KABBANI, POETI REVOLUCIONAR QË HIMNIZOI DHE E SHENJTËROI FEMRËN NËPËRMJET VARGËZIMEVE TË TIJ BRILANTE.
Shkruar nga Alma ZENELLARI
(Poezia dhe Kabbani-binom i pandashëm në një tango të përjetshme …)
Kur lexova për herë të parë, Nizar Kabban-in,poetin sirian, jam ndjerë e mrekulluar dhe e befasuar njëkohësisht. Mrekullia për atë rrjedhë të pandalshme vargjesh, shpaloste para meje tablo të pafundme me ngjyra të forta të ndezura,peizazhe të pa eksploruara më parë, portrete grash të pikturuara gati me frymë. Një koleksion i pafund vargjesh të hartuara me një bukuri të jashtëzakonshme, që të mbajnë frymën pezull dhe mendjen të tendosur në pritje të një tjetër mrekullie. Për një kohë të shkurtër lexova ditë pas dite 100 krijimet e këtij poeti mbresëlënës. Letra të shkruara me një intensitet dhe stil tejet unik, gati të pazakontë. E megjithatë pasi lexova ato, kuptova se Nizar Kabbanit dhe dashurisë së tij, nuk do t’i mjaftonin asnjëherë “100 letra dashurie”.
Një dashuri që nuk e di nga ç’ fuqi ushqehej. Vargje të renditura me kujdesin e një qëndistari, që ndërthuren aq natyrshëm, me një shprehi lirie të një niveli të lartë, që tregojnë formimin dhe edukimin e poetit. Natyrshëm më lindën pyetjet e njëpasnjëshme; cili është ky poet? Nga vjen, nga ç’ klimë poetike është ndikuar formimi i tij? Si mund të gjendet një aftësi kaq e rrallë e të shkruarit?.
Ku e gjen pra këtë mprehtësi dhe zhdërvjelltësi pena e Nizar Kabbanit?. A thua erërat mansunike të Damaskut kanë përcjellë deri tek ne, këtë madhështi kompozicionesh, metaforash, këto thirrje të njëpasnjëshme ekslamative, të shpirtit të poetit? Një poezi shpërthyese si aromat e palmave dhe luleve e madrave të Damaskut, si erërat e forta që trazojnë shpirtin e shkretëtirave të Sirisë.Një poezi që nuk të demoralizon, përkundrazi të mbush me optimizëm edhe pse vjen nga njëtokë, ku vështirë të mendohet dhe shkruhet kaq hapur. Ky është Kabbani, poeti i madh lirik, që lindi në muajin e pranverës më 21 Mars të viti 1923, në Damask. A thua se ai thithi gjithë nektarin pranveror për t’u bërë ndoshta poeti më revolucionar, i shek.XX, që nuk do të rreshtte asnjëherë së derdhuri dashuri, respekt dhe mirënjohje të thellë ndaj figurës më kuptimplote mbi tokë, gruas, femrës, që çdo gjë e bën të lulëzojë, të qeshë, të ndryshojë universin e unit, duke i dhënë paqe atij. Poeti vjen nga një botë, ku vështirë të perceptohet kaq emancipim mendimi, vështirë të konceptohet se pikërisht nga një vend si Siria, të lindin njerëz me “botë” aq të madhe, të lindet një shpirt kaq i lirë, unik, për t’i kënduar përsosmërish me një lirizëm të thellë, të ndjerë, shenjtërisë së gruas.
Krijimtaria në tërësi e poetit sirian, i cili pati fatin e një mirë-shkollimi dhe një karrierë diplomatike shumë vjeçare, jo vetëm brenda atdheut të vet, por edhe në Madrid, Stamboll, Londër etj, i ka dëshmuar dhe vazhdon t’i dëshmojë botës së rënduar nga traditat e egra, nga paragjykimet fataliste, se historia e femrës është qendra e Universit, se “në duart e çdo gruaje edukohet dhe rritet i pari dhe i fundmi burrë. Se “vetëm rreth saj mblidhen epokat, dhe vijnë rrotull mijëra e mijëra planete”. Kabbani është poeti shpirt kryengritës i shekullit XX, i dalë nga ai vend, ku shtypja barbare ndaj gruas, dhuna deri në perversitet e femrës, mohimi brutal i ekzistencës së saj, ia kanë gjymtuar Atdheun. Ndaj larg Damaskut ai do t’i ngrinte himne figurës femërore, Jasminës, lules së Damaskut, palmës së bukur e hijerëndë nga duart e së cilës do të donte të pikturonte oborret e shtëpive, do të donte të bënte të lumtur fëmijët e pafajshëm “që ëndrrat e tyre të vallëzonin të lumtura si farat e murrizit të kuq”.
