top of page

Kadri Tarelli: BAJRAM HALIL GASHI FESTON 80-VJETORIN E TIJ


BAJRAM HALIL GASHI FESTON 80-VJETORIN E TIJ.

Mes familjes, miqësisë dhe shkrimtarëve durrsak

Jo më larg se një javë dit më parë, pikërisht më 17, 01, 2026, në lokalin “Ullishta”, në kodrat e Spitallës në Durrës, miku ynë Bajram Halil Gashi, festoi i 80-vjetorin mes pjesëtarëve të familjes, miq të rrethit familjar, po ashtu edhe mes një grupi shkrimtarësh dhe artistësh të Durrësit. Mes nesh ishte ardhur nga Peja e Dardanisë, z. Dush Zeqiraj, një mik i rrallë, i cili ka një histori të veçantë, jam i bindur se është e rrallë në jetën e përbashkët të shqiptarëve, tani në kohën tonë, ku gardhi që na ndante është prishur.

Me dy fjalë: pejani Dush Zeqiraj, vjen në Durrës në çdo 30-31 mars, në kujtim të atyre ngjarjeve të vitit 1999, kur mijëra shqiptarë të Dardanisë, të shpërngulur dhunshëm nga ushtria pushtuese serbe, lanë shtëpi e katandi dhe u strehuan në shtëpitë e shqiptarëve këtu në Shqipëri. Ai vjen në Shënavlash, në familjen e Bajram Halil Gashit, pi një kafe në Currila, kalon një drekë apo darkë, fle një natë dhe përcillet me nderim, duke premtuar se do të vijë përsëri në Durrës, në “Mekë” të shqiptarisë.

E gjithë festa u mendua dhe organizua nga Dardani, (djali i Bajramit), i cili familjarisht jeton e punon në Itali. Por më duhet të them, se e gjithë kjo ngjarje u mbajt “sekret” për mikun tonë Bajramin, i cili e mësoi të vërtetën e udhëtimit nga Italia, vetëm kur e thirrën se dreka është gati.

U mallëngjye, kur pa atë mjedis feste, me aq shumë njerëz. Sytë iu mbushën me lot nga e papritura që ndeshi. Mbeti një çast, më pas duke qeshur na “shau”: - Ne dje pimë kafe dhe si nuk më thatë asnjë fjalë.....! Ju lumtë.....! Nuk e kisha menduar kurrë, se do më ndodhte kështu....! jam tejet i lumtur......!

Më duhet të them se festa u programua si një spektakël letrar-artistik, ku u fol për jetën arsimore dhe letrare të Bajramit, si krijues dhe studiues i përkushtuar i arsimit dhe veçanërisht, në zbulimin e figurave të ndritura të Dardanisë, të lëna qëllimisht në heshtje, në harresë, mbuluar nga pluhuri i djallëzisë dhe ligësisë së kohës së diktaturës.

Unë përgatita një fjalë të shkurtër, duke u përqendruar te krijimtaria letrare, artistike dhe historike.

Njeriu duhet gjithnjë të punojë për diçka më të mirë e më të lartë; njeriu duhet të justifikojë ekzistencën e tij, qoftë në mënyrën më modeste.     Poeti Prokop Gjergo

Si fillim:

Përshëndetje pjesëmarrësve: - Festa të tilla paçim përherë në familjet tona! Urime.....! Kështu u mbledhshim në gëzime të secilit....!

Një urim të veçantë për mikun tonë pejan Dush Zerqiraj, i cili sa herë shkojmë në Pejë na pret dhe na përcjell me bujari e zakon shqiptarie. Por sa herë vjen në Durrës, e presim dhe e përcjellim me dashuri e mikpritje durrsake.

Për ju të pranishëm, po ju them se jam i vetmi mes jush që mund të flas për Bajramin, kolegun dhe mikun tonë, me dit dhe net pa u lodhur, pasi e kam ndjekur të gjithë veprimtarinë letrare që në fillesë. Njëkohësisht jam edhe redaktori i të gjithë librave të tij. Libra që  shumica nga ju i kanë në bibliotekat e familjes, mbase mbi oxhak në dhomën e pritjes, ose në “Odën e burrave”. Libra me vlerë në historinë kombëtare, për t’u përuruar në Akademinë e shkencave në Prishtinë dhe Tiranë.

Nuk e teproj të them se Bajramin e vlerësoj dy herë si “Misionar”:

Së pari: si mësues dhe drejtues shkolle, ku për vite me radhë ka kaluar breza të tërë nxënësish, që sot shumica janë kuadro drejtues, gjyshër dhe prindër të nderuar. Besoj se e meriton një duartrokitje......!

