top of page

KARSELLA


KARSELLA


-Tregim -

Nga SHKËLQIM HAJNO


1.

***

Në ditën e kimioterapisë së radhës në spitalin onkologjik, ai ndihej krejt i dërmuar. Pas një copë here nga largimi i mjekëve dhe kurajos që i dhanë si pacient, Omer Damo, tani 92 vjeç, u afrua ngadalë te dritarja e katit të tretë. Përtej qelqit, shikonte me trishtim botën jashtë. Botën, që do ta linte ndoshta së shpejti. Ndihej si një shekullor që karvani i jetës e kishte lënë në stacionin e fundit.

Jashtë, nderej tej e tej, një kupë qielli i vjeshtës së dytë, e lagësht nga shirat pa fund të Tiranës. Poshtë, prej katit të tretë shihte nxitimin e përhershëm të njerëzve për të kapur autobusat e Unazës në zonën e Qendrës Spitalore dhe të tjerë që nxitonin për s’diseku.

Të gjithë nxitojnë, i tha vetes. Po ti zoti Omer, apo Omer bej, për ku nxiton, ose, përse nuk nxiton, zotni? Jashtë, jeta është e hapur, këtu brenda, si në qelq. Sytë i shkuan tek gjethet e verdha të pemëve në rresht në trotuarin përballë të cilat këputeshin një nga një nën shiun e lehtë dhe ngjanin mbi kofonot e makinave të parkuara si pikla të mëdha të arta. Njerëzit jashtë në trotuare nxitonin hapat nën shiun e artë të këtij tetori. Vraponin. Të gjithë si në një urdhër.


Kjo jetë sa një fletë! Siç thoshin të parët tanë në qytetin e bukur të lindjes, larg në Thesproti. Një ëndërr. Asgjë më shumë. Herë e mirë dhe më tepër, e trishtuar dhe e hidhur. E thurur si ato kanistrat e arixhinjve buzë lumit të qytetit të fëmijërisë sime. Lumit të jetës. Fije-fije thuprat. Herë, fijethupra të hidhura, e herë fijethupra gëzimi.Këto më të holla e, gjithaq, më të rralla.

Mos rrojta shumë? Të çkulur si shumë të tjerë nga trojet e të parëve, me kuç e maç. Lëmë gjithshka në troje.Gjysmën e zemrës. Andej.Me konak e katandi. Dyqane e ullishta e vreshta...


***

Befas iu përhit se ra një zile telefoni që nga sirtari i vogël i komedinës në dhomën ku prej ditësh, qëndronte i vetëm duke bluar një fije shpresë për pak jetë edhe më tej ose, në ditët e tij të fundit.

Më bëjnë veshët. Por zilja u përtëri për së dyti e për së treti.

Pa hequr vështrimin nga përtejqelqi u çapit ngadalë dhe ngriti telefonin.

-Zoti Omer Demo?-dëgjoi nga matanë.

-Po.Unë jam.Kush flet?

Zëri në anën tjetër të celularit vinte i shkëputur por kuptohej me pak vështirësi.

-Unë, jam miku i një miku tuaj ...si të them, familjar që ka ardhur këtu në Skelë, domethënë në Vlorë, nga Greqia....Nga Thesprotia...Ai ka një sjellë një porosi për ju...Mezi e gjetëm telefonin tuaj...kemi dy orë të mira. ...Mik pas miku e shok pas shoku... Gëzohemi që të gjetëm. Menduam se do t’ju takonim këtu në bregdet. Pastaj na thanë se, më shumë jeton në shtëpinë e kryeqytetit, me djalin që është pronar injë fabrikë.

Tjetri që po dëgjonte gjysmë i përhumbur e gjysmë i beftë , mundi të thotë:

-Po unë jam në spital, more djalë. Jam keq. Po si mund t’ju ndihmoj dhe pastaj, t’i them djalit për më shumë, meqë miqtë vijnë nga larg...

Pasoi një heshtje disa sekonda me telefonat në linjë.

-Mund të flisni tani me mikun, me Jorgon.-tha njeriu që u prezantua pak më parë.- Ky më thotë se dini greqisht dhe mund të flisni normalisht.

