ah, ju paskan lënë veshët juve…, ai ka kaluar Tiranën, Prishtinën, Shkupin dhe …” “Vaftë në të s’ëmës… ah sikur ta kishim Kocin e xha Nuros, pa ia tregonim ne…” Dhe Çinari si Çinar tund e shkund vetveten deri në rrënjë e damarë, duke shtuar me pazëshmërinë e tij të zhurmshme, eh, sa të huaj kam parë… qëkur ai Koci i xha Nuros ishte gjallë. Nën Çinar tashmë gjumi është vetëm për zogjtë. Të Tjerët janë në hall … gërhasin me sytë hapur. Kështu kanë gërhitur tërë shekujt nën këtë Rrap.

(Shkruar në të dalë të Shkurtit, në pasnajë të Çinarit të huaj)


#kociixhanuros #terziu #tregim

47 views8 comments

Shkrimet e fundit