- Mjafton të lexoni librin “NJË SHEKULL NË UDHËN E DIJES”, kushtuar historikut të shkollës së ShënaVlashit dhe do të bindeni, se me sa dashuri shkruan për mësuesit e shkollës dhe po ashtu edhe për nxënësit e saj, ku shumë prej tyre kanë bërë emër në jetën publike, shtetërore dhe shkencore. Më pëlqen kur thotë: “Shkollën e mirë e bëjnë mësuesit, ndërsa emrin ia japin nxënësit që kapin majat e jetës”.

Së dyti: Bajramin e quaj edhe “Misionar” i atdhetarizmit dhe shqiptarizmit, sepse me shumë mundim dhe përkushtim, në librat e tij ka bërë atë që, si askush tjetër, ka nxjerrë nga heshtja dhe pluhuri i kohës, figura me vlerë kombëtare. Përmend: legjenda e këngës popullore të Dardanisë, Dervish Shaqa e Demush Neziri dhe grupi “Kosovar”, bashkë me ta edhe valltarja Merushe Badolli, e cila solli në skenën shqiptare vallet e Dardanisë.

 Më tej, Bajrami solli mes nesh heroin Bajram Sali Gashi, ish drejtor i shkollës në ShënaVlash, 1937-1941, i cili la detyrën dhe fluturoi në Dardani. Ai këmbeu librin dhe rrëmbeu pushkën për liri. U vra duke luftuar kundër pushtuesve serb, në shkurt 1945. Në vazhdim nxori në dritë heroin tjetër, gjakovarin Haki Taha, mësues në Shënavlash 1938-1941, i cili iu bashkua atyre 250 mësuesve nga Shqipëria, që mësynë Dardaninë, duke hapur shkolla ku të mësohej e të flitet shqip. Por ai nuk ndaloi këtu: Koburja e tij u “zhgreh” disa herë mbi armikun e shqiptarëve, Miladin Popoviç, në mars 1945, duke e lënë të vdekur në zyrë. Fjala e tij mbetet lapidar: “Dardania nuk është e juaja, është e jona, e shqiptarëve”.

Bajrami është modest, duke thënë se ka bërë detyrën si çdo shqiptar, por unë them se ka bërë shumë. Unë që e di mirë, se sa vuan një studiues që guxon të merret me histori e monografi, e vlerësoj tej mase. Ai në të vërtetë u ngriti heronjve të tij, secilit nga një përmendore. I bëri të përjetshëm në letrat shqipe dhe në histori, aq sa brezat e rinj mund të mburren me ta, dhe t’i kenë model trimërie, fjale, urtësie, bese dhe atdhedashurie.

Në këtë udhë mendimi, gjithsecili nga ju dhe të tjerët që janë rreth nesh, në Durrës apo gjetiu, duhet ta dinë se ishte përpjekja dhe këmbëngulja e Bajramit tonë, që shkolla fshatit Fllakë, këtu në rrethin e Durrësit, të marrë emrin Shkolla 9-vjeçare “Bajram Gashi”, në nderim të Bajram Sali Gashit, mësuesit dhe heroit të luftës për lirinë e Dardanisë dhe bashkimin e trojeve mbarë shqiptare.

Besoj nuk është pak, por duhet thënë, që brezat mos harrojnë. Problemet kombëtare duan guxim, durim dhe zemër të madhe. Shpesh i them vetes dhe miqve në bisedë: - “Nga se dallohen njerëzit e mëdhenj, veçse nga veprat që lenë pas”.

Mos i kurseni duartrokitjet. Janë të merituara.....!

Këtu mes nesh në këtë festë ka mjaft të rinj shkollarë dhe universitarë, që e duan librin dhe lexojnë. Jam i bindur se kur këndojnë e mësojnë se sa mirë e bukur është shkruar, e falënderojnë mësuesin dhe studiuesin Baca Bajram, duke shprehur mirënjohje dhe falënderim. Por jam i bindur se askush nuk pyet se sak kohë ka harxhuar, sa ka vuajtur duke “bredhur” lart e poshtë në Shqipëri dhe Dardani, për dokumente, fotografi, kujtime, intervista, etj, etj.

