top of page

Laureta Roshi: Zgjedhja e Avokatit të Popullit

ree

Zgjedhja e Avokatit të Popullit – Ndryshimet e papritura në procedurë shkaktojnë debat mbi transparencën dhe standardet e procesit

nga Laureta Roshi



Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, një prej institucioneve kyçe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duhej të ishte një shfaqje e qartë e transparencës dhe meritokracisë. Në vend të kësaj, ai u shndërrua në një shembull të ndërhyrjeve të papritura, standardeve të lëvizshme dhe ndikimeve politike që e zhbëjnë logjikën e garës së ndershme.

Në seancën e parë të Komisionit të Ligjeve, u deklarua se të 26 kandidaturat plotësonin kriteret kushtetuese, por u vendos një kufizim i ri: çdo kandidat duhet të siguronte 28 firma të deputetëve, dhe secili deputet mund të nënshkruante vetëm një herë. Matematikisht, ky rregull e ngushtonte garën në vetëm dy kandidatura të mundshme. Në këtë pikë, ishte e qartë se procesi po udhëhiqej jo nga barazia, por nga kufizimet politike.



Megjithatë, ndryshimi kryesor ndodhi më 2 dhjetor, një orë para mbylljes së afatit. Në një deklaratë publike, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi se PS nuk do të propozonte kandidat, por do të mbështeste një nga emrat e opozitës. Dhe mbi të gjitha, ai theksoi se ligji nuk ndalon një deputet të firmosë për më shumë se një kandidat. Ky interpretim i ri rrëzoi menjëherë standardin e vendosur më herët nga Komisioni i Ligjeve dhe ndryshoi rrjedhën e listave mbështetëse.



Për pasojë, deputetët nënshkruan për disa kandidatë njëkohësisht, duke krijuar lista të shumëfishta dhe duke e kthyer procesin në një lojë aritmetike, ku fitonin ata që patën “fat” të mblidhnin firma të shumëfishta, dhe jo domosdoshmërisht ata që u vlerësuan në dëgjesën publike.

Dhe këtu qëndron problemi kryesor: dëgjesa publike nuk pati asnjë vlerë reale. Ajo u transmetua live, kavëzuar si pjesë e një procesi transparent, por në fakt nuk ndikoi aspak në vendimmarrje. Standardet e lojës ndryshuan pas saj, një praktikë që e rrënon besimin e publikut dhe të vetë kandidatëve.

Në një garë për një institucion që kërkon integritet, pavarësi dhe apoliticitet, është e çuditshme si këto parime u shkelën me të njëjtën lehtësi me të cilën ndryshuan rregullat në mes të procesit. Avokati i Popullit duhet të jetë zëri i qytetarit, jo produkt i kalkulimeve politike.


Për tre vite me radhë, vakanca e këtij institucioni është kthyer në një simbol të ngërçit politik, të mungesës së vullnetit për të vendosur një figurë të paanshme dhe të respektuar. Dhe pavarësisht se 26 kandidatë, përfshirë edhe mua, u përballën me një dëgjesë publike dhe respektuan çdo procedurë të kërkuar, në fund vendosi një rregull i ri, i shpallur në minutën e fundit dhe i kundërt me standardin fillestar.

Moralisht, askush nuk mund të pretendojë apoliticitet vetëm me një dorëheqje formale nga një post apo funksion. Apoliticiteti është gjendje mendore, intelektuale dhe profesionale, jo një dokument.

Në këtë proces, humbësi nuk janë vetëm kandidatët. Humbësi është institucioni i Avokatit të Popullit dhe vetë besimi i publikut tek drejtësia institucionale. Asnjë demokraci nuk qëndron dot mbi standarde që ndryshohen sipas situatës dhe interesave të momentit.

Nëse duam që Avokati i Popullit të jetë realisht mbrojtësi i të drejtave të qytetarëve, atëherë procesi duhet të nisë me respektin për rregullat, dhe mbi të gjitha, për dinjitetin e qytetarit që ky institucion duhet të mbrojë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page