Ka shumë të drejtë zotëria Frank Shkreli


Prof Dr Eshref Ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri


Në analizën e zotërisë Frank Shkreli, me titull “Nostalgjikët e komunizmit - moralisht të falimentuar dhe materialisht të korruptuar”, të botuar dje në Portalin Fjala e Lirë”, më lanë mbresa të thella rreshtat e mëposhtëm:

“...fatkeqësisht, nostalgjia për komunizmin në Shqipëri është e rrënjosur thellë në psikozën e shqiptarëve e që shprehet haptas nga trashgimtarët apologjetë të atij regjimi në media dhe panele televizive, e të cilët ende mbajnë detyra në nivelet më të larta qeveritare dhe akademike. Ata janë shkaku që demokracia, liria e vërtetë dhe drejtësia, po tkurren dita ditës në Shqipëri. Është gjithashtu provë se një shumicë e shqiptarëve janë me prirje të majta dhe nuk ia dinë vlerën lirisë së vërtetë dhe demokracisë - një situatë kjo që, rrjedhimisht, ka krijuar një boshllëk dhe një mungesë të moralit dhe të përgjegjësisë në udhëheqjen e vendit”.

Ndaj plotësisht të njëjtat pikëpamje me Frankun, por, për të shpjeguar arsyen e një gjendjeje të tillë sa komike, aq edhe tragjike, gjendje, ku populli shqiptar vazhdon të ushqehet me gënjeshtrat e Nexhmije Hoxhës, bashkëpunëtores së ngushtë të kriminelit Enver Hoxha, poshtëruesit më të madh të vendit tonë nëpërmjet varfërisë proverbiale të viteve ’80, po bëj një shtregtim drejt fundvitit 1990. Me këtë rast, do t’i drejtohem veprës së Prof.dr. Fatmir Terziu, me titull “Diskursi i bukurisë së dhimbjes në krijimtarinë e Uran Butkës”.

Në shpalosjen kritike të prof. Terziut, ku e vërteta jetësore e veprës së Uran Butkës shfaqet përmes figurave konkrete, të prekshme, të cilat mishërohen kryesisht në fjalën e autorit, e vërteta artistike mund të mjaftohet me ndihmën e intuitës, e paformësuar në fjalë. Prof. Terziu i krijon hapësirë lexuesit që të jetë krejtësisht i lirë në përsiatjet dhe në përfytyrimet e veta, duke dalë përtej caqeve të veprës së shkrimtarit dhe duke e shtyrë më tej mendimin për tablotë dhe figurat e saj artistike, në varësi të nivelit të shijeve të tij estetike. Sepse rrallë qëllon që fjala artistike t’i përcjellë lexuesit një të vërtetë të gatshme. Ajo vetëm e ndihmon t’i hyjë kërkimit të saj, duke vënë në lëvizje intelektin e tij.

Le të ndalemi në një rast konkret nga tregimet artistike të Uran Butkës, ku prof. Terziu citon diçka për të vërtetën jetësore, përtej së cilës lexuesi, përmes intuitës së vet, zbulon të vërtetën artistike.

Në tregimin “Dekorata”, heroi kryesor i saj, Miri, i cili kishte marrë pjesë në rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës, nuk e pranon dekoratën e Presidentit të vendit, me justifikimin se ai vërtet kishte qenë njëri nga pjesëmarrësit në rrëzimin e asaj shtatoreje, por fryma e shtatores nuk ishte rrëzuar. Dhe intuita e lexuesit vazhdon më tej për zbulimin e së vërtetës artistike:

Me sa duket, lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990, përmes një komedie të organizuar bukur mirë, paska qenë e orkestruar për mrekulli nga Ramiz Alia. Sepse asokohe nuk u rrëzua sistemi komunist, ai thjesht u zëvendësua. Veteranokomunistët ua dorëzuan pushtetin bijve dhe nipave të tyre neokomunistë, por me mbulojën e pluralizmit dhe të ekonomisë së tregut. Prandaj edhe në Kuvendin e Shqipërisë nuk pati dhe vazhdon të mos ketë vend për një masë deputetësh nga radhët e trashëgimtarëve të nacionalizmit shqiptarë, të përndjekur politikë.

Pra, në këto kushte, vepra e veteranokomunistëve vazhdon përmes neokomunistëve, të cilët, nën shembullin e tyre, vazhdojnë varfërimin e masës së gjerë të njerëzve, një mjet ky mjaft i gjetur për ruajtjen dhe përjetësimin e pushtetit personal. Kësisoj, populli shqiptar, i cili në jetë të jetëve nuk e ka ditur dhe nuk e di se ç’është demokracia, se nuk ka qenë kurrë i lirë, është përshtatur me