top of page

Fran GjOKA: Portret për NDUE SANAJ

ree

 

 


 

  Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, të komunitetit dhe të vërtetës. 

Portret për NDUE SANAJ, ushtarak i lartë, drejtues, publicist dhe studiues

 

Të shkruash për njerëzit që e meritojnë, është respekt dhe mirënjohjeje".

 V.Hygoi

 

 

      Të flasësh sot për ushtarakët flokëthinjur nga pesha e rëndë e viteve, nuk është e lehtë. Ata janë modest, flasin pak për veten e tyre, teksa kanë  shumë ndjenjë, krenari dhe dashuri për vendin. Kjo armate e madhe ushtarakëve  punuan e sakrifikuan shumë për mbrojtjen e atdheut, duke qenë përherë të përkushtuar, ndaj detyrave dhe atdheut, sakrifikuan për misionin e tyre të lartë të mbrojtjes dhe bënë të pamundurën për t`i realizuar detyrat që u ngarkoheshin. I tillë është koloneli i suksesshëm në pension Ndue Dodë Sanaj, i cili ka krijuar portretin e tij të plotë me vepra dhe punë plot vetëmohim në shërbim të atdheut. Ai është biri i Gjurajve të Pultit, është një prej atyre burrave të rrallë, që u rrit ndër male me frymë të lartë, me fjalë të pakta, por me vepra të mëdha. Ai lindi më 1 shtator 1943, në zemrën e Gjurajve të hershme, në një kohë të vështirë, por u rrit në një mjedis ku trashëgohen në breza ndershmëria, besa dhe burrëria e malësorit, vlera të cilat e shoqëruan atë në çdo detyrë, në çdo vend pune, në çdo faqe historisë së tij si bir i vendit të shqiponjave.

 

 

                                                   Rrugëtimi i tij nisi mes maleve

 

          Fëmijëria e tij është  e shtrirë mes Gjurajve e Shënkollit. Pas shkollës 7-vjeçare (1951–1958), ai iu nis një rruge që kërkonte përkushtim dhe vendosmëri: u regjistrua dhe vijoi suksesshëm shkollën ushtarake “Skënderbe” në Tiranë. Ishte vetëm 15 vjeç kur veshi uniformën për herë të parë, por serioziteti dhe qëndrimi i tij i burrëruar do ta bënin të dallohej që në klasat e para.  Nga viti 1958 deri në vitin 1962, ai hodhi themelet e asaj karriere të gjatë që do të ndriçonte për 45 vite me radhë. Pas “Skënderbeut” Ndue Sanaj vijoi shkollën e Bashkuar të Oficerëve, në profilin e gjitharmëshit (1962–1964), sikurse dhe kursin tremujor të zbulimit (1967), Akademia e Shtabit të Përgjithshëm (1968–1970), ku përgatiten strategët e ushtrisë. Së fundmi, pas viteve ’90, kreu specializimet në Turqi (2000), që dëshmojnë se një ushtarak i vërtetë nuk pushon kurrë së mësuari. Formimi i tij nuk qe thjesht profesional: ai mori disiplinën, vëmendjen, gjakftohtësinë dhe përgjegjësinë, katër shtyllat e një oficeri drejtues. Kam rastisur të bisedoj me njerëz të profesioneve të ndryshme për Nduen, i cili mban një miqësi të gjerë  shoqërore nga te gjitha trevat. Të gjithë ata që flasin për Nduen   e përshkruajnë atë një malësor të vërtetë dhe krenar, që gjithë jetën ka rrezatuar vetëm mirësi dhe frymë atdhedashurie. Për 50-vjet që ishte drejtues në ushtri, Ndueja kurrë nuk e lëkundi karakterin e tij dhe asnjëherë nuk u tundua nga përfitimet e padrejta materiale apo të famës, shoqërore, asnjëherë nuk diti të diferenconte njerëzit sipas shoqërisë e miqësisë, por është dhe mbetet gjithnjë pranë tyre, me pasionin dhe nivelin e lartë profesional, qytetar e intelektual.

