top of page

Kadri Tarelli: “ANTOLOGJIA POETIKE E DEVOLLIT”. 2

23 minutes ago
3 min read

 

“Duani dhe vjershëtorë,

Barabar me perëndinë,

se rri me lule në dorë,

edhe këndon dashurinë…!”. Anton Zako Çajupi

 

“ANTOLOGJIA POETIKE E DEVOLLIT”. 2.

Përmbledhje nga Kosta Nake.

Sot e shtunë...... Një telefonatë nga miku i hershëm Kosta Nake: - Takohemi pranë Stacionit të Trenit në Durrës. Ai më dhuroi librin “Antologjia poetike e Devollit”. 2. Një libër goxha i madh, rreth 330 faqe, ku janë përfshirë një numër i ndjeshëm poetësh devollinj, me moshë të përzierë, ku krahas penave të hershme, dallojnë edhe emra të rinjsh, si një vlerë e shtuar e librit.

Autori që në fillim na bën me dije se në krye të këtij libri, jashtë rendit alfabetik, janë dy poetë me emër të ndritur në Devoll, Dritero Agolli dhe Skënder Rusi, duke i lenë një vend të merituar nderi, pavarësisht se të dy emrat janë pjesë edhe e “Anologjisë”, nr.1, botuar në 2016, pra dhjetë vjet më parë.

E ftova për kafe, por ishte në nxitim, sepse do takonte artistin poet Edmonda Agollin, i cili e priste në qendër të Durrësit. Kështu që do më duhet ta ftoj një ditë tjetër, pasi bisedat rreth librave nuk kanë fund, kanë vetëm fillim.

Ajo që më bën përshtypje është modestia e tepruar e autorit Kosta Nake, i cili nuk e di pse nuk ka vënë emrin e tij në ballinë të librit, as fotografinë në fund. Dikush mund ta justifikojë: është përmbledhje poetike, me një fjalë janë shumë poetë, po është Kosta që e ka ndjekur me shumë kujdes dhe këmbëngulje grumbullimin e materialit, sistemimin e jetëshkrimit të shkurtër, etj, etj. Më tej, gjetjen e përshtypjeve që kanë bërë lexuesit, pa përfshirë këtu vajtjen disa dit me radhë tek shtëpia botuese “Jozef”, këtu në Durrës. Një fjalë-goje të harxhosh disa orë në disa dit, duke ndjekur faqosjen deri në përfundim.

Madje, ç’të keqe ka vendosja e emrit.....!? Sot mësova se Kosta është autor edhe i Antologjisë nr.1. ku natyrisht sipas kësaj llogjike, nuk ka vënë emrin në krye të librit, me idenë, se poetët devollinj e dinë kush e ka hartuar dhe botuar atë libër. Unë e vlerësoj si modesti e tepruar, që nuk i shërben askujt.

Nuk jam unë i pari që e them, por jam në një mendje me të mençurin që thotë: “Modestia e tepërt nuk i vlen askujt”. Emri në ballinë të librit nuk është mburrje, as privilegj, por një lloj nderimi për vete, për punën dhe kohën e harxhuar.

Gjithsesi, libri tashmë është në dorë të lexuesit, i cili ka të drejtë të bëjë vërejtje për poezitë e përzgjedhura, për tematikën, frymëzimin, figurat letrare dhe kumtin që përcjell vjershëtori devolli.


Unë dua të ndalem në dy gjëra të vogla në dukje:

. Autori është kujdesur që veç listës së autorëve, të hartojë një përmbledhje me veprat e autorëve, ku janë marrë poezitë, pasi një pjesë e madhe e tyre kanë dy apo tre botime. Mos harrojmë se bëhet fjalë për një periudhë 10-vjeçare nga botimi i parë. Më pëlqen kjo përkujdesje, për të qenë të qetë me vetveten, poetët dhe këndonjësin.

. Një element shtesë që bie në sy menjëherë, është se veç listës së veprave, është vendosja në faqen e parë dhe të fundit të ballinës, paraqitja e veprave të autorëve ku janë marrë poezitë. Një gjetje e bukur e fiksuar me ngjyra, që e zbukuron librin dhe shton kënaqësinë e gjithsecilit.

Për kënaqësinë e këndonjësit të përkushtuar, po citoj pak vargje nga artisti poet Edmond Agolli, disa prej të cilave i kam dëgjuar e fiksuar kur pimë kafe në qendër të Durrësit.

“Mbi sokak të kalldrëmtë,

Rrëzë malit në luginë,

Nën çati lidhur një frymë,

gjeta mbjellë dashurinë”. Poezia “Progër”. Faqe 61

............................................

-       Pak vargje nga Arben Zeqo:

“- Ditës në të gdhirë.

Aroma e vendlindjes më zuri pusinë,

Poshtë ndënë Moravë, dita më agoi.....

.... Dale, - pëshpëriti, - ç’të zuri me mua?”.

.........

Vendlindja larguar, kaq më mungon,

Qiellit lebetitem, malli fluturon”. Poezia “Trëndafili çelës”. Faqe 50.

..................................

         Kadri Tarelli

         “Ikin bijtë ikin, shkojnë mërgimtarë,

Në heshtje këpusin një copë mëmëdhe.

Edhe yje në u bëfshin, gdhihen shpirt vrarë,

Në botë, pa emër, tretur një grusht dhe”. Poezia “Mërgimtari”. Faqe. 187

..............................

Kosta Nake

“Tok me valët, ikim tutje,

Te breg i virgjër, pa njeri,

Gishtat ceken, vështrimet puthen,

Përçojnë ethshëm dashuri”. Poezia “Vrapim”. Faqe: 192.

Urime, sukses dhe mirënjohje për poetët dhe krijuesit devollinj, në veçanti për autorin Kosta Nake, me bindje se pas dhjetë vjetësh, do sjellë Antologjinë nr.3,

 

Kadri Tarelli

Durrës, më, 15, të vjeshtës së tretë, 2026.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page