Duke lexuar këtë poet gati të panjohur për një pjesë të madhe lexuesish, kupton sa e fisshme, sa origjinale është kjo krijimtari. Ndihesh i emocionuar, i prekur gjer në palcë nga misteri i thellë dhe magjia drithëruese e njohjes së planetit GRUA.
Është e pamundur të lexosh poetikën e Kabbanit dhe të mos e ndjesh këtë lloj peshe gati hipnotike. Është njësoj sitë ndjesh freskinë e ujërave të Eufratit, si të zbulosh oaze të pafundme në mes të Golanit, si të dëgjosh klithmën e fuqishme të shqiponjës mbi malin e Hermonit.Ai është përfaqësimi më dinjitoz i burrit që nuk e kupton dot veten, nuk e kupton dot qenien e tij pa gruan, pa lumturinë e saj.
“Ajo është lënda e jetës”, thotë ai.“Pa këtë figurë asgjë nuk mund të ketë kuptim, as burimet e ujërave, as shkretëtira nuk është aq magjepsëse për të trullosur shpirtin dhe mendjen. Vetekzistenca e kësaj bote nuk ka kuptim pa atë”.
Kabbani është profeti, është një zë i fuqishëm, një përfaqësim dinjitoz, shembulli model i mashkullit, i burrit që idealizon, hyjnizon portretin e femrës arabe. Të elektrizon vargu me figuracione të ngjeshura, me shumë ngjyrime. Ai pi tek ky burim virtytesh, thith atë nektar dhe nuk ngopet nga hijeshia, bukuria, fisnikëria dhe mençuria femërore. Ndihet si një fëmijë nga përkujdesi i saj, dhe si një burrë i mrekulluar nga drita e syve, nga freskia e duarve, nga shtati i gruas që dashuron. “Pesëdhjetë vjet,,- thotë ai, -“duke të dashuruar ty, pesëdhjetë vjet duke lavdëruar gratë…”(nga libri PESËDHJETË VJET DUKE LAVDËRUAR GRATË)
Lirizmi i thellë deri diku tronditës, etja për kulme të reja i shërbejnë poetit për të shpërfaqur e për të kuptuar fuqinë e unit të tij, pse jo edhe të përmbushë profecinë e tij. Sipas Nizar Kabbanit dashuria çlirohet nga pluhuri i tokës, nga ligjet dhe graviteti i saj, ndaj ai di t’i këndojë mjeshtërisht. Mbetet njeriu që respekton në heshtje, madje sakrifikon duke hequr dorë nga dashuria për hir të dashurisë.. Po nga buron kjo ndjenjë me këtë tingull e ngjyrim të pakrahasueshëm me dikë tjetër? A kanë emër të personalizuar dashuritë e mëdha të Nizar Kabbanit? A ka një emër të veçantë që i bën dritë herë si far, e herë i vjen pranë si një mbështjellë verbuese dhe e bën të sillet rreth saj si rreth një planeti?
Padyshim, po!...Por cili poet nuk pati në qendër të krijimtarisë së vet, një Helenë, një Beatris, një Euridiçe… E nëse nuk e kanë patur e kanë nxjerrë nga brinjët për ta pasur boshtin e krijimtarisë së vet. Ndaj edhe për Kabbanin poetin sirian, emri i heroinave të tij do ta bënin të pavdekshëm me morinë e poemave, këngëve, variacioneve të pafundme nizariane. Ato e mësuan ndoshta të gdhendi me fjalë ajrin, ujërat, piklat e shiut, guaskat e detit. Ato e mësuan të shkruajë në kufijtë e qiellit dhe të fatit. E mësuan të gdhend dashurinë në lëvoren e drurëve, mbi stola, mbi tela, mbi frytet, nën çarçafët e borës etj, etj.( NJË POEZI PËR BALQIN)
Megjithatë është diçka më e madhe që e bën erotikën e tij, të jetë kaq përthithëse. Ai nuk është një kryengritës i heshtur, por një luftëtar i palodhur, i cili ka vendosur të çjerrë me shkronja, lëkurën mbështjellëse të planetit në mbrojtje të të drejtave të grave. Poet, i cili nuk e ndal thirrjen e tij, që bota e zymtë nga traditat dhe zakonet poshtëruese, të shembet dhe ta lirojë përfundimisht femrën nga prangat e skllavërisë. Gjithë plagët e zemrës i derdh në vargje.“ O palmë Iraku, o zogë e mbrëmjes sime…”,është thirrja e Kabbanit larg heroinës së vet, …e di që mbërritja tek ty është vetëvrasje”.(shkëputur nga libri POEZI TË EGRA)
Akti tronditës i vetëvrasjes së motrës së tij do të hapte një shteg dhimbjeje në psikikën e poetit, i cili me penën e tij do t’i tregonte botës, se ajo që shohin përreth nuk është e vërteta, por një botë e rreme, e gjymtuar, e plakur. Portreti i saj dhe i gjithë grave të vendit të tij,do t’i kujtojnë përjetësisht se sa pa krahë ishin fluturat e ëndrrave të tyre,ndaj për to duhet luftuar. Të drejtën për të qenë të lira në jetë, për të zgjedhur fatin e vet, për t’iu gëzuar frytit të vet. Të gjitha këto mbetën dhimbja e etur dhe e pashëruar e poetit, mbetën dëshira dhe etja më e zjarrtë e tij, për ta parë çdo grua në misionin kuptimplotë, që Zoti u kish dhënë që nga krijimi i botës. Por më e rëndësishme mbetet, që vet gruaja, gratë në përgjithësi, ta kuptojnë se ato janë thesar virtytesh. Pa praninë e saj, jeta e tyre do të jetë një gjymtim i përjetshëm.
