top of page

Katër të Vërtetat Fisnike të budizmit





E vërteta e vuajtjes (1)

E Vërteta e Parë Fisnike quhet “Dukka.” Ajo thotë se jeta përbëhet nga vuajtjet. Buda përkufizon tri lloje vuajtjesh, që përjetohen varësisht nga vetëdija e njeriut. Te njëri më fuqishëm, te tjetri më dobët. Tek vuajtjet e para numërohen mplakja, sëmundja dhe vdekja. Nëse i qasemi trupit, atëherë kuptohet se mplakja, sëmundja dhe vdekja janë reale. Kjo shkakton vuajtje, por edhe format më delikate të vuajtjes, si e dëshpërimit, depresionit dhe frikës. Fjala “dukkha” do të thotë 'diçka e paaftë për të kënaqur' apo 'që nuk mund të qëndrojë ose të zgjasë': prandaj e ndryshueshme, e paaftë për të na kënaqur plotësisht ose për të na bërë të lumtur. Përveç ndjenjës së pacaktuar të zymtësisë, ky term përfshin çdo formë vuajtjeje.


Ne vuajmë kur ballafaqohemi me atë që nuk e duam dhe kur jemi të ndarë nga ajo që e duam. Vuajtja e dytë është përkohshmëria, ose të të qenit kalimtar. Ajo është shkaku e përvojave të dhimbshme, kur njeriu ngjitet për lumturinë. Vuajtja e tretë është kushtëzimi. Ai shprehet si formë më delikate e vuajtjes, në mes të tjerash në përvojë, sepse mendja është pothuajse gjithmonë e mbuluar si me vel, prandaj ne nuk kemi kontroll mbi jetën tonë. Kjo vuajtje nënkupton se në ciklin e ekzistencës së kushtëzuar, në një formë ose në një tjetër, vetëm vuajtjet do të merren vesh mirë.


Ne ngjitemi për gjësende, duke përfshirë aty edhe Unin (egon) tonë të marrë me mend dhe mendojmë se do të ekzistojmë përgjithmonë. Por e vërteta është se çdo gjë që shfaqet edhe zhduket. Çdo gjë që lindet, edhe do të vdesë. Ne vuajmë madje edhe për gjëra të bukura dhe gjendje të lumtura, sepse edhe ato, një ditë prej ditësh, do të zhduken. E Vërteta e Parë nuk do të thotë se gjithçka dhe kudo, gjithmonë është e keqe. Ajo na bën vetëm të vetëdijshëm për paqëndrueshmërinë e kësaj bote. Përvoja e botës shqisore zhvillohet përmes ndjenjave, dhe kjo do të thotë që ne gjithmonë jetojmë midis kënaqësisë dhe dhimbjes, d.m.th. në dualizmin e samsaras. Kështu shkojnë gjërat. Kjo është pasojë e lindjes.


Shkaqet e vuajtjes (2)


E Vërteta e Dytë Fisnike quhet “Samudaya” dhe shpjegon shkaqet e vuajtjes. Ato janë lakmia, urrejtja, dëshirimi dhe padijenia e njeriut.


Si shkak të vuajtjes Buda thekson padijeninë. Ajo është paftësia e mendjes së pa ndriçuar për të njohur natyrën e vet. Intelekti (mendja) punon si një sy: ai përkap (percepton) gjithçka "jashtë", pa qenë në gjendje të shohë vetveten. Kështu që çdo përvojë shoqërohet nga një ndjenjë thelbësore e ndarjes (dualitetit). Intelekti që përjeton, kupton veten si "Unë" (subjekt), e përjetuara bëhet në "ti" ose diçka tjetër (objekt). Nëse kërkohet një "Unë"(ego) ai nuk mund të gjendet as në trup, as në ndjenja, as në mendime. Edhe pse njeriu mund të gjejë vetëm një rrjedhë të mendimeve, të ndjenjave dhe të përshtypjeve, të cilat ndryshojnë vazhdimisht, përfytyrimi i një Uni (ego) bëhet baza e të gjitha përvojave (ego-iluzion). Nga kjo pikëpamje binare (dualiste) krijohet ngjitja për të këndshmen, shpëlqimi i të pakëndshmes dhe pason rrëmuja.


