Kafeja si pretekst


Pierre-Pandeli Simsia

Kafeja si pretekst


Dr Fatmir Terziu


"Kafe, kafe me bollëk... Oohhhh!" Kështu shkruan Pierre-Pandeli Simsianë brendësi të tregimit të tij “Kafeja”, nga i cili ka marrë emrin edhe vëllimi më i ri i tij me të njëjtin titull. I vë theksin këtyre fjalëve për të shpënë lexuesin më larg dhe për të afruar një risk ndjenjash e emocionesh kohore në hapësirë tjetër: “Sa i pasur po i dukej ai dyqan ku nuk mungonte asnjë mall.”

Dhe më pas në lidhjen me kafen, Pierre-Pandeli Simsia shton: “Kafe, fruta dhe fara të thata, pije të ndryshme alkoolike dhe freskuese të panjohura…” Por gjersa të gjitha këto ekzistonin karakterit të shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia “Mendja i rrinte tani vetëm tek i ati. Po i dhimbsej më shumë se kurrë. Donte të blinte kafe e t'ia dërgonte që atë çast. Po ku do ta mbante? Si do t'ia dërgonte? As vetë nuk e dinte se ku do shkonte atë ditë të parë të mbërritjes së tij në atë shtet të huaj…”

E gjitha që transmetohet apriori, aq sa është shkëputur në këtë fragment, përkitazi pikëtakon dhimbjen në forma të ndryshme, por afron edhe një lidhje të ngushtë më identitetin, me atë pjesë të tij ‘ndikimi transformues’ që erdhi në vatrën shqiptare, mes lidhjeve historiko-kulturore, për të dhënë qartë se kafeja ishte pjesa më integrale, e vetmja që na dallonte si një mishërim me të shkuarën. Kafeja është ai produkt, që jo aksidentalisht ka hyrë në këtë pjesë të identitetit. Kafeja nuk është thjesht një përzgjedhje e autorit. Nuk është as edhe një arsye ku roli i identitetit shihet si një metaforë lidhjesh historike. Në këtë rast funksioni i saj është i dyfishtë. Së pari, gatuan fabulën dhe përcjell mesazhin. Dhe së dyti formon lidhjen e saj historike me figurën e babain, në tërë funksionin e saj me identitetin shqiptar. Kafeja kësisoj krijoi dhe mban ende lidhje që shënojnë dukuri dhe prodhojnë forca mes dhimbjeve.

Kafeja është simbol. Simbol që lidhet me fate njerëzish në kohë, hapësirë e vend. Është një simbol që ndërlidhet me lëvizjen, arkitekturën e shpirtit të njeriut, me zbrazëtinë, me kontekstin e situatat, me tërë atë që vjen nga vetë autori dhe karakteri i tij ku “Ato ditë qyteti dukej i zbrazët; rrugët ishin pothuajse të shkreta. Shëtitjet e përnatshme të njerëzve në bulevardin kryesor të qytetit ishin më të shkurtra....” Në këtë zbrazëti vjen plaga e mocme shqiptare dhe shfaqet emigrimi. Vendi fqinj si një arsye tjetër. Dhe në këtë ‘arratisje’ të detyruara shpirtërore, morale, fizike, skamore vjen e diktohet kafeja, që rishtaz rikthen arsyen e lidhjes me babain, me tërë atë dhimbje që integrohet në një pikë të fortë të identitetit të ngurtësuar. Pra, ‘kafeja’?!

Po pse kafeja luan këtë rol integral me identitetin shqiptar? Lidhjet për këtë meritojnë studime të thella, mundësojnë kërkime të gjera kulturore dhe natyrshëm paraqesin mjaft debat. Kafeja shpesh thuhet se ka ardhur nga kohërat dhe kohërat i kanë dhënë edhe emrin asaj. Ne themi ‘kafe turke’ dhe zgjojmë mendime për kohërat otomane dhe ndikimin e tyre kulturor në identitetin shqiptar. Ne citojmë ‘kafe expresso’ dhe lidhim këtë produkt ndikues në identitet me fqinjin Italian, përdorim kafe në forma dhe metoda të ndryshme dhe themi ‘kafe greke’, ‘kafe angleze’ e mjaft të tjera…

Por mbi të gjitha janë lëvizjet dhe transformimet historike që kanë dendësuar së shumti arsyen e lidhjeve shqiptare me kafenë. Kafeja pra është më shumë se symbol. Të dhënat shkencore flasin më qartë. Kafeja përmban taninë dhe antioksidante, që kanë efekte pozitive për zemrën dhe arteriet. Gjithashtu, kafeja mund të të lehtësojë dhembjet e kokës… Kjo e fundit ndoshta më së shumti ka lidhje më të gjerë pse kafeja luan rol të ndjeshëm në jetën e shqiptarëve.