Këto mendime e bëjnë gjithë krijimtarinë e pasur të Nizar Kabbanit të qëndrojë shumë lart. Ai është vigan, në gjetjen e figurave , metaforave. Krijon tablo si një piktor, që di të luajë me dritëhijet, me terrin dhe dritën. Epiqendra mbetet gruaja, e dashura, nëna, motra, heroinat e ditëve të mbushura me zhurmën e jetës, me ecjen e saj të pandërprerë. Çdo varg të shtyn në ngasje, për të rendur drejt atyre vendeve, përgjatë asaj vije bregdetare, ku era lëkund një shami. Të bën të zgjatësh dorën dhe të prekësh sadopak burkën, që mbulon baluken e djersirë nga dielli, për të zbuluar fytyrën hyjnore të vajzës arabe me sy ngjyrë zhade.
A nuk e shikon ?/Në çdo degë, guriçkë e gur? /Në fletoren e diellit kam shkruar,/Lajmin më të bukur:“ Të dua shumë “/Ah, sikur ta kishe lexuar…(GDHENDJE ME FJALË).
Përfundimisht mund të them pa frikë se poetika e Kabbanit është përfaqësimi më dinjitoz, më përparimtar në letërsinë e shek. XX, që troket me një frymë të re vlerësimi, me një mendësi dhe qartësi të re, duke u bërë kështu përfaqësuesi më largpamës, modern i letërsisë romantike dhe jo vetëm. Për poetin deri në fund të jetës së tij, deri çastin që do të mbyllte sytë më 30 prill 1998, gruaja do të mbetej mbretëresha në fron, fytyra e pafajësisë para së cilës ai përulet me respekt të thellë. Ai dhe çdokush duhet ta bëjë këtë, thotë poeti, sepse ashtu si unë, edhe stinët që të këmbehen, kanë nevojë për femrën. Kallinjtë e grurit kanë nevojë për dritën e syrit dhe frymën e saj, që të piqen. Burimet kanë nevojë që të derdhen e gurgullojnë furishëm, fluturat, zogjtë kanë nevojë për duart dhe prekjen e saj, që ajo t’u mësojë fluturimet. Vet qytetërimi ka nevojë për gruan, që të mbërrijë. Ndaj poezia e poetit sirian Nizar Kabbani duhet të vlerësohet, duhet të bëhet e njohur, e zëshme dhe t’i jepet vendi që meriton në letërsi.
Një udhëtim mbresëlënës në poezinë erotike të poetit sirian, Nizar Kabbani, sjellë në shqip nga përkthyesi dhe poeti Artan Almeta.
DO TË TË THEM TË DUA
Do të them se të dua,
Kur të ndjej se, toka ka nevojë për ty që të rrotullohet
Kur kallinjtë e grurit, të kenë nevojë për ty që të zihen
Kur stinët që të këmbehen ,të kenë nevojë për ty,
Kur burimet të kenë nevojë për ty, që të gurgullojnë,
Kur qytetërimi të ketë nevojë për ty që të mbërrijë,
Kur zogjtë të kenë nevojë për ty, që të mësojnë fluturimin
Kur fluturat të kenë nevojë për ty, të mësojnë se si të pozojnë...
Kur unë për të përmbushur profecinë time,
Të kem nevojë për ty
ËSHTË NJË NJERI
Është një njeri që të do në heshtje,
që të respekton në heshtje,
që në heshtje të dëshiron,
që heq dorë nga dashuria
për hir të dashurisë.
