
KALEROJ NJE KAL TE EGER Eci nëpër natën dimërore të fushës Nga lartë, midis reve të frikshme të shiut Më vështron tinëz Hëna e përbaltur e Shëndreut. Cila furtunë e ka çuar baltën e dherave deri në hënë? Ah, unë e di, Asnjë furtunë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, asnjë ciklon Ato jan stërkalat që kan hedhur dikur Kuajtë e egër të fushës sime Në revanet e tyre biblike. Sonte nata është shpina ime e fshehur Që më shtyn drejt aventurës E unë iki pas hënës që vrapon para meje Të më çojë tek lëndinat e vdekura Ku prehen gjurmët e kuajve të egër. Shëndreu shkrepëtin papritur E ndez mbi lëndina Zjarrin e ringjalljes. Tufa kuajsh brofin nga gjurmët e tyre të lashta, E nisen të përmalluar Nëpër fushën e kthyer në Savanë. Hëna bëhet shalë argjendi mbi shpinën e një kali E unë hipi mbi të e kalëroj nëpër natë… Deri sa dielli të lindë, e unë të rilind bashkë me të Derdhur në revan! LIQENI I RINISE Kur shkonim dikur në breg të liqenit Dhe uleshim në hijen e shelgut vajtues Ujrat kompozonin muzikë për ne Ndërsa shelgu bëhej aq provokues. Kur zhyteshim të dy në ujrat e kaltra Dhe bënim rrathë me duar e me gurë Ujrat na rrëmbenin në fshehtësinë e tyre E na bënin të dyve, grua e burr. Kur dilnim të lodhur, të shtrydhja flokët Dhe pikat e rubinta më binin në gji Unë bëhesha sërish i etur pas teje Sikur ujrat e liqenit të më bënin magji. Por tashmë liqeni ynë i dikurshëm Eshtë kthyer i tëri në një pellg të cekët Sa herë që shkoj pranë tij i malluar Ujrat më flasin me zë të mekët. Kur zgjohem i trëmbur nga gjumi i kujtimeve Mbi ujrat e turbullta hedh nga një gur Liqeni fle në gjumin e përjetshëm As dallgë nuk bën, as rrathë si dikur. PYLLI I FSHATIT Sa herë që shkoj në pyllin e fshatit Dëgjoj këngën e zogjve të etur jaran Një nerv kujtimesh më ngacmon trishtueshëm E befas më bën të tërin nopran. Pylli rënkon nga pesha e gjelbërt Stinët harlisin shkurre e drurë Veç ngjyrë për thinjat e mia nuk gjetën Të m’i bënin sërish, si i kisha dikur. Nuk munda t’i ngjaja aspak këtij pylli Të rilindnin si gjethet, flokët e mi Të digjesha në zjarrin e këngëve të tij E prapë të bleroja, rinosh si ai. Tani vij e përhumbem shpesh në kujtime Me borën e dimrave, fshehur nën thua Drurët kërcasin nga zjarret e këngëve E hedhin gjinkalla të vdekura mbi mua.
Comments