BUJAR QESJA: Kristaq Prifti 75 vite dinjitet, qytetari dhe miqësi të pastra
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 14 hours ago
- 5 min read

Kristaq Prifti, biri i Durrësit, festoi 75-vjetorin e lindjes në një mënyrë të thjeshtë, por jashtëzakonisht domethënëse. Ftoi miqtë, shokët e jetës, me njerëzit që e kanë njohur nga afër dhe që e vlerësojnë për atë që ka qenë dhe mbetet, para së gjithash, njeri.
Në atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe shpirtërisht të pasur, Kristaq Prifti ftoi 21 miq e shokë në lokalin “Dilo”, pranë bregdetit të Currilave. Ishte një drekë festive, por mbi të gjitha ishte një takim zemrash, kujtimesh dhe respekti të ndërsjellë. Deti përballë, drita e diellit, fjala e lirë dhe emocionet e sinqerta, krijuan një tablo qytetare, që sot rrallë e gjen në përmasa të tilla.
Atmosfera u bë edhe më e veçantë nga fakti, se pothuajse të gjithë të pranishmit morën fjalën, duke ndarë kujtime, vlerësime dhe përshëndetje për mikun e tyre. Fjala e parë u mbajt nga Besim Shahini, i cili theksoi qytetarinë dhe korrektësinë e Kristaq Priftit në çdo marrëdhënie njerëzore. Më pas folën Tomor Çaushi, Hajdar Domi, Besnik Rexha, Natasha Paço, Bedin Bedini, Vasil Mema, Enver Isufi, Xhemali Dume, Mustafa Beu, Nezir Koni, Selam Hodo, Halil Ahmeti, Bastri Hoxha, Mimoza Zaka, Bahri Bakiu dhe Isuf Shehu.
Secila fjalë kishte peshën e vet, sepse vinte nga njerëz me përvojë jetësore, nga personalitete që kanë mbajtur detyra të rëndësishme shtetërore, shoqërore e ushtarake. Shumë prej tyre janë sot mbi 80 vjeç, emra me vlerë shoqërore dhe autoritet moral, të cilët koha jo vetëm nuk i ka zbehur, por ua ka shtuar respektin dhe mirënjohjen.
Në të gjitha fjalët u përsërit një mendim i përbashkët:
Kristaq Prifti, pavarësisht funksioneve dhe detyrave që ka ushtruar, nuk e humbi kurrë miqësinë, thjeshtësinë dhe sinqeritetin. Ai nuk u nda nga shoqëria, nuk u ngrit mbi njerëzit, por qëndroi mes tyre, me sjellje qytetare dhe me një etikë që sot konsiderohet shembullore.
Një moment i veçantë dhe mjaft emocionues ishte dedikimi në formë pllakati që i bëri Natasha Paço, vetë një figurë e spikatur e qytetarisë durrsake, e cila ka kryer me sukses shumë detyra shtetërore. Ky gjest simbolik ishte shenjë mirënjohjeje për Kristaq Priftin, për rrugëtimin e tij njerëzor dhe profesional, por edhe për ndihmesën e tij në jetën shoqërore të qytetit.
Kristaq Prifti është inxhinier mekanik nga formimi profesional. Gjatë jetës së tij ka mbajtur detyra të ndryshme në sistemin e djeshëm, duke treguar korrektësi, përgjegjshmëri dhe ndershmëri. Ka dëshmuar gjithmonë se detyrat kalojnë, por njeriu mbetet. Pas viteve ’90-të, si shumë bashkëqytetarë të tij, u përshtat me realitetin e ri. Punoi në Hekurudhë, në Flotën Tregtare, emigroi për një periudhë në Greqi dhe më pas u rikthye në Durrës, ku ngriti një veprimtari private, duke u bërë pjesë aktive e jetës ekonomike të qytetit.
Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së tij është edhe angazhimi në Organizatën Antifashiste të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Kristaq Prifti dallohet për përpjekjet serioze dhe të vazhdueshme për shtimin e radhëve të saj, për afrimin e brezave të rinj dhe për ruajtjen e traditave patriotike, që janë themel i kujtesës historike të popullit shqiptar. Ky angazhim tregon qartë, se ai nuk e ka parë historinë si relike, por si vlerë që duhet trashëguar dhe jetuar.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Kristaq Prifti falënderoi me përulësi dhe emocion të gjithë miqtë, shokët dhe shoqet për praninë dhe fjalët e mira, duke u uruar jetë të gjatë, shëndet dhe lumturi në familjet e tyre. Ishte një falënderim i thjeshtë, por plot ndjenjë, ashtu si vetë personaliteti i tij.
Ky 75-së vjetor nuk ishte thjesht një datëlindje. Ishte një manifestim qytetarie, një dëshmi se Durrësi ka ende njerëz, që dinë të nderojnë miqësinë, të ruajnë vlerat dhe të jetojnë me dinjitet. Kristaq Prifti mbetet një shembull i qartë se madhështia e njeriut nuk matet me postet që ka mbajtur, por me respektin që fiton në zemrat e të tjerëve.
Në fund, kjo drekë festive pranë detit, ishte një homazh i heshtur për një jetë të jetuar ndershëm, për një qytetar që ka ditur të mbetet vetvetja në çdo kohë. Dhe ky është ndoshta vlerësimi më i madh, që mund t’i bëhet një njeriu në moshën 75-së vjeçare.
Bujar Qesja
Durrës: 10 janar 2026
________
Me rastin e 75-vjetorit të lindjes së Kristaq Priftit
Nga BUJAR QESJA

