top of page

Kadri Tarelli: Takim me shkrimtarët nga Durrësi

ree

 

 

 

KUVEND LETRAR NË SHKOLLËN 9-VJEÇARE “FUSHË-PREZË”



Takim me shkrimtarët nga Durrësi: Kadri Tarelli dhe Ali Balliu.

Në kuadër të “Muajit të Letërsisë”, shkolla 9-vjeçare “Fushë-Prezë”, Qarku Tiranë,  zhvilloi një takim letrar me dy shkrimtarë nga Durrësi, Kadri Tarelli dhe Ali Balliu, të njohur në fushën e letrave jo vetëm në Durrës, por në mbarë trevat Arbnore.

Shkrimtari Kadri Tarelli, ish mësues dhe drejtues shkollash, është autor i njohur i disa veprave letrare për fëmijë dhe të rritur. Botues i qindra artikujve në gazetat e Tiranës dhe nëpër botë, SHBA, Suedi, Londër, Zvicër, Dardani, ku përfshihen studime, reportazhe, analiza letrare, monografi, poezi dhe së fundi një libër me tregime, ku ndjehet pulsi i kohës që jetojmë.

Së bashku me të ishte edhe Ali Balliu, specialisti i bujqësisë, mësues, drejtues shkolle, kandidat për deputet, drejtues i pushtetit lokal për disa vjet me radhë. Më tej i vlerësuar nga organet Europiane si drejtues për afro 20-vjet i grupit të Kontrollit Ushqimor në Portin e Durrësit. Ai tashmë i përfshirë edhe në shkrimtari dhe krijimtari letrare.

Biseda ishte e ngrohtë, plot emocione dhe këshilla të vlefshme për të gjithë nxënësit dhe të rinjtë që duan të këndojnë, të mësojnë apo të shkruajnë.


ree

Të dy autorët, si mësues dhe drejtues të vjetër nuk e patën të vështirë të bashkëbisedojnë me nxënësit e shkollës, ku pyetjet ishin pafund, por edhe përgjigjet ishin plot vlera urtësie, si porosi dhe mësime të vyera për nxënësit, të cilët duhet të investojnë për vete, familjen, shoqërinë dhe mbarë kombin.

Këto ishin fjalët e mirëseardhjes mbajtur nga drejtore Jetmira Basha, si nismëtare e këtij kuvendi letrar, mbajtur në shkollën që ajo drejton, në këto ditët e fundit të Tetorit, muajit, të letërsisë.

Të pranishëm ishin grupi i mësuesve: Shpresa Carungu, mësuese gjuhë-letërsie, Alfred Dhaskali mësues i gjuhës anglisht, Drita Kulli, mësuese gjeografie, Klodeta Begolli, mësuese matematike. Në mes tyre edhe mësuesët e Ciklit të Ulët: Bajram Zyberi, Fatime Ahmati, Elda Guza.

Nuk ishte fat. Ishte besim, këmbëngulje dhe një dashuri e thellë për artin tim. Mësova se nuk ke pse të jesh si dikush tjetër për të shkëlqyer. Thjesht duhet të rezistosh, të përgatitesh dhe të kesh guximin, të tregosh zemrën tënde.   Al Paçino

  

   Më tej kuvendi mori udhën e një bashkë-kuvendimi të ngrohtë, ku nxënësit bënin pyetje dhe ne përgjigjeshim, natyrisht duke iu përshtatur moshës së tyre. Megjithatë duhet nënvizuar interesi i tyre i shtuar, por edhe niveli i kënaqshëm i pyetjeve, që nuk kishin fund.

Po rendis disa nga pyetjet që na drejtuan, natyrisht duke i dhënë përgjigje, herë të gjata dhe herë të shkurtra, për të shuar kureshtjen, por më shumë për të dëgjuar, se, si lind dhe shtrohet udha e krijimtarisë, e shkrimtarisë dhe poezisë, e cila nuk është as e thjeshtë, as e lehtë, sepse kërkon dije, durim, talent dhe vullnet të fortë.

- Ju vini nga Durrësi, por duam të dimë pak më shumë: kur dhe ku keni lindur? Më tej edhe dega e studimit në shkollën e lartë, Universitet.....? - pyet Arjonela Krasniqi

Përgjigje: - Kam lindur në rrethine Devollit të Qarkut të Korçës, ndërkohë që në Durrës erdha në moshë fare të vogël, duke mbaruar arsimin 7-vjeçar dhe më pas gjimnazin. Më tej Universitetin e Tiranës në degën Histori-gjeografi, që hapi udhën e mësuesisë, duke shërbyer në disa rrethe të vendit dhe në shkolla të ndryshme, 8-vjeçare dhe të mesme.

.Kur filluat të shkruani dhe pse? – Amarda Çaka.


