KANGJELA E MALLIT TË PARE

Prof Dr Resmi Osmani

Resmi Osmani

Novelë

KANGJELA E MALLIT TË PARE

Kujtimit të Zef Serembes

Pjesa e dytë

7

Në udhëkryq

Në ditët që erdhën, pasi u soll rrotull qytetit dhe takoi disa bashkvendës nga Strigari, që deshën të dinin prej tij të rejat e katundit të tyre, nuk gjeti ndonjë mundësi të mirë punësimi, pranoi ofrimin që i bëri bujarisht Kostandin Pozito. Punë kishte boll: të hyra e të dala të mallrave, hedhja e tyre në regjistra, shoqërimin e mallrave për në portin e zhurmshëm të Santos, ngarkimin dhe nisjen e tyre për në Lisbonë, Marsejë, Napoli dhe Livorno.

Kostandin Pozito bënte shpesh udhëtime pune.Në to ai bëri shok udhe edhe Zefin që të njihte vendin .Shkuan atje ngaku u vinin furnizimet për të berë porosi: në malet e verilindjes në plantacionet e kafes, në fushat e bananeve, aziendat e kallam sheqerit , duhanit dhe pambukut .Kaluan nëpër pyjet e virgjëra tropikale, ku gjallonin zogj të bukur që kishin pupla me ngjyra të ndezura, dhe papagallë të lloj-llojshëm.Hasën livadhe pa fund ku kullosnin tufat e mëdha të gjedheve dhe liqene te shumte.Zefin e mahniti gjelberimi dhe bimësia e harlisur që hasej gjithandej. Vendi ishte i pasur dhe hapsirat e pafund që prisnin ende dorën e njeriut. Ishte e dhimbshme ajo që hasi gjithandej, me qindra skllevër afrikanë të blerë nga tregtarët e sklleverve portugezë, që punonin në plantacione dhe këndonin ca këngë të trishtuara për fatkeqsinë e tyre.

Liri për të bardhët, skllavëri për zezakët, dhe nuk ishin pak, por mbi një million.Kjo mendoi ai ishte njeë njollë turpi per Brazilin, teksa në vende të tjera me ligjet e abolicionizmit, ishte hequr skllavëria.

Nuk deshi t’i bëhej barrë mikut të tij bujar, andaj u shpërngul në pensionin “Rosa blanka”, një ndërtesë dy katëshe e stilit kolonial ,oborr të gjelbëruar, me postate të begoniave me ngjyra gjithfarësh dhe trëndafilë kacavjerrës të bardhë në shtyllat e ballkonit, në pronësi të dona Rakelës. Ishte afër punës së tij dhe me çëmim të arsyeshëm. Kjo , vejushe portugeze, e veshur në të zeza, pas vdekjes së të ndjerit, kolonel Manuel de Gonzaga, në luftën e Paraguait ishte e përshpirtshme si një murgeshë, me skufe të bardhë në kokë, fytyrë zbehtë dhe e rrudhosur, me ca syze metalike mbi hundë, e trishtuar, që s’i qeshte buza dhe tërë kohën s’e hiqte nga dora rruzaren dhe lutej e falej para ikonës së madonës me fëmijën Jezus, posht së cilës, si në një altar të shenjtë bënte dritë kandili me vaj. Gjithë bujtinarëve të saj, shumica të rinj italianë e portugezë, që kishin kuturisur në San Paolo për të kërkuar fatin e vet, ajo u thoshte”Biri im” dhe si të rinj në moshë, që të mos tundoheshin e mëkatonin, mbante në shërbim vetëm dy skllave zezake të shëmtuara, si guzhiniere dhe pastruese.

E pyeti Zefin nëse ishte katolik i devotshëm dhe çfarë simpatish politike kishte: republikane apo ruajaliste. Zefi, I bindur që ajo ishte konservatore ruajaliste, i tha se nuk i interesonte politika dhe besonte Trininë e Shenjtë dhe në birin e zotit Jezu Krishtin. Dona Rakelës i pëlqyen përgjigjet dhe i dha një dhomë në katin e dytë . Dhoma shihte nga jugu, ishte e vogël , me ca orendi të vjetra por e paqme dhe plot dritë. Dona Rakela e përshpirtshme, u kujdes që në komodinë e shtratit të linte të dy librat e biblës:Testamenti i Vjetër dhe të katër Ungjijtë e shenjtë, libri me jetën e shenjtorëve dhe mbi krye të shtratit një litografi me Jezusin në kryq.