 

45 vite në shërbim të atdheut, nga nëntoger në kolonel

 

    

ree

    Karriera e kolonelit Ndue Sanaj është një kapitull i gjatë i historisë së ushtrisë sonë. Ai ka shërbyer në afro çdo cep të vendit: në Krujë, Yrshek, Bushat, Pukë, Kelmend, Has, Kukës, Shkodër… Ai ka mbajtur disa nga detyrat më kyçe të strukturave ushtarake: Komandant kompanie zbulimi, këmbësorie e sulmuese (1964–1968); komandant batalioni (1970–1975; 1994–1995); komandant Brigade këmbësorie (1979–1982); komandant i FVVP Shkodër (1992). Në këto detyra Ndue Sanaj u njoh si një komandant i drejtë, i prerë kur duhej, por gjithmonë njerëzor, një cilësi që në ushtri nuk jepet me gradë, por fitohet me respekt.

Në shtab, ai mbajti detyra strategjike: Shef operativ brigade; shef shtabi brigade; shef shtabi në FVVP Kukës; shef i degës operative të Divizionit; shef shtabi Divizioni (detyra më e lartë e karrierës së tij ushtarake). Kjo ngjitje e pandërprerë, e shtrirë për gati gjysmë shekulli, flet për një njeri që nuk komandoi vetëm trupa, por gëzoi besimin e shumë komandantëve e strukturave të të gjitha niveleve. Gradat e tij janë një lloj harte e historisë së tij: të gjitha të merituara, të gjitha të ndërtuara gur mbi gur. Kjo karriere e gjate ngjitjeje nga toger ne kolonel, tregon se Ndie Sanaj është një burrë qe nuk e nisi dhe as e përfundoi karrierën me buje e reklama, ua la te tjerëve te gjykonin për shërbimin perfekt qe beri ne shërbim te mbrojtjes dhe shume shpejt, u shndërrua një nder figurat publike dhe admiruese jo vetëm për Shkodrën dhe fshatrat përreth por për tere veriun e Shqipërisë. Sa punoi e drejtoi ne ushtri, trashëgoi e përcolli te brezat e ri ushtarak, mesazhin e një kulture te ngritur dhe profesionalizmi te spikatur. Këtë e pati gjithnjë filozofi jete te tjetërsueshme, ndaj dhe vlerësimi ne ushtri ishte maksimal. Ai thotë gjithmonë me bindje: "Po te ishte e mundur te bëhesha dhe një here i ri, veç për ushtrinë do te dëshiroja te punoja e te kontribuoja me shume dëshirë e pa asnjë hezitim". 

 

                                   Dekorata dhe tituj që shënojnë vlera dhe mbartin histori

 

        Nuk ka dekoratë që jepet rastësisht. E aq më pak në ushtri. Kolonel Ndue Sanaj është vlerësuar me: Medaljen “Ylli i Kuq” (1968); Medaljen “Shërbimi Ushtarak” (1974); Urdhrin “Ylli i Kuq”, klasa III (1978); Urdhrin “Shërbimi Ushtarak”, klasa III (1985); Pas viteve të tranzicionit, shoqëria civile dhe komunitetet e trevës së tij nuk mbetën pas: “Qytetar Nderi” i Pultit (2013); “Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve të Republikës së Shqipërisë” (2013); “Mirënjohja e Qytetit Shkodër” (2013); “Faleminderit Kryetar!”, Shoqata Atdhetare, Dukagjini (2013); “Qytetar Nderi” i Rrethinave (2015). Secili prej këtyre vlerësimeve është një roman më vete. Janë mirënjohje për një jetë të tërë shërbimi. Ndërsa shkruaj këto radhë për këtë njeri kaq të suksesshëm në punën drejtuese në ushtri, me vjen keq për harresën e Këshillit Bashkiak te Shkodrës për dhënien e titullit: "Mjeshtër i Madh i Punës". Për njerëz të tillë, të ditur, të emancipuar, tolerant dhe kurdoherë në shërbim të atdheut ka shume nevojë shoqëria shqiptare.