Kohërat që i vunë emrin kafesë, kohërat që i sollën kafenë shqiptarëve, domosdoshmërisht u kishin sjellë më parë edhe mjaft dhimbje koke. Dhimbje të tilla sic autori i këtij vëllimi me tregime i gatuan prekshëm. Në këto dhimbje është fëmija që kërkon dhe kujton për ujë të pijshëm, por është edhe tërë ai varg njerëzish që detyrohet të kalojë gjithë atë ujë të rrëmbyeshëm lumi me mjete rrethanore, ashtu sic autori tregon: “- Do ta kalojmë, po si? Me sqeparë, me gozhdë, me çekiçë...?

Gratë nga grupi i sapoardhur po dëgjonin me vëmendje dhe s'po kuptonin ç'po thuhej. Një grua, që po shihte degët e pemëve të thara të rrëzuara po mendonte: "Ah, t'i kisha unë në shtëpi tani gjithë këto dru për dimër... - T'i futemi punës e të mos vonohemi - tha përsëri burri dhe eci në drejtim të barrakës. Pas tij ecën edhe dy djem të rinj në moshë.

- Do marrim disa dërrasa nga kjo barraka këtu, do ndërtojmë një trapo, ta lidhim me tel...

- Ku j'u paska shkuar mendja more vëllezër, foli një burrë tjetër. Eh, mëndjendriturit...

- Se mos na kapin? - u dëgjua një tjetër zë burri.

- Mos na ndillni tersllëk tani.

- Ç'të bëjmë? Rrugë tjetër nuk ka. Ftohtë është. Lumi është i gjërë, janë gra dhe fëmijë - dhe e hodhi shikimin nga disa gra…”

Dhe kështu tregimi i autorit Simsia udhëton me ‘kafenë’ shtigjeve të ngushta e vrazhda të historisë për të treguar bukur se jeta dhe identiteti shqiptar janë transformuar e po transformohen ende në këto vite ku duhet të kapërcejnë male, fusha e kodra, lumenj e ngushtica për të ardhur tek ai bollëk kafeje, pas xhamave me tendencë zmadhuese. Figurat letrare që vijnë në këtë hapësirë rreken të plotësojnë jo vetëm stilistikën, por i japin një gjallëri jete tërë atyre shpresave që zgjon autori nën siglën simbolike të kafesë.

Tregimi ka edhe një lidhje të ngutshme e të padukshme me kohën e ‘kafesë së elbit’. Por edhe pse kjo kohë është disi e padukshme, ajo mbetet e ngutshme dhe e qëndrueshme në kuptimin e gjithë asaj situate që lidhet me kafenë dhe rrugën e saj mes të cilave shfaqen dhimbjet dhe vuajtjet shqiptare. Dhimbje dhe vuajtje shqiptare që shpesh mbetën mes lotëve të nënave, grave dhe motrave shqiptare që u trazuan në filxhanë kafeje, ku lexonin fate të ardhura nga këputje lidhjesh. Aty mes filxhanëve të kafesë lejonin simbolika të ndryshme figurinash që vinin mes formave të ndryshme të artit të përcillnin ngjashëm me tregimin e Simsisë, dhimbje të ndjeshme. Në këto lidhje simbolike arti i fjalës godet më në shenjë. Shënjestra e kësaj goditjeje vlen për një kohë më të gjatë.

Autori na ka prurë një rrugëtim metafizik mes ‘kafesë’ dhe na ngacmuar të kuptojmë simbolikën dhe simbolizmin e saj. Ne duhet të lexojmë me vëmendje e të përcjellim atë më tej. Është mesazh identiteti për brezat mes simbolizmit dhe jo plotit që na diktohet, pasi simbolizmi dhe ploti janë të ndryshme nga njëri-tjetri sipas kuptimit në tregimin e shkurtër. Megjithatë, në këtë tregim të dy këta figura forcojnë mesazhin për brezat, sepse kanë një marrëdhënie të ngushtë ndaj njëri-tjetrit, pasi ne e kuptojmë absolutisht situatën dhe komplotin e ngjarjes, apo më saktë planin e shtruar po ashtu të ndodhive në tregim të lidhur ngushtë me simbolizmin. Në këtë tregim simbolika është shfrytëzuar si një mjet për rritjen e stresit në tregimin e historisë me të cilën përshkruan autori. John Steinbeck, dhe Shirley Jackson, njihen si përdorues të shkëlqyer. Në krijimtarinë shqiptare të kohëve të fundit janë Zyba, Prifti, Gjini, Vranari, Kuqi, Gjoza, Mato etj, që e përdorin në mënyrë tipike simbolizmin dhe plotin, ku të dy këto figura ndajnë ndjeshëm funksionin për përdorimin e simboleve, ku simbolet janë përdorur për të shprehur mendime të ndryshme nga ato që kanë në fakt parasysh gjatë leximit të tyre lexuesit.

#Pierre #Pandeli #Simsia #terziu #fatmir

37 views

Shkrimet e fundit