NJËQIND LETRA DASHURIE
1
Vallë, cila je ti moj grua ?
Moj e futura si kamë, në historinë time të jetës.
Moj e bukura, si sytë e lepurit
Moj e buta , si pushi i pjeshkës
Moj e brishta si degë jasemine
Moj e pastërta si gushore fëmijësh.
Moj e mahnitshme, si fjalët…
Dil nga fletët e fletoreve të mia.
Nga çarçafët e shtratit tim.
Hiqu nga filxhanët e kafeve,
Nga lugët e sheqerit, dil.
Dilmë nga kopsat e këmishës
Nga të palosurat e shamisë së dorës
Nga furça ime e dhëmbëve
Nga shkuma e sapunit të fytyrës…
Dil nga të gjitha gjërat e mia të vogla
Që të mundem të dal për në punë…
Sa herë udhëtoj në sytë e tu,
2
Më ngjan se shkoj mbi qilim fluturues.
Në peshë më ngre, një re prej lulesh,
Kur ti ma sjell shpirtin si det.
Dhe sillem, sillem e dashura ime,
Rrotull teje, porsi planet.
3
Ti nuk ke kohë reale jashtë frymëzimit tim
Unë jam koha jote .
Nuk ke përmasa të prekshme, të qarta
Jashtë shtrirjes së krahëve të mi.
Unë jam çdo dimension i yti!
Jam perimetri rreth gjoksit tënd,
Jam këndi i formuar nga kulmorja jote
Jam vija jote e lakuar dhe e drejtë…
Dita që hyre në pyjet e gjoksit tim
Është dita që hyre në liri
Dhe dita që dole u bëre robinjë,
Nën urdhërat e më të madhit të fisit.
Unë të mësova emrat e pemëve
Bisedat e brumbujve të natës…
Të dhashë titujt e yjeve të largët.
Të çova në shkollën e pranverës,
Të mësova gjuhën e zogjve.
Dhe alfabetin e tyre pranveror.
Unë të skalita në fletoret e shiut,
Në çarçafët e borës, në boçet e pishave
Të mësova gjuhën e lepujve dhe dhelprës,
Si të krehësh flokët e deshve gjatë verës.
Unë të vendosa në librat e pabotuara të zogjve
Të dhurova hartat e dimrit dhe të verës,
Që të mësosh se si rriten kallinjtë e grurit,
Se si ushqehen me to zogjtë e pulëbardhës
Se si peshqit çiftëzohen me njëri – tjetrin,
Se si rrjedh qumështi nga gjinjtë e hënës…
Por ti u lodhe nga kuajt e lirisë
Kali yt i lirisë të hodhi.
U lodhe nga pyjet e gjoksit tim
Nga simfonia e brumbujve të natës
Nga të fjeturit lakuriq mbi çarçafët e hënës…
Ndaj e le pyllin në mëshirën e ujqërve
Kur nga rruga e Zotit dhe e profetit të Tij,
Të ndau i pari i fisit…
4.
Sa herë që të vështroj,
Zhgënjehem nga vjershat e mija.
Kurrë nuk jam zhgënjyer nga vjershat e mia
Vetëm kur jam gjendur me ty.
Ti je e bukur, në një masë që unë,
vetëm kur mendoj të të shoh, habitem.
Fjalët më shuhen në gojë, metaforat veniten…
Ndihmomë që të dal nga kjo gjendje
dhe bëhu më pak e bukur ,
që të mund të rikthej poemat e mia.
Bëhu një grua e zakonshme,
Bëj tualet, parfumosu, bëhu nënë…
Bëhu grua, si të gjitha gratë.
Që të pajtohem me fjalët e mia,
Që të pajtohem me gojën time…
VETËM ME MUA!
Do t’i kujtosh gjithmonë gishtërinjtë e mi.
Dhe sikur njëmijë vjet të rrosh e shtrenjta ime,
Gjithmonë do sjellësh ndërmend ,
Gishtërinjtë e mi…
Qëndro , më kë të duash të qëndrosh
Mund të bësh dhe dashuri ...
mbi trotuaret në rrugë.
Mund të flesh, me homo, karrocierë,
me këpucarë dhe me fermerë…
Mund të flesh me mbretër, me hajdutë
me barinj nëpër stane gjatë verës…
Mund të flesh me të tjera gra-ska dallim.
Mund të flesh me shakullinën e erës…
Por, kurrë nuk do të ndihesh grua
Veçse me mua, vetëm me mua !
Comments