 

                                   Nismëtar dhe kryetar i shoqatës atdhetare “Dukagjini”

 

       Për Ndue Sanajn, shërbimi nuk mbaroi me heqjen e uniformës. Përkundrazi, filloi një kapitull tjetër, ai i shërbimit qytetar e atdhetar. Më 13 maj 2003, së bashku me një grup personalitetesh të trevës, ai themeloi Shoqatën Atdhetare “Dukagjini”. Që prej asaj dite e deri sot ai është kryetari i saj i padiskutueshëm, një figurë që i dha zë kujtesës së Malësisë, historisë, traditës dhe dinjitetit të Dukagjinit. Po ashtu, prej dhjetorit 2003 ai drejton gazetën “Dukagjini”. Nëpër faqet e asaj gazete, për gati dy dekada, ai ka ruajtur një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor e historik të veriut. Me qindra artikuj, shkrime, studime dhe refleksione kanë kaluar nëpër duart e tij, duke u bërë pjesë e një arkivi të vyer për brezat që vijnë. Krahas përballimit te jetës ditore Ndue Sanaj nuk pushon se shkruari.

 

                                                  Studiues dhe atdhetar

 

       Në heshtjen e librave të tij, që nuk janë të zhurmshëm, por të thellë, qëndron një tjetër dimension i personalitetit të tij: ai i studiuesit. Ai ka botuar gjashtë libra të rëndësishëm: Dukagjini, Shqipëria ime aty (2014, 2020, 2023); Gjurajt (2016, bashkë me Arben Gjuraj & Vat Gjoni); Historiku i familjes Sanaj (2018); Kujtimet e një ushtaraku (2019); Ndërkohë ka tre vepra të tjera në proces, dëshmia më e qartë se mendja e tij kërkuese nuk njeh pension. Vepra e tij, e mbështetur në burime, kujtime dhe kërkim të lodhshëm, është sot një shtyllë e dokumentuar e historisë lokale dhe familjare të trevës së Dukagjinit. Një jete te tere ne ushtri dhe krijimtari është mbushur sot me shume synime e vlerësime te merituara.

 

                                                     Burrë dhe prind ideal

 

       Shumë para se të ishte kolonel, studiues, publicist apo drejtues, Ndue Sanaj ishte dhe mbetet një familjar. Që prej vitit 1971, ai dhe bashkëshortja e tij, Veneranda (Vera), ndërtuan një familje të shëndetshme, ku rritën tre vajza: Enkelejdën, Edmiren dhe Enveidën. Kjo është ndoshta pjesa më e bukur e portretit të tij: një burrë i ashpër në profesion, por një baba i qetë e i urtë në shtëpi. Nduja mbetet një burrë ideal, një prind qe u gëzohet fëmijëve te tij, kulturës dhe dijeve te tyre, një gjysh ku reflekton përkujdesje, dhe dashuri atërore për nipërit e mbesat qe i quan "ëmbëlsira e shpirtit".

 

                                                Njeri i punës, i fjalës i veprës

 

       Nëse do ta përmblidhnim jetën e Ndue Sanajt me një fjali të vetme, ajo do të ishte: -Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, të komunitetit dhe të vërtetës. Ai është shembulli i një oficeri që nuk e mbajti uniformën vetëm në trup, por edhe në shpirt. I një shqiptari që nuk e harroi kurrë prej nga vinte dhe as për kë duhej të punonte. I një njeriu që la gjurmë jo vetëm në fletët e dokumenteve të ushtrisë, por edhe në mendjet e njerëzve, në historinë e Dukagjinit, në kujtesën e Shkodrës dhe në zemrat e atyre që e njohën nga afër. Ai është kolonel, por mbi të gjitha është Njeriu Ndue Sanaj, burri i punës, i fjalës dhe i veprës. Kolonelit Ndue Sanaj i uroj me zemër jete te gjate, këtij njeriu te thjeshte, te heshtur qe nuk ka njohur egoizmin dhe egocentrizmin, kësaj blete qe ka mbledhur për vite te tera nektarin e jetës për te na sjelle ne librat e tij mjaltin e shpirtit. Tani nuk me mbetet gjë tjetër veç te shpreh dëshirën qe Ndue Sanaj te ketë edhe me shume vite jete, qe te na lere sa me shume vlera te çmuara me krijimet e veta brilante. Kuptohet, qe brenda një shkrimi te tille, është e vështirë te sjellësh para lexuesve figurën e gjere dhe te gjithanshme te një intelektuali, shkrimtari, gazetari dhe te një ushtaraku te talentuar si Ndue Sanaj. Sot i urojme pleqëri te mbare dhe i nderuar e krenar për vlerat e tij qe kane qene dhe janë e do te jene udhërrëfyese për brezat e ardhshëm ushtarakë.

ree

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page