top of page

Kadri Tarelli: HYSEN DIZDARI NË LIBËR ME VLERA TË LARTA ATDHETARIE

ree

 

 

HYSEN DIZDARI NË LIBËR ME VLERA TË LARTA ATDHETARIE

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2017”.

 

 

 

Jam nisur të mbetem vërtet një kambanë,

Aspak s’tingëlloj e s’gjëmoj po s’më ranë.

Më bini, ju lutem, përherë e ngaherë,

Në doni prej meje gjëmim e poterë.”

Dritero Agolli. Poezia “Lutja e kambanës”.

 

Është e para herë që ndeshem me një libër të tillë, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2017”. Më saktë, me krijimtarinë e studiuesit Hysen Dizdari, koleksionist i pasionuar i pullave, njëkohësisht edhe autor i disa librave studimor, ku si lëndë e parë shërbejnë pullat postare. Një formë dhe gjetje interesante si studim dhe krijimtari, aq sa mrekullohemi për talentin dhe guximin e këtij autori, i cili është vlerësuar këtu dhe në botë.

Më duhet të them se koleksionistët janë një “racë” e veçantë dhe e çuditshme. Kam njohur koleksionistë pullash, pikturash, monedhash, flamujsh, etj, etj. Por Hysen Dizdari nuk mbetet deri këtu, fanatik dhe i mbyllur në vetvete me “Thesarin” e tij, për t’u kënaqur vet dhe një grup miqsh e shokësh të dashuruar me koleksionet. Ai merr mundimin, studion e boton, duke e bërë pasionin dhe punën e tij, pronë të gjithë shoqërisë shqiptare. Ndaj meriton adhurim e mirënjohje.......!  

I thjeshtë titulli i këtij shkrimi kushtuar librit, apo albumit në shqip dhe anglisht, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2017”, siç janë të gjithë shkrimet që i kushtohet veprave shkencore. Është një libër i veçantë, si nga paraqitja ashtu edhe nga përmbajtja: - Ta studioj dhe njoh historinë e Shtetit Shqiptar nëpërmjet historisë të pullave postare, jo pak por rreth 150 pamje, kumton Thimi Nika, autori i librit “Historia e Filatelisë Shqiptare”. Pse ta mohoj, studimi i këtij libri është befasi, diçka krejt e re për mua, mbase edhe për shumë të tjerë.


Hysen Dizdari
Hysen Dizdari

Ky libër shfletohet si një album, por në brendësi të faqeve gjejmë që në krye poezi të Naim Frashërit, “Porosi e Skënderbeut për Shqiptarët”, shkëputur nga “Historia e Skënderbeut”. Ide mjaft e bukur, sepse përcillet kumti i bashkimit, si shqetësim i përhershëm i intelektualëve shqiptar. Më tej hasim, jo vetëm praktikën e shtypjes, kohën e përdorimit, çmimin, ngjyrat dhe sasinë e pullave në ecurinë e shtetit Shqiptar, por edhe sa kohë janë përdorur, duke vënë vula zyrtare, diku-diku edhe të postave lokale.

Dikush mund të mendojë dhe të pyesë: - Pullat janë thjesht formë legale e kontrollit dhe taksës që vendos shteti mbi qarkullimin e letrave dhe mallrave, apo më shumë se kaq......? – Po....! Më shumë se kaq. Pullat janë dokument historik i pastër, pasi ka vulën e shtetit dhe vulën e kohës, duke fiksuar historinë e shtetit në një formë tjetër, një copë histori e njohur, e prekur dhe përkëdhelur nga publiku.

Lexuesi mund të mrekullohet ashtu si unë, kur shikon në faqet e para portretin e Skënderbeut, nga pulla e vitit 1913, në sixhade, punuar mjeshtërisht nga artizanët e Kukësit, më 2017. Nëse dikush është vërtet i kujdesshëm, do të hasë edhe historinë e  këtij portreti, që në përgjithësi ka mbizotëruar pullat shqiptare për një kohë mjaft të gjatë. Të gjitha veprimet, vulat apo mbi shtypjet e pullave, janë fare normale për kohën e trazirave të mëdha të luftës së Parë botërore (1914 – 1918), përfshi edhe lëvizjet dhe kryengritjet, siç ishte ajo e Haxhi Qamilit, që luftonte kundër Mëvetësisë. Kqyrni me kujdes: gjashtë pulla, ku vlera e tyre shkruhet turqisht, “Grosh” dhe “Para”. E gjitha pasojë e lajthitjes së lëvizjes antishqiptare,  për të mos u shkëputur nga perandoria osmane. Dëshmi që vulos historinë, pa lënë shteg për mëdyshje.