I dashur shok!I dashur mik!I dashur vëlla!
U rritëm bashkë. U njohëm në moshën, kur shokët bëhen për jetë. Ndamë rrugë, por kurrë zemrën. Koha kaloi, vitet u grumbulluan, por miqësia mbeti. E qetë, e fortë, e vërtetë. Ndërtuam ëndrrat e para në të njëjtat rrugë dhe me të njëjtën pafajësi. Mbetëm shokët e fëmijërisë, ata që koha nuk i fshin, por i bën më të fortë.
Durrësi është vendi që të formoi. Qyteti i detit dhe i punës, i kripës, i diellit dhe i stuhive, ku mësove se njeriu vlen për atë që bën dhe për mënyrën si e bën. Këtu mësove të mos flasësh shumë, por të mbash fjalën. Mësove se puna bëhet, për të lënë gjurmë dhe jo zhurmë. Se respekti fitohet pa e kërkuar.
Të ecësh me Kristaq Priftin nëpër qytet, është përjetim i veçantë. Disa e përshëndesin me dritë në sy, të tjerë me respekt të heshtur. Të rinjtë e shohin me kureshtje, ndërsa qytetarët e vjetër i shtrëngojnë dorën, si një borxh mirënjohjeje që nuk harrohet. Ky është vlerësimi i vërtetë, ai që nuk kërkon zë, por ka peshë.
Në një moshë kur shumëkush zgjedh qetësinë, zgjodhe punën. Zgjodhe të mbetesh aktiv, i dobishëm, i pranishëm. Për ty mosha nuk është ndalesë, por vazhdim.
Energjinë e merr nga bindja dhe nga ndërgjegjja e pastër. Ke mësuar, që njeriu vlen aq sa angazhohet. Në 75-së vjet, nuk u lodhe nga jeta.
Aktiv në profesion, i ndjerë në përjetimet e traditave patriotike dhe jetën qytetare, Kristaq Prifti nuk e njeh lodhjen. Për të mosha është vetëm numër. Vlera e njeriut matet me detyrimet, me përgjegjësinë dhe me ndershmërinë.
Dëgjove më shumë sesa fole. Ishe pjesë i një sistemi të vështirë, por nuk humbe kurrë njerëzoren. Shumë familje të kujtojnë, si njeriun që i dëgjoi dhe i ndihmoi.
Ishe drejtues, por kurrë i frikshëm. Prandaj përmendesh me respekt të sinqertë dhe jo me frikë të vjetër, me nderim dhe jo me heshtje të rëndë
Ndihmove pa zhurmë. Nuk u tërhoqe, kur koha ndryshoi. Nuk u humbe, kur gjithçka u përmbys. U përshtate pa u thyer. Mbete i qetë. I drejtë. I besës. Nuk e kërkove lavdinë, por ajo erdhi vetë.
Nuk u përkule, kur sistemi u shemb. U përshtate dhe vazhdove pa e tradhëtuar veten. Historia e jote, është ajo e qytetarit me shikimin e një shembulli, e profesionistit të ndershëm dhe e njeriut që ruajti gjithnjë staturën.
Kristaq Prifti!
Njeri që i rri bukur jetës.Emër që i rri bukur Durrësit.
Të festosh 75-së vjet nuk është vetëm moshë, është privilegj. Jemi me fat, që këtë ditë e ndajmë së bashku.
Gëzuar shok!Gëzuar mik!Gëzuar vëlla!
Durrës: 10 janar 2026









Comments