Pasoi sërish një heshtje. Këtë radhë më e gjatë. Por linja ishte e hapur. Këtëherë heshjtja ishte shkaktuar nga i moshuari i sëmurë.

-Qerete qe perastika*), zoti Omer, zoti Demo!-, dëgjoi biseduesin tjetër.

Pas pak:

-Më dëgjoni? Mund të vijoj? Unë jam Jorgo. Tani jam pensionist...Kam ardhur nga qyteti së toku me një shok nga Igumenica. Unë jam , nipi i familjes Angelopoulos. Më saktë, jam djali i Ninës, ...Nëna ime, mamaja ime, Nina, vdiq ..ka pak muaj . Por ajo në ditët e fundit të jetës më la një porosi...Si ...amanet. .T’u dorëzoja karsellën e familjes tuaj që dikur ia dhatë për ta ruajtur familjen së saj....

Heshtje. Pastaj njeriu që kish mbërritur nga Thesprotia, vijoi si për t’i sjellë në kujtesë ndonjë detaj edhe më shumë:

-Karsellën ia dhatë për ruajtje. Kur juve u detyruat të iknit.-dëgjohej i njejti zë në greqisht.- Atë natë,-më tha nëna , Nina. “Atë natë të keqe, thuaji Omerit”, më rrëfeu ime më, para se të ndahej nga kjo jetë....


.-Si? Si ? Edhe një herë, të lutem! Jam ca i drobitur, këtu në spital . Prej shumë vitesh ne jetojmë në Tiranë...Tani po ju dëgjoj shumë qartë...Jeni në Skelë? Mos u largo, të lutem ....!


Tjetri ia përsëriti kumtin, duke u ndalur në disa momente të rrëfimit dhe këtë herë po nënvizonte si të thuash, me një laps të kuq në fjalët: “...ime më”, “ Nina Angelopuos ...”, dhe veçmas, me dy vija të kuqe togfjalëlshin ...”atë natë...” veçanërisht “atë natë”, (ç’ishte ajo natëkob?!, ajo natë e zezë krahëkorbi!)...

Pastaj, vinin togfjalëshat e tjerë, si kokrra të këputura nga një tespie qelibari...”në ditën e fundit”,...”kur iku”, “kur u nda nga kjo jetë....” “një amanet për ju”....”zoti Demo”...”.kam sjellë karcellën”.

Porosia që u ruajt për afro tetë dekada....79 vite...më parë...79 male kaptuar, ...79 vite mërguar...O zot i madh!

Pas këtij shiu dramatik në rrëfim me fjalët për atë kujtim që godisnin herë butë e herë me furi në vetëdijen e tij të ngarkuar me dhimbje, i moshuari u kaplua në vegimin që vinte mjegullar prej së largëti. ..... “Atë natë të keqe, i thuaj”.Nina....Nina.... .Me shi, me krisma e gjëmime....Nina....

Pas pak, biseda që vijonte në greqisht, u ndërpre.

Omeri ndjeu befas një vështirësi në frymëmarrje.



Befas iu bë se dëgjoi një si zilkë kali dhe papritur, një si dihatje e kuajve dhe pelave të ngarkuara për udhë, në karvan.. Ishte një mbrëmje shtatori. Shiu i butë rigonte si tani në këtë vjeshtë të dytë . Zilka iu bë se iu shfaq befas edhe në një nga seancat e fundit të kimioterapisë. Nuk i kujtohej para, apo pas kësaj bisede me telefonin e largët.

Pastaj, ajo botë e rinisë së tij të parë iu përhit tek shikonte qiellin e muzgët të qytetit të madh ku jetonte tani prej tridhjet vitesh. Mes asaj mjegullnaje të errët iu shfaq ajo mbrëmje, për të cilën bënte fjalë, tani djali i shoqes, i vajzës që e donte dhe fqinjës të dikurshme.

Si nga terri i kaluar i një gjaratoreje mendimesh, iu shafqën emra nga shokët dhe shoqet e klasës që qytetin thesprot të lindjes. A e çutitshme kujtesa, mendoi. Si një solucion që bie mbi një metal të ndryshkur dhe nis e zbardh emrat nga muguj e harresës. Petro Baburi, fqinji, Zeno Benati, Niko Grevenaja, Tasos Mandellos, ...i shfaqeshin edhe emra të vashave të klasës si Lira Kasimati, Ollga Pituli, Irini Athanasiu, Elena Zguro... dhe shoqja e ngushtë Katerina ose Nina, komshia dhe mikja më e afërt e klasës.

