top of page

Kel Marku i duartrokitur jashtë vendit i heshtur në Atdhe


Kel Marku i duartrokitur jashtë vendit i heshtur në Atdhe

Prof Dr Fatmir Terziu


Në rrugët e Elbasanit, sidomos në ato rrugë ku pesha e viteve mban në zjarrmin e saj angushtinë e stinëve, hapat e Kelit, që sikurse e njohin, Elbasani dhe shokët e tij, Klement Markut, janë meditim dhe muzikalitet më vete. I thjeshtë, i qetë, por gjithnjë në botën e tij të artit, Keli është dhe mbetet një nga figurat më në zë të intelektualizmit elbasanas, tipik dhe mjaft i respektueshëm. Në jo pak raste këtë artist që vjen nga dinastia „Marku“ e qytetit të Elbasanit, atë e njohin thjesht se Klement Marku është këngëtar dhe autor këngësh i njohur., ndërsa ai është një vlerë në të gjitha bisedat, në të gjitha mendimet që përcjell me qetësinë dhe butësinë e komunikimit.

Kohë më parë në një bisedë me të ai na tregoi atë që tashmë një pjesë e mirë e publikut anembanë vendit e njeh mjaft mirë: „Në një Festival që u bë në Elbasan kur isha në shkollën e mesme unë paraqita një kompozim, i thjeshtë. Në atë komision ishte Ferdinand Deda, Alfons Balliçi, stafi drejtues i Festivalit të këngës në Elbasan dhe ky kompozim i imi u aprovua. Kështu fitova besimin se unë mund ti futem rrugës së krijimit, kompozimit. Ishte sadisfaksion i parë. Pra kjo tregoi se kisha predispozicion dhe kjo më krijoi bindjen se mund të konkurroja në Akademinë e Arteve (Atëherë Konservator).“

Kështu vitet pasuan dhe ai u bë student i Tonin Harapit, që sikurse na tregon „Tonin Harapi më ndihmoi shumë.“ Kjo ishte një shkëndijë dhe një yshtje, ishte një zjarr që e shtyu më tej. „M'u rritën dëshira për të krijuar dhe më shumë dhe në disa komunikime me artdashësit, mendova të krijoj një valle simfonike.“

Kështu në krijimtarinë artistike, vallja simfonike hapi një dritare më shumë në udhën e bukur të artit të kelit. Ndaj vetë Keli shprehet duke sqaruar se „Kjo erdhi natyrshëm, pasi vallja simfonike ishte pjesë e dëshirave dhe ambicieve të mia dhe kjo për vetë faktin se isha i dhënë pas folklorit, gjurmëve të valleve dhe këngëve popullore dhe kjo ishte me tema të folklorit tabanas, por të trajtuara në parimin, aspektin simfonik. Kjo valle simfonike u krijua dhe u vu në skenë në vitin 1977. E vuri në skenë dirigjenti Alqi Lepuri me orkestrën e Konservatorit.“

Klement Marku mbaroi Akademinë në viti 1978, atë vit që realizoi vallen simfonike dhe atë e caktuan në Elbasan. U emërua në shkollën e muzikës në Elbasan dhe më pas pedagog në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për muzikën.

Keli sqaron „Këtu në qytetin tim e kam vazhduar aktivitetin tim pedagogjik, deri në vitin 1997, pasi në ato vite të vështira shkova emigrant në Greqi. Dihet arsyeja e atyre viteve të vështira. Ishte një luftë e pakuptimtë, por unë aty punova si muzikant ku gjeta hapësira. Unë kam krijuar gjithmonë dhe jam munduar të jem pjesë e tyre. Por unë nuk i përkas shumë zhanrit të muzikës së lehtë dhe pse kam dhe krijime të tilla. P.sh unë kam marrë pjesë në Festivalin e këngës së muzikës së lehtë në vitin 1980, me këngën “Brezaret” e kënduar nga një këngëtare nga Tropoja. Ishte një këngë komunikuese. Më vonë kam pas edhe disa bashkëpunime me këtë Festival të RTSH.“ Në Dhjetor 1992, Klement Marku merr pjesë në Festivali i 31-të në RTSH me këngën "Elegjia Ime".

Duhet të sqarojmë se Keli është kompozitor për „Një natë nëntori“ (1979) dhe „Kronikë e atyre netëve“ (1986). Kështu kompozitori i njohur Klement Marku ka spikatur me veprën e tij në krijimtarinë muzikore. Edhe këto ditë në skenën e teatrit muzika e krijuar prej tij shoqëron një pjesë shqiptare në skenë. Kompozitori Marku sjell në vëmendje punën që është bërë për këtë premierë dhe muzikën. Por sipas tij nuk janë të pakta dhe problemet në krijimtarinë muzikore. Sipas kompozitorit ka ardhur koha që Ministria e Kulturës të mendojë për një strategji kombëtare në muzikë dhe të organizojë një takim kombëtar për krijuesit shqiptarë, për të promovuar vlerat e tyre. Sipas kompozitorit është fatkeqësi që sot nuk rendet pas veprave shqiptare dhe autorët shqiptarë janë në një kozmos, që nuk i dëgjon askush. Me aktivitetin e tij krijues kompozitori Klement Marku ka spikatur në zhanre të ndryshme të muzikës dhe së fundi pohon se ka një tjetër projekt me muzikën simfonike.