1. Unë dhurova disa libra: “Kur lexoj një libër”, “Vjeshta në vargje”, “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”, (Monografi), “Filxhani me buzë të kafshuar”. (Tregime), dhe “Në botë letrare të Kadri Tarellit”, shkruar e botuar nga Vilhelme Vrana Haxhiraj.
1. Unë dhurova disa libra: “Kur lexoj një libër”, “Vjeshta në vargje”, “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”, (Monografi), “Filxhani me buzë të kafshuar”. (Tregime), dhe “Në botë letrare të Kadri Tarellit”, shkruar e botuar nga Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Përgjigje: – Nisa të shkruaj vonë. Bëhet fjalë për letërsi. Ndërsa pyetja “Pse?”, është e tepërt për të gjithë krijuesit, pasi letërsia dhe poezia nuk bëhen me urdhër, ato lindin si nevojë e brendshme e gjithsecilit për të thënë diçka me shoqëri, duke shprehur mendimet, ndjenjat, g[zimet dhe shqetësimet. Poeti i ndritur Dritero Agolli, thotë diku: - A mund të ndalet teshtitja..? - Dhe vazhdon: - Ashtu nuk ndalet dot poezia dhe krijimtaria.  Nuk ka më bukur, kur kohën e mbush duke krijuar.

. Cila është vepra juaj më e dashur? – Rivja Cika.

Përgjigje: Nuk mund t’i ndaj dot, pasi secila ka vlerën e vet. Por më duket sikur më tërheq më shumë libri “Misionarë në udhën e dijes”, pasi është shkruar për mësuesit e Durrësit, të vlerësuar si “Mësues i Popullit” dhe “Mësues i merituar”.  Edhe mësuesit tuaj e dinë po kaq mirë, se “Mësuesia” nuk është vetëm profesion, por më shumë “Mision” ndaj brezit të ri, mëmëdheut dhe kombit. E gjitha ka të bëjë jo vetëm mësim, por më shumë edukim dhe vetë-edukim. Dhe, edukimi nuk përfundon në një orë mësimi, as në një ditë, as edhe në një vit, sepse është proces që zgjat, shpesh edhe gjithë jetën. Mësuesi udhëheq, kontrollon, drejton, këshillon dhe më shumë frymëzon.

. Nga merrni frymëzim për shkrimet tuaja? – Egla Mici


2. Ali Balliu dhuroi librat: “Rrugët me kalldrëm të jetës time” dhe “Ditari i kujtimeve”.
2. Ali Balliu dhuroi librat: “Rrugët me kalldrëm të jetës time” dhe “Ditari i kujtimeve”.

Përgjigje: - Nuk ka përgjigje të prerë, por ngacmimet vijnë nga problemet dhe ngjarjet e ditës, apo të kohës që jetojmë, shpesh edhe nga një gëzim, shaka apo mërzitje çasti, ndodh që edhe nga një libër i bukur që më tërheq. Lexoni tregimet në librin “Filxhani me buzë të kafshuar” dhe do të bindeni.

. Cilat tema i trajtoni më shpesh në veprat tuaja? – Jugera Disha.

Përgjigje: - Nuk ka asnjë përjashtim. Bota e letrave është pa kufi, sepse mund të përfshihen krijime letrare, poezi, intervista, monografi, studime dhe analizë librash historik, shkencor..., etj, etj. Më tërheqin librat, veçanërisht ku ka tema historike. Shumë shkrime u përkasin atyre veprave dhe autorëve të nderuar.

. A përdorni përvojat tuaja personale në shkrime? – Endri Muhadri

Përgjigje: - Pa tjetër. Madje mund të shtoj se stili dhe cilësia e shkrimeve përsoset me kalimin e kohës. Përvoja të ndihmon, shpesh edhe të drejton.

. Sa kohë ju merr të shkruani një poezi ose një tregim? – Leonard Sinanaj.

Përgjigje: - Koha është e pamundur të përcaktohet. Një poezi mund të shkruhet për disa minuta, kur vjen frymëzimi, ndërsa tregimi harxhon më shumë kohë, sepse ndodh që shpesh duhet t’i kthehesh, për ta ndrequr fjalinë, frazën, shprehjen dhe mendimin.  

. Si e zgjidhni titullin e një vepre? – Asja Ciku.

Përgjigje: - Me sa di unë, ka dy mënyra: Disa mbarojnë shkrimin dhe vrasin mendjen të gjejnë titulli. Unë gjej titullin dhe pastaj shkruaj. Titulli në vetvete shpreh thelbin e librit, tregimit apo romanit dhe novelës. Prandaj shkrimtari e vret mendjen, që kreu të jetë jo vetëm i bukur e goditës, por edhe përcjellës i kumtit letrar. Kështu i hapet udha edhe frymëzimit.

. Si e perceptoni ndikimin e veprave tuaja tek shoqëria? – Enri Caka.