Më pyesni mua dhe ju them: Bashkë kemi shkuar disa herë në Qerret, Katund të Ri, Shijak. Më tej në Tiranë. Elbasan, Shkodër, Rrëshen, Kukës e Has të Tropojës. Edhe më tej, shumë herë në Dardani: Prishtinë, Istog, Pejë, Gjakovë, Deçan, Skënderaj, Prekaz, Mitrovicë, Therandë, Drenas, Prizren, etj. Shpesh edhe për një fjalë......!   

 Kam përshtypjen se askush nuk pyet sa ka shpenzuar, qoftë për udhëtimet, po ashtu edhe për përgatitjen dhe botimin e librave. Pyeteni dhe do t’u thotë: - “Njerëzit për të cilët kam shkruar, meritojnë më shumë....! Vepra dhe gjaku i tyre, ashtu si mëmëdheu, nuk ka çmim......!”

Në fund po citoj pak vargje:

Bajram Halil Gashi, burrë hije rëndë në burrni,

Në odë burrash, në krye të oxhakut, në kuvend.

Heronjtë i ngjalle. U ngrite përmendore në histori.

Të kujtohen përjetë. Për heronj ka nevojë ky vend.

Por fjala dhe puna jonë nuk u mbyll këtu, sepse u lexuan dy certifikata mirënjohjeje.

E para: Bajram Halil Gashi bëhet anëtari më i ri i organizatës: “Federata e Paqes Universale”. Dega Durrës. Certifikata u lexua dhe u dorëzua, nga poete Merita Kuçi Thartori.

E dyta: z. Ali Balliu, shkrimtar dhe mik i yni, lexoi dhe dorëzoi “Certifikatë mirënjohje”, dërguar nga miqtë shkrimtarë nga Durrësi. Ai u kujdes të lexojë jo vetëm përmbajtjen, që lidhet me punën e Bajramit si mësimdhënës e drejtues shkolle, por më shumë për kërkimin, studimin dhe botimin e librave për heronjtë, artistë dhe dëshmorë të kombit. Në fund të certifikatës, lexoi emrat e shkrimtarëve dhe artistëve, që kanë qenë pranë Bajramit në krijimtari dhe veprimtari përuruese. Ndër ta: Shpendi Topollaj, Kadri Tarelli, Agim Bajrami, Merita Kuçi Thartori, Ali Balliu, humoristi Mond Halili dhe Erjona Fiqiri Resulaj.

Të ndërruar pjesëmarrës, po afron fundi i fjalës sonë. Mos u mërzisni se edhe shumë pak ka mbetur.......! Sepse: Kur kini të bëni me shkrimtarë, nuk shpëtoni lehtë......!

Miku ynë nga Peja z. Dush Zeqiraj, i dhuron Bajramit, librin voluminoz, “Meseletë, mahitë, dhe urtitë e Rrafshit të Dukagjinit”, me autor, Murteza Osdautaj.

Ndërsa unë Kadri Tarelli, dhurova dy copë të librit tim të fundit, “Filxhani me buzë të kafshuar”. Një për z. Dush Zeqiraj dhe tjetrin për z. Ymer Gashin, duke i uruar lexim të këndshëm dhe ta pinë kafen me qejf, duke pasur përpara librin tim. Kështu do t’i shijojë më shumë, sepse bisedojnë shtruar me një mik të mirë.

I shtoj këto pak fjalë, të cilat m’i përmend miku ynë Bajram, sa herë që flas në telefon: - “Jam duke pirë kafe dhe po bisedoj me ju, pasi në tavolinë kam librin tënd, me filxhanin plot me kafe. Nuk mërzitem, sepse çdo ditë kujtoj bisedat pa fund për punën krijuese, librat dhe përurimet, të cilat vetëm kanë filluar, por nuk kanë mbaruar.......

 Të nderuar pjesëmarrës.....! Ju faleminderit që na dëgjuat deri në fund, duke i lenë vend këngës dhe valleve. Jemi në festë dhe duhet të gëzojmë bashkë me Baca Bajramin, heroin e kësaj veprimtarie kaq të bukur dhe me kaq vlera. Është ngjarje model, që do të kujtohet gjatë nga ju dhe nga ne.

Urime Bajram Halil Gashi, me Sabrijen në krah, me Dardanin e nusen, bijat e dhëndurët, nipat dhe mbesat, që mbushin oborrin. Je vërtet “Shtëpi e madhe!

Kështu në të tilla festa u mbledhshim përherë! Gëzuar!

 

Kadi Tarelli

Mes dimri, 2026.

 

Shënim: Jam detyruar të vendos emrin e atit, pasi janë shumë persona që kanë të njëjtin emër dhe mbiemër, Bajram Gashi.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page