Klementi Marku është duartrokitur edhe jashtë shtetit. Duhet thënë se në Greqi për gati tetë vite me radhë, ai krijoi aktivitetin e vetë si krijues, si një shqiptar i larguar nga vendi i tij. Sipas Markut „Duke ruajtur tiparet krijuese në këtë këndvështrim them se kemi arritur të futemi në tiparet e artit helenik grek. Gjatë këtij harku kohor jam autor i dy CD, njëra është “Zapeta koncert”. Album muzikor i këndvështruar nga unë mbi krijimtarinë e një autori siç është Jorgo Zapeta. Ai spikat si një figurë popullore, një nga autorët që ka ushqyer kulturën popullore greke më këngët e tij, që janë shumë të njohura. Por që isha unë me fat që mora të trajtoj muzikën e tij, dhe e bëra këtë në trajtimin e muzikës së dhomës. Bëra një largim nga kënga dhe u futa në muzikën e dhomës, ku janë shitur mbi 20 mijë kopje të albumit në Greqi. Tjetra është marrëdhënia me një nga interpretët më të njohur të muzikës greke në Greqi, që më bëri ofertën për ta vënë buzukun si një instrument të barazvlefshëm me instrumentët korifenj që ka muzika si violina, piano, etj. Duke trajtuar faqe të muzikës greke, meloditë më të lavdishme në dialogun mes instrumentit të buzukut dhe orkestrës simfonike. Këtë e kam realizuar me orkestrën e radios në RTSH dhe titullohej albumi “Allatote alasimera”. Unë si krijues kam fituar nga koncepti krijues grek. Fitova një eksperiencë të re.“

Kështu vazhduesi i udhës së bukur sinfonike të Tonin Harapit, Çesk Zadesë dhe Nikolla Zoraqit, edhe pse që nga koha e diplomimit ka bërë vend në këtë udhë, është duartrokitur dhe shitur me mijëra herë më shumë se në Shqipëri, në vendin e tij heshtet për të, ose pëshpëritet në ndonjë intervistë, aq sa për të thënë se ka qenë dikur dhe ende është në frymë një artist, një krijues, një vlerë mbarëkombëtare, por vetëm kaq, se askush nuk e ka më shumë zërin për të thënë se ai meriton shumë e më shumë.

Vetë keli shton se duhet të rendet pas veprave shqiptare. „Duhet të rendet nga krijimtaria shqiptare. Të rendet më shumë nga veprat shqiptare, të rendet më shumë nga drama shqipe, etj, të rendet nga krijimtaria e kombit tonë që ti themi të gjithëve në botë çfarë na rrethon, që ne kemi autorë. Jeta e kombit pasqyrohet nga autorët shqiptarë me veprat e tyre jo vetëm në muzikë. Kjo është një situatë e dhimbshme. Ne na vlerëson bota me artin tonë dhe nuk gjejmë vlerësim nga politikat tona. Neve na ka mbytur utilitarizimi dhe pragmatizmi.“

Muzika e Kelit në Teatrin „Skampa“ ende është një timbër më vete. Ajo mori udhë që në vitin 1987 me muzikën me regjisor Spiro Dunin, sepse sikurse Keli thotë „unë i përkas komunitetit artistik të Elbasanit.“ Ishte një dhjetëvjeçar me një bum artistik të madh me ardhjen e Spiros, me prezencën e Fatbardh Markut si skenograf. Influenca e tyre shtoi dozën e dashurisë për teatrin. Jo më kot regjisorë të mëdhenj të botës evropiane thonë: nëse do të njihesh me nivelet e një qytetërimi në radhë të parë do të shikosh teatrin.

Dhe ne do të shtonim atë që ai e thekson me të madhe „Për një krijues është një kënaqësi e madhe të jetë pranë teatrit. Këtu muzika konkretizohet në përmbajtje, dhe kjo është fatmirësi për krijuesin, sepse nuk ngelet anonim në gjuhën e tij muzikore, por konkretizohet në përmbajtje. Muzikanti fiton mjete shprehëse më të spikatura dhe të para afër vetes dhe teatrit.“ Ndaj ndërsa hapat e tij shkëmbejnë mendime me tokën e bukur elbasanase në ecjen e tij të qetë e të butë, natyrshëm filozofia e vetë jetës dhe përkushtimit, krijimtarisë dhe elokuencës e bënë atë një Mjeshtër të respektuar, një Nder për qytetin që e lindi dhe e rriti, për tërë ata që e kanë në mendje e në zemër, për të gjithë artin dhe artistët.

344 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page