Fejton
Çdo mbrëmje teksa shohim lajmet, çdo mëngjes tek dëgjojmë Bashkim Hoxhën të shfletojë faqet e para të gazetave dikush, për një cigare hashash, burgoset.
Asnjëherë, askënd, nuk kemi dëgjuar e lexuar të futet në burg për një “qeskë” me fara kanabisi.
Kanabisi në Shqipëri kultivohet nga parthenopolitika sipas parimit një bimë digjet e njëmijë gjelbërojnë.
Ka disa mënyra të shumimit të bimëve: me farë, me copa, me përpajnë, me shartim, me...
Burime qeveritare flasin se Cannabis Sativa, i njohur në prodhimin e litarëve, konopit etj., i tejnjohur si bima më e nëmur narkotike, lajm i parë në të gjitha mediat televizive dhe kryefjalë në faqet e para të gazetave shumohet me...parthenokarpi.
E përkthyer nga greqishtja e vjetër dhe e njohur gjerësisht në kulturën bujqësore e veçanërisht në entomologji e fitopatologji, togfjalëshi zbërthehet në fjalët “virgjëri” dhe “farë”. E sqaruar hollë në entomologji nëpërmjet biologjisë së shumimit të morrave (aphide) do të thotë që njëshi bëhet dy, dyshi bëhet katër, katra bëhet gjashtëmbëdhjetë, gjashtëmbëdhjeta bëhet gjashtëdhjetë e katër...
Morri pjell morrin e morrat pjellin morra sa mbi gjethen e bimës apo gonxhen e lules, gëlim që i ngjan tifozëve në stadium kur bëhet gol.
Jo biologjikisht por zyrtarisht kështu po ndodh edhe me shumimin e bimës Cannabis Sativa. Një bimë kanabisi e Lazaratit u shumua në dy, katër, gjashtëmbëdhjetë... dhe mbuloi tërë vendin, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, nga fushat në kodra e male të larta. Parulla e vjetër “Tu qepemi kodrave e maleve dhe ti kthejmë në toka pjellore si dhe fushat” u shndërrua në parullën luftarake “Tu qepemi fushave, kodrave dhe maleve dhe ti shndërruar në plantacione të mëdha me Cannabis Sativa”.
Politika, si gjithnjë në plan të parë, e shndërroi aulën e kuvendit në një auditor të madh për propagandimin e mbjelljes, kultivimit dhe eksportit të kanabisit. Lideri i madh karizmatik njohës i gjithçkaje në botën e gjallë dhe të vdekur, nismëtar i lëvizjes “T’i qepemi hashashit”, dha sihariqin e madh se ka dalë në dritë një kultivar i ri i cili mbillet, rrënjëzon, rritet dhe piqet për dyzet ditë. Nuk kishte se si të mos ishte ky lajm një thirrje e hapur për tu ngjitur deri në lartësitë më të mëdha të maleve të Dukagjinit, Korabit, Jezercës, Tomorit e maleve të tjerë ku vera nuk ka aq ditë me diell e temperatura as për pataten, “bukë e gjellë”. Me 40 ditë kanabisi u rritka edhe në malet ku bora zen borën!
Dhe hashashi mori malet...
Aq shumë ka marrë malet sa fotografimet ajrore nuk e dallojnë në se kemi të bëjmë me pyje pishash apo me plantacione hashashi. Lëçitësit të këtyre radhëve, me që e njoh Cannabis Sativën që në shkollën e mesme, madje jo vetëm kam dhënë mësim por edhe bashkë me nxënësit e kemi mbjellë në ngastra didaktike u them se shumimi i kanabisit me pathenokarpi nuk është trill i biologjisë së bimës por i politikës që ngjitet e zbret në karrigen e pushtetit. Kanabisi, si të gjitha bimët bujqësore shumohet me farë. Me farë që del nga bima femërore e tij degëzuar siç e sheh çdokush mbrëmjeve tek e korr dhe e djeg policia. E korr pa u pjek fara dhe e djeg duke i prerë rrugën e shumimit. Mbrëmjeve, ekraneve të vegjël të televizioneve dhe mëngjeseve, faqeve të para të gazetave, dëgjojmë e lexojmë për “kapje në flagrancë” dhe mbyllje në qeli të njerëzve për “një cigare hashash”. Burgjet shqiptare janë mbushur me “përdorues” e “kultivues” të bimëve narkotike. Asnjëherë në këto më se dy dekada përhapje, kultivimi e trafikimi të lëndëve narkotike nuk kemi parë e dëgjuar të kapen njerëz me “një qeskë” fara kanabisi për mos me thënë pastaj me thasë. ASNJËHERË! Asnjëherë nuk kemi dëgjuar nga faltorja e kuvendit të flitet për kontrolle doganore dhe kapje të sasive të farave të kanabisit, marihuanës e bimëve të tjera narkotike, për ligje të rrepta për ndalimin e tyre. Kërpi (Cannabis Sativa) shumohet me farë. Dhe fara nuk dihet se nga vjen. Nga jashtë? Rruga kryesore. Po kush e sjell dhe si e sjell? Kush e përcjell dhe kush e pret? Nga brenda? Rrugë me pikëpyetje. Po ku mbillet, piqet, korret, shihet, thahet e bëhet gati për mbjellje fara e kanabisit? Një pyetje që as është shtruar dhe as i është përgjigjur njeri me detyrim ligjor e me pushtet ekzekutiv. Çdo mbrëmje teksa shohim lajmet, çdo mëngjes tek dëgjojmë Bashkim Hoxhën të shfletojë faqet e para të gazetave dikush, për një cigare hashash burgoset. Asnjëherë, askënd, nuk kemi dëgjuar e lexuar të futet në burg për një “qeskë” me fara kanabisi. Kanabisi në Shqipëri kultivohet nga parthenopolitika sipas parimit një bimë digjet e njëmijë gjelbërojnë. Abdurahim Ashiku
Gazetar, Athinë
Comments