 

3. Fotografitë u bënë nga mësuesja Elda Guza. Meriton falënderim.....!
3. Fotografitë u bënë nga mësuesja Elda Guza. Meriton falënderim.....!

           Përgjigje: - Askush nuk mund ta përcaktojë sa ndikim ka te këndonjësi. Gjithsesi, kur lexuesi e krijuesit merren me librin tënd, duke shkruar apo komentuar, madje duke porositur të tjerët, ky është një lloj testimi, se libri yt paska vlerë. Madje vlerat e vërteta janë kur librit tënd i kthehen pas kalimit të viteve.

. Cili ishte shkrimtari që ju frymëzoi më shumë gjatë rinisë? – Tarja Laka.

            Përgjigje: - Në rininë tonë lexohej shumë. Çdo njeri nga ne duhet të bënte mik apo mikeshë librashitësen, që librat e Kadaresë, Agollit, Fatos Arrapit, Kongolit, Xhevahir Spahiut,...... etj, etj, t’i ruante poshtë banakut se ndryshe nuk i gjeje dot. Sot ka ndryshuar koha. Teknologjia sikur po e zbeh leximin. Kam përshtypjen se ky është një dyluftim që do zgjasë shumë. Por libri nuk do të shuhet kurrë. Megjithatë emrat që kanë vulën e kohës, si Samiu Naimi, Fishta, Mjeda, Kadare, Agolli, Vilhelme Vrana Haxhiraj, janë ikona e letërsisë shqipe, që frymëzojnë shpirtin dhe mendjen.

. A keni ndonjë veprim rutinë të veçantë, kur shkruani? – Alvi Abazi.

Përgjigje: Zakonisht unë ulem dhe shkruaj, pas orës 21.00, ose 22.00, kur bisedat dhe programet televizive nuk më tërheqin. Krijimtaria kërkon qetësi. E vetmja gjë që mund të shoqërojë është muzika me zë të ulët.

. Si reagojnë lexuesit ndaj veprave tuaja? – Endri Muhadri

Përgjigje: - Pyetje e bukur....! Po përgjigjem thjesht: Në librat që kam sjellë për Bibliotekën e shkollës suaj, kam marrë edhe librin “Në botën letrare të Kadri Tarellit”, shkruar nga shkrimtarja dhe studiuesja e njohur vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj. Besoj nuk është pak...... Një libër që i bën jehonë krijimtarisë sime.

. A keni marrë pjesë në ndonjë konkurs ose festival letrar? – Sindi Kulli.

Përgjigje: Po jam i pranishëm në konkurse letrare si në Durrës, Tiranë, Bajram Curi (Tropojë), Përmet, Kukës, Lezhë, Burrel (Mat), më tej në Dardani: Prizren, Istog, Pejë, Gjakovë, Drenas, Guri Plakës, Therandë, etj, etj. Po kështu edhe në Itali. Disa herë jam vlerësuar me çmime.

. Cilat janë planet tuaja për shkrimet e ardhshme? – Armin Mesi.

Përgjigje: - Janë në dorëshkrim edhe pesë libra gati të përfunduar. Mbetet të gjej financim për t’i botuar. Shpresoj......!

. Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni te lexuesit? – Bjorni Tarja.

Përgjigje: - Besoj është pyetja më e vështirë....! Mesazhi, apo më mirë në shqip “kumti”, të mos jetë thjesht një këshillë sa për të kaluar radhën. Mirë është të dëgjohet veçanërisht nga ju të rinjtë: - Mos ju ndani librit. Lexoni dhe mësoni sa më shumë. Ky është investimi më i bukur që i bëni jetës suaj. Dijet hijeshojnë dhe fisnikërojnë jetën dhe shpirtin, për të dashur e nderuar familjen, shoqërinë, mëmëdheun dhe kombin”.

Në këtë linjë vlerësimi ishte edhe kolegu Ali Balliu, i cili falënderoi drejtoreshën Jetmira Basha, kolektivin mësimor dhe nxënësit, sa të bukur, aq të hijshëm e të dashur, të cilët na dëgjuan me vëmendje deri në fund, na dhuruan buzëqeshje e kënaqësi, pavarësisht se koha kishte vrapuar pa pyetur askënd nga ne.

Dashje pa dashje kuvendi mori formën e një lloj interviste të shkurtër mbi krijimtarinë tonë. Dikujt mund t’i shërbejë si model pune dhe frymëzimi. Do na pëlqente të ndodhë kështu......!

Urime dhe suksese në udhën e dijes dhe të edukimit....!

Jeta e shkollës zbukurohet dhe merr pamje e përmbajtje të re.....!

Sa më shumë takime dhe kuvende të tilla letrare! 

 

Mirënjohje!

 

Kadri Tarelli

30, vjeshta e dytë, 2025.

Shënim:




Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page