Nga ngjitja krijohet koprracia, nga shpëlqimi, xhelozia dhe nga budallallëku, krenaria. Këto janë të ashtuquajtura ndjenjat penguese. Nga budallallëku merren ato seriozisht dhe pasojnë veprime të liga. Kjo shkakton pengesa të mëtejshme, vuajtje për të tjerët dhe për veten tonë. Nëse këto pasoja kthehen si efekte të pakëndshme tek vepruesi, zakonisht ai mendon se faji është i të tjerëve dhe kështu vihet përsëri diçka negative në lëvizje. Mjafton i të qenit i lirë nga dashuria dhe urrejtja në mënyrë që të kuptuarit të shfaqet i qartë, si drita e ditës në një shpellë. Të të qenit i lirë nga fryma e përhershme për të kritikuar dhe gjykuar, domethënë tejkalim i urrejtjes dhe lakmisë. E Vërteta e Dytë Fisnike, në tri aspektet e saja flet për “origjinën e vuajtjes, që i është ngjitur dëshirës.” Me braktisjen e saj, zhduket edhe vuajtja.


Ajo thotë se ekziston një origjinë e vuajtjes dhe se origjina e vuajtjes është ngjitja me tri llojet e dëshirës: dëshira për kënaqësinë e shqisave (kama tanha), dëshira për të qenë ose për t'u bërë (bhava tanha) dhe dëshira për të mos qenë (vibhava tanha).


E vërteta e heqjes së vuajtjes - vuajtja mund të zhduket (3)


E Vërteta e Tretë Fisnike quhet “Nirodha.” Ajo përshkruan heqjen e vuajtjes që funksionon vetëm kur njeriu tejkalon lakminë e tij. Qëllimi i Budës është çlirimi dhe ndriçimi. Te çlirimi (nirvana e vogël) përfytyrimi i ekzistencës së njëmend të vetësisë konsiderohet si iluzion. Ndjenjat kundërthënëse pushojnë, njeriut i hapen sytë dhe përfiton qartësi. Aty vërehet se vetëdija funksionon nëpërmjet trupit pa qenë vetë trupi. Mendimet dhe ndjenjat njihen si lojë e lirë e mendjes pa pasur nevojë për një Unë, ose vetësi, e cila ka këto mendime dhe ndjenja. Është një gjendje e të të qenit i lirë nga të gjitha kufizimet dhe ngushtimet në intelektin vetjak. Ndriçimi (nirvana e madhe) është përvoja e plotë e natyrës së intelektit. Në tibetishte quhet “Sangye”, kjo do të thotë: velat janë hequr dhe të gjitha cilësitë e intelektit, që ishin brenda, janë shpalosur tërësisht. Sepse në thelbin e saj absolut, vetëdija është e gjithëdijshme, hapësirë e pafrikë dhe përvoja e saj është gëzimi sipëror.


E Vërteta e Tretë Fisnike flet nga pikëpamja e “Ku”-së. Nga këndi i së vërtetës më të lartë ose të vërtetës më të thellë. Pa lindje, nuk ka vdekje. Pa ngjitjen për egon vetjake, shumë nga telashet ndërnjerëzore do të zhdukeshin. Të krahasuarit e përditshëm me të tjerët dhe të gjykuarit krijon pakënaqësi dhe vuajtje. Por në përvojën e boshësisë, pa fjalë nuk ka dhe kurrë nuk do të ketë vuajtje. Në Hannya Shingyo thuhet: "Në “Ku”, nuk ka trup, nuk ka vuajtje, nuk ka shkaqe, nuk ka rrugë, etj." Kjo ishte përvoja e fituar e Budës gjersa qëndroi ulur nën pemën e quajtur “bodhi.”


Qëllimi i mësimdhënies budiste është të zhvillojë mendjen reflektuese për të braktisur iluzionet. Të Katër të Vërtetat Fisnike na mësojnë të largohemi prej tyre, duke përdorur hulumtimin, vëzhgimin dhe meditimin.


E vërteta e rrugës që të çon atje (4)


E Vërteta e Katërt Fisnike thotë se njeriu mund ta çlirojë veten nëse ndjek hapat dhe parimet e jetës së Shtegut të Tetëfishtë. Në 45 vitet e mësimdhënies, Buda la pas vete 84.000 udhëzime, që i lejonin miqve dhe nxënësve të bëjnë në çdo çast të jetës një hap në rrugën drejt çlirimit dhe ndriçimit. Në “Rrugën e Diamantit” ai u tregoi atyre meditime përmes të cilëve ata mund të identifikoheshin fuqishëm me cilësitë e pakushtëzuara të intelektit të vet. Në Rrugën e Madhe ligjëroi ai për domethënien e dhembshurisë dhe mençurisë, si një qëndrim çlirues dhe si këndvështrim. Në “Theravada” ai flet për shkakun dhe efektin, pasojën (karma), si ndërtojmë vetë jetën tonë dhe si duke zhvilluar vetëpërmbajtjen, mund ta përdorim trupin, fjalën dhe mendjen për të sjellë lumturi te të tjerët dhe te vetja.