ree

Natyrisht në rrjedhën e kohës dhe qeveritë ndër vite, bënë ndryshime në paraqitjen e pullave, pa prekur thelbin dhe karakterin atdhetar. Diku u vendosën armët e Skënderbeut, shpata dhe përkrenarja, diku vetëm shqiponja apo koka e kalit, diku kështjellat që mbronin dheun e shqiptarëve, etj.

Edhe gjatë periudhës së sistemit komunist, u përdorën disa variante pullash: portret, foto e Monumentit të Skënderbeut në Krujë, (Unë e vlerësoj si vepra më e arrirë artistikisht), më pas monumenti në qendër të Tiranës, pikturat në muzeun e Krujës, madje edhe piktura të autorëve të huaj, (E. Delakrua), mes tyre edhe piktorë anonim. Interesant pasi nuk mungojnë edhe krijime artistike, portrete vajzash shqiptare me veshje kombëtare, vegla muzikore, si lahuta, etj, të cilat bukurmirë i bëjnë jehonë historisë së lavdishme të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut dhe historisë sonë kombëtare.

Në këtë udhëtim mendimi, po më pëlqen pulla e prodhuar në vitin 2014, e titulluar “Papa Françesku në Shqipëri”, ku në plan të parë është portreti i Papa Françeskut, ndërsa në sfond paraqitet monumenti i Skënderbeut, vendosur në sheshin qendror të Tiranës.

Në vitin 2017, u vunë në qarkullim disa pulla me vlera të ndryshme, të titulluara “Arti Shqiptar-Vizatimi”. Në këtë rast është për t’u lavdëruar puna e studimore e autorit, ku herë pas here shënon jo vetëm datën dhe vlerën e pullave, por edhe cilësinë grafike të tyre, si një lloj jehone të artit shqiptar, kushtuar periudhës së luftës për liri, udhëhequr nga Skënderbeu. Bindemi lehtë po të vërejmë me kujdes shkrimin ku shënohet shkurtimisht: “Veçoria e këtij emisioni është se të gjitha pullat e bashkuara së bashku, japin pamjen e plotë të pikturës së quajtur “Përballimi”, e cila sot ndodhet e ekspozuar në Muzeun e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në qytetin e Krujës”. Punë e piktorit Naxhi Bakalli. Faqe 68

Në fund, dua të veçoj dhe të vlerësoj katër faqe, ku përmblidhen dy kapituj që i japin librit vlera dhe besueshmëri shkencore:

1. Literatura filatelike. 2. Literatura shkencore.

Vetëm studimi i këtyre botimeve, në kohë dhe autorë të ndryshëm, është lodhje, mundim e durim skllavi dhe vullnet shkencëtari, për autorin Hysen Dizdari, i cili për hir të së vërtetës ia ka kushtuar të gjithë veprimtarinë jetësore, kërkimit dhe grumbullimit të botimeve kushtuar heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.  Ndaj nuk kursehet të na japë edhe një porosi: “Historia e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, duhet të studiohet e të njihet mirë nga brezi i ri, historia e të cilit duhet të shërbejë si burim frymëzimi për çdo shqiptar, për të ruajtur të pastra idealet tona atdhetare”. 

Ashtu si autori, edhe unë mbetem me shpresë se, kjo porosi e shenjtëruar, do të dëgjohet nga institucionet shkencore, Akademia Shqiptare e Shkencave, drejtuesit e shtetit dhe mësuesit si “Misionarë të dijes dhe edukimit” në shkollë.

Urime dhe suksese në udhën e mundimshme të studimit dhe botimit të librave të tillë. Janë vlera kombëtare.

 

Miqësisht e mirënjohje!

Kadri Tarelli

Durrës, më, 24, të vjeshtës së tretë, 2025.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page