Shërbenjsja zezake beter e shëmtuar, që vetëm dhëmbët i zbardhnin, pruri në dhomë një kafaz thurur me shufra druri ku hidhej e lodronte një papagall, kokëkuq e pendë artë me sqepin e kthyer si një gremç,me sy të zez si dy rruaza xhami që bërtiste më zë të çjerrë dhe përsëriste të njëjtat fjalë:mirmëngjes, mirdita, hole!

-E quajnë Pepe, është ca llafazan por shume i zgjuar, mëson shpejt.E solla që ta kesh si shok e të ndash vetminë.Po të kesh dëshirë e durim mund t’i mesosh disa fraza. E varën kafazin në një gozhdë dhe pepe filloi të hidhej e lodronte nga shkopi në lisharës duke cijatur dhe vërshëllyer.

- Ke të dashur?

Pyetja i erdhi e papritur.

- Ende jo. Mos doni të më bëni dhëndërr?

-Po të kesh, atë nuk mund ta sjellësh në pension. Ta them që t’a dish e të mos gabosh.

I rrëfeu dhomën e ngrënies në kat të parë dhe i tha orët kur merreshin vaktet e ushqimit. Dhe në fund e njoftoi se pagesa parapaguhej në ditën e parë të çdo muaji.

***

Ditët përcilleshin me punë, por netët, ah netët!

Vetmi dhe qetësi.

Një qetësi e shurdhër e padurueshme.

Kur e zinte gjumi buisnin ëndërrat.

Shfaqej Angjelina, e hijshme e rrethuar nga një brerore drite që dukej sikur pikonte nga qielli si një vesë e artë, me krahë ëngjëlli që pluskonte pezull në mjegullën si një re e bardhë e tejdukshme.

Bënte t’i afrohej, por këmbët i kishte plumb të rënda, teksa ajo e grishte me nojma të hijshme dhe lëvizje nazike të dorës.

Zgjohej ,ujë në djersë dhe nënkresën qull nga lotët. Kishte mashtruar veten se do ta harronte, por jo, ajo ishte bërë pjesë e qënies e zemrës, e mendimeve që shkonin nga shkonin dhe ktheheshin te ajo dashuri fatkeqe, si zogjtë shtegtarë në fole.

Te dashuria e parë dhe e vetme. Plaga ishte e thellë dhe e hapur. Ofshante e rënkonte sa dridheshin muret.Gjumi mirrte arratinë.

Merrte penën dhe hidhte në letër vuajtjet e shpirtit dhe vegimet që s’i ndaheshin. Ishin elegji që më së shumti tingëllonin si klithje dëshpërimi të pashpresë për një jetë të humbur, që s’e gëzoj dhe atij i mungonte .

Në mjerimin e tij nuk gjente ngushëllim, e pa ‘të nuk mund të jetonte .Por, eh! Ajo kishte zbritur në parajsë, shpirti i saj ishte ngjitur në qiell,me yjet, kurse ai pinte kupat e zeherit, jetonte ferrin tokësor.

Shpesh i ngjallej dhimbja e vjetër e veshit, në kokë i ushtonin zëra të largët, kumbime dhe shumgullime si të dala nga nëndheu, perplasje e suvalave të detit,Ciatjet e pulëbardhave, jo ato s’ishin pulëbardha por shpirtërat e të parëve, që vinin ti kujtonin dheun stërgjyshor, fluturime dhe klithje të shqiponjave. Ishte i bindur se vinin nga nëndheu dhe qielli i Arbërisë, brigjet e Jonit dhe malet e shkrepat arbërore. Arbëria ishte zgjuar, në dheun e të parëve luftohej kundër robërisë dhe turkut mizor që i la pa atdhe. Herë –herë, në prag gjumi, i shfaqeshin vegime, ca mirazhe, që s’dinte as nga i vinin as ku dhe të kujt ishin dhe e kaplonin makthet haluçinante që e dërrmonin. I ngjante se do të delte mënç. O zot! Pse më bën të vuaj? Në mendjen e tij u zgjua mistika, prirja për të kërkuar e zbuluar kumtet që vinin nga i tërfuqishmi. Në një natë, të errët pus, shpërtheu shtërgata. Errësira gëlltiti gjithçka,qytetin, ndërtesat, pemët. I zhytur në terr, zemra e tij u ligështua ndjeu se ishte i vetëm në errësirën e pafund. Era e vrullshme s’ishte erë, por shpirtërat e të vdekurve që s’gjenin preh