Buda ligjëron të vërtetën e fundit, që shpien atje, ku e vërteta përkapet ashtu si është. Kjo rrugë përbëhej nga themele etike dhe meditimi i vërtetë. Megjithatë, ligjërimi i një rruge do të thotë në të njëjtën kohë që vetëm zgjimi, nuk mund të çojë në çlirim. Zgjimi duhet të realizohet në jetën e përditshme dhe në të gjitha fushat tona të jetës. Kjo do të thotë të krijohet një baraspeshë mes familjes, profesionit, jetës së përditshme, praktikës, spiritualitetit dhe punës.


Shtegu i Tetëfishtë Fisnik i Njohjes, (i përfitimit të diturisë, i të kuptuarit), ngërthen të gjitha rregullat e jetës të të gjithë budistëve. Kushdo që u përmbahet atyre, jeton në mes të luksit dhe varfërisë. Dhe kushdo që arrin gjithmonë t' u përmbahet këtyre rregullave, sipas besimit budist, do të çlirohet nga vuajtjet e tij dhe do të ndriçohet. Ai bëhet një Budë. Shpirti i tij nuk kthehet më në tokë, por gjen lumturinë e tij në nirvanë.


Tetë Shtigjet që shpiejnë në zhdukjen e vuajtjes


1. Njohuria (të kuptuarit, pikëpamja) e drejtë. (Përpiqu të fitosh mençuri dhe sillu gjithmonë drejtë.)

2. Të menduarit e drejtë. (Motivimi i drejtë. Ji gjakftohtë dhe i urtë.)

3. Të folurit e drejtë. (Kurrë mos gënje!)

4. Të vepruarit e drejtë. (Mos bëj asnjë të keqe asnjë gjallesë dhe mos vidh.)

5. Jetesa e drejtë. (Mos dëmto njeri dhe mos dëmto natyrën!)

6. Përpjekja e drejtë. (Përpiqu dhe përmbush detyrat tua.)

7. Ndërgjegjësim i drejtë. (Ji i vëmendshëm gjithmonë, mendo dhe vepro me maturi.)

8. Përqendrimi i drejtë. (Përqendrohu, mendo thellë dhe medito.)


Shtegu i tetëfishtë është parim themelor i besimit të budistëve. Është aq e rëndësishme për ta sepse përfaqëson rregullat në simbolin e tyre, ku tetë spicat e “Dharma-Rrotës” qëndrojnë për tetë rregullat e Shtegut të Tetëfishtë. Buda besonte se në vetëmohim gjendet çelësi i dhembshurisë dhe i mëshirës për të gjitha qeniet në tokë, tok me to, çelësi për një botë më të mirë. Jo diku në botën tjetër, ose në nirvana, por në Këtu dhe në Tani. "Shtegu i Tetëfishtë Fisnik" është një udhëzues praktik në rrugë e sipër për atje. Së bashku me Katër të Vërteta Fisnike, ai është thelbi i predikimit të Budës.


Si të gjitha fetë, edhe budizmi ka mitologjinë e vet dhe natyrisht praktikën, që rezulton prej saj. Budizmi është i lirë nga dogmat, por ndryshe nga shumë religjione, vetë Buda thotë se njeriu nuk duhet të ndjekë verbërisht mësimet e tij, por se në budizëm duhet vazhdimisht të punohet për të fituar çdo njeri përvojën dhe njohuritë e veta. Dhe kur njeriu ia del kësaj dhe ka fituar njohuri të vërtetë, atëherë duhet të ndjekë ato dhe jo mësimet dhe praktikat e një tjetri, pa marrë parasysh se të kujt janë. Nëse ia del mbanë, duhet të bëhet mësues dhe t’ i dhurojë tutje njohuritë e veta. Në budizëm në qendër të vëmendjes gjendet njeriu dhe përvojat e tij, jo ritualet e ngurta dhe rregullat. Ka shumë mësues, ndihma dhe këshilla, që mund të zbatohen për të gjetur rrugën e zgjimit, por rrugën duhet ta bëjë njeriu vet.


“Mos beso, sepse një i urtë ka thënë ashtu.

Mos beso, sepse të gjithë e besojnë atë.

Mos beso, sepse është shkruar.

Mos beso, sepse konsiderohet si e shenjtë.

Mos beso, sepse dikush tjetër e beson atë.

Beso vetëm atë që të ti ke kuptuar si të vërtetë!” Buda


Nga gjermanishtja dhe disa fragmente nga italishtja, Lis Bukuroca

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page