Pastaj, i bëhej se një lëndinë e largët me barin e harlisur mbushej me xixëlloja që më pas i shndërroheshin në yje. I shfaqeshin pikniket me klasën përtej në Bardhëla, në pllajën me dafina dhe ujin e ftohtë, endjet djemurisht dhe lojërat në Lëmin e Peponit , në Valanidhat edhe më tej akoma dhe kuturisjet me shokët për grackat e mëllënjave nga Shkalla e Pleshovicjotëve...

Por pikërisht kur nuk e prisnin dhe lufta e Dytë botërore po largohej, e gjermanët po iknin gjithashtu, një apokalips i tjetërrllojtë do të përsëritej. Ato ditë, të mëdhenjtë flisnin në shtëpi me zë të ulët dhe përherë të zymtë nga ajo që kish ndodhur dhe nga mënxyra e mundshme që po trokiste tani shumë pranë. Iu kujtua se si Damiri, një shkok më i madh se ai, nga lagjja e Zejnallate po fliste me të vëllain e madh të tij. Edhe Omerin mos e lerë të dalë shumë, se dushmani nuk ka të sosur e nuk dihet nga të vjen edhe këtu dhe kërkon kokë njeriu me urën e zjarrit në dorë....


***

“Ajo natë”, tha Nina. Ishin në të dymbëdhjetat a të trembëdhjetat, në moshën e trëndafiltë . Me Ninën ishin jo veç në lagje e shkollë po edhe në një klasë.Me shtëpitë pothuaj ngjitur. Sa herë që fliste apo e shihte atë, Omeri, kish një ndjesi të mrekullueshme dhe një gufim i përshkonte kraharorin dhe nëpër dej niste t’i qarkullonte një valë e nxehtë.

Por pasuan të tjera netë. Kobnetët e udhëve natën. Ik e ik e ‘s’ka të sosur....Zilka i dëgjohej sërish në vesh pas seancës së fundit të kimioterapisë.

Ajo natë. Në fakt kishte nisur me buzëmbrëmjen fare pranë shtëpisë.

Hodhi sytë nga mali i Dajtit. Dy re të mëdha të zeza qëndronin pranë njera-tjetrës dhe një rreze e artë i përshkonte të dyja zezonat që pas një çasti do të ndërronin formë të shtyra nga era e vjeshtës vetëm drejt perëndimit.


3.

Në shtëpinë e Omer Damos, atë pasdite fundtetori kishte rënë një heshtje e rëndë. Të mëdhenjtë, ndryshe nga çdo herë tjetër flisnin me njeri-tjetrin të ngrysur, me zë të ulët si për ruajtur mos dëgjoheshin nga më të vegjëlit e shtëpisë.

I kishin mbyllur dyqanet në pronësi më herët se çdo ditë dhe dukej sheshit se po përgatiteshin për diçka, të tjetërsojshme. Të pangjarë më parë. Një pasiguri dhe frikë kishte zënë e shfaqej në familjet veçmas në ato të besimit mysliman, pasiguri që në qytet u përhap si një epidemi e zezë. Një varg krimesh të padëgjuara më parë kishin ndodhur një tjetër qytet thesprot jo shumë larg prej këtej në një muaj që u quajt ‘qershori i zi’.


Trembëdhjetveçari ndiqnte me kujdes çdo sekondë gjestet dhe portretin e babait dhe gjyshit, Emin. Edhe aie prekte si me dorë pasugirinë që qëndronte pezull në shtëpi, rrugë, shkollë e dyqane.

-Omer, eja këtu bir,-tha i ati duke e shoqëruar me kokë këtë urdhër. -Mamaja do të japë një porosi që ta shpiesh menjëherë te komshijtë, te Angelopoullot, te barba Dhimo ose te Niko.- Heshti pak.-Kushdo që të jetë, edhe gratë. Kuptove? Do vish menjëherë se po bëhemi gati dhe do nisemi, për udhë të gjatë. Sot. Do shkulemi, Nuk dihet kur kthehemi! Kuptove?-përsëriti ai.

-Kuptova. Peqe **), baba!

Nëna ia bëri me dorë dhe ai e ndoqi për nga mesoria dhe më tej në depon e banesës me tri kate.

Ajo mori nga toka me të dy duart, një send në gjysmëerrësirë dhe u kthye nga Omeri:

-Bir, merre këtë karsellë, kemi ca sende tonat dhe shpjere siç të tha yt atë, te Kondakçitë. Do ta lëmë këtu për ca kohë, -thuaji dhe i vuri duart në supet e tij dhëmbshurisht.


***

Me sendin e vjetër në duar pas pak Omeri u gjend nën pjergullën e madhe të Kondakçinje. Klithma e një qyqeje diku pranë atë buzëmbrëmje të lagësht, mbillte trishtim. Ai nisi të fishkëllejë motivsinjalin që ishte i njohur për shoqen e klasës, Ninën, “Menksheja dhe zymbyli” . Një këngë e njohuar atë kohë nga Azia e Vogël ose Izmir aq në modë në tavernat në qytet.

Nuk kaloi veç një çast kur, pasi luajti kordinaqi i perdes në qelqet e dritares të katit përdhe të komshijve, në portë u shfaq Nina. Shkolla kishte pak kohë që ishte mbyllur për shkak të ngjarjeve të luftës.

-Omer, -bëzajti e druajtur ajo,-Pa, më thuaj? !

Iu afrua në gjysmëterrin e oborrit pranë kopshties.

Jashtë rigonte një shi i hollë.

-Si je ti Nina?-iu drejtua djaloshi me nje shqetësim të dukshëm në zërin e tij të ëmbël.-Kam ardhur me një porosi nga ata të shtëpisë,- dhe tregoi me dorë karsellën para këmbëve.

Nina nuk po kuptonte gjësendi.

-Më thanë ta lë këtë tek ju, se ne... nuk do të jemi këtu...Kur të kthehemi..nuk dihet se kur...Atëhere do ta marrim,-tha ai dhe i hodhi syte sa te Nina që qëndronte dy pëllëmbë para tij aq edhe në një drejtim të pacaktuar nga malet përreth zhytur në mjegullën e buzëmbrëmjes.

-Po eja brenda, hyr,-i tha vajza dhe kaloi e para drejt shtëpisë.-Pa merak! Lere në apothiq***)

Omeri e la porosinë ne vendin që i tha Nina dhe bëri të dilte ngadalë nga banesa si me një pendim.

-Prit! -u dëgjua zëri i kadifenjtë i Ninës.

-Nxitoj, -ia ktheu Omeri që u ndal te pragu.

-Si do ikësh kështu?!...Merre këtë, ta kesh rrugës se është lagështi dhe fryn era e ftohtë e maleve! Të të mbajë ak ngrohtë,-dhe i mbështolli për qafe shallin e saj të butë me lule ulliri që mbante aso kohe.

Djali u skuq i hutuar. Ajo e përqafoi dhe ai ia ktheu gjithashtu por ndjeu në faqet e tij, lotin që Ninës i rrëshqiti .

-Prit edhe pak, -tha dhe u drejtua për nga hajati. Diçka mori. Një tufë me borzolok të freskët nga saksia dhe një ftua të verdhë që ia la në dorë. Omerit iu duk si një diell i vogël.

Nina mbeti te pragu gjersa ai humbi përtej oborrit. Vegimi i saj në ndriçimin e zbehtë të muzgut që po binte, do të mbetej tërë jetën në mugujt e vetëdijes së tij për tërë jetën, tok me ftoin e artë, diellin e vogël.


4.


Në dhomën e onkologjikut i moshuari u mbulua nga djersët dhe aritmia po i jepte një angushti. U ul ngadalë në karrige dhe shtypi butonin e emergjenëcs për shërbimin e infermierisë. Dhoma nisi t’i rrotullohej para syve me shpejtësi në trajtën e një vurbulle uji në lumë.

Në dhomë infermierja e turnit i dha ndihmen e rastit dhe tani, me tubin e oksigjenit mbi fytyre , nisi të ndjehej me mirë.

I puliti sytë i drobitur dhe hodhi shikimin përtej, në thellësi të kujtesës, në fëmijërinë e tij të trazuar.


***

Priti sa të kthehej sërish inferierja.

-Të lutem, më gjej pak numrin që më mori në telefon pak më parë,-iu drejtua asaj.

-Alo, Jorgo!... Unë jam, u ndërpremë po ja ku të kam përsëri.

Jorgo nga qytetit thesprot shprehu entusiazmin që po flisnin përsëri.

-Gëzohem që je më mirë por nuk dua që t’ju lodh-tha ai.-Por ne do te kthehemi sot ne Greqi sepse kështu e kam punën. Erdha për porosinë e Ninës, të mamasë. E kisha amanet dhe e vonova shumë.

-Atëhere më dëgjo , Jorgji, biri im. Për porosinë, mos u bëj hiç merak. Do ta lesh në kompeksin e hotelit VOLA, janë njerëzit tanë famijarë. Por dua të të kërkoj edhe një gjë: Nuk do të ikni nga hotel VOLA pa ngrënë një drekë me të gjitha të mirat, sepse e shtroj njëlloj sikur të jem atje. Ky është urdhër dhe kënaqësi, or mik, sespe më ktheve pas vitet e rinisë dhe atë botë... Ta dish se do të ndjehem i gëzuar për këtë dreke miqësie. Quaje familjare.

Pastaj shtoi:- Të jem i qetë për këtë, biri im?

-Po, besoj që po. Faleminderit!-tha buzagaz tjetri.Ju faleminderit zoti Damo. Dhe ju uroj nga zemra në emër të familjes sime, të shkuara Omer bej! -duke përmendur me respekt llagapin me të cilin thirreshin të parët e Omerit në qytetin thesprot.

I moshuari qeshi hidhur :

-Vanë, e ikën ato grada e tituj, Jorgo, biri im. Ikën me kohërat që pllakosën edhe andej edhe këtej. Tani, të lusim zotin të jemi mirë që të gjithë.Kjo, ka rëndësi. Në qytetiin tonë atje siç mund ta dish se edhe ti tani je i moshuar, nuk janë njohur zënie e shere mes dy komuniteteve të të dy feve. Familja juaj, or bir, ishte dhe mbetet besalie. Kjo që bëtë sot, me karsellën flet shumë për ne. Faleminderit Jorgo si djali im, që sot me shpure me ato fjalë në qytetin tonë të lindjes. Më bëre sikur fluturova me krahë nga penxheret e këtij spitali.


***

Në një çast në mbrëmje Omer Damo telefonoi djalit në fabrikë në periferi të kryeqytetit dhe i kërkoi që nusja e tij t’i sillte të nesërmen në spital një kuti, pak më e madhe se ato të duhanit. E larë me serm (argjend) aty poshtë ku janë në rujtje edhe takëmet e tjera të miat-i tregoi ai për reliket e vjetra që flinin prej vitësh në komonë e tij.

Të nesërmen si iku e reja e tij , Besjana, ai mori në dorë reliken e vjetër. E afroi për t’i marë erë. Pastaj, shpleksi gadalë një fill mëndafshi që kish lidhur dikur kutinë, e zbukuruar dhe pas pak e hapi.

Brenda kutisë gjendej i palosur shalli me gjethe ulliri dekoruar që dikur qëndronte në qafën e Ninës atë mbrëmje të largët tetori të ftohtë dhe që ajo ia vendosi që qafën e tij duke i dhënë kështu edhe përqafimin e fundit dhe lotët e kripur të lamtumirës.

E shpalosi shallin. E afroi ne fytyrë dhe i mori aromën. Poshtë shallit ende qëndronin fijet e thara të borzilokut.

Ndjeu se borziloku edhe i tharë pas shumë e shumë vitesh e kishte rujtur erën e mirë të tij si edhe shalli me erë borziloku.

-Ja, ku u takuam përsëri e mira Nina. Pas shtatëdhjet e nëntë vitesh kaluar,-tha ai.

-Je po ajo. Dhe nuk ke ndryshuar fare. Je, si atë atë natë.///

_____________

*) Përshëndwetje dhe të shkuara!(gr.)

**)Si urdhëron


--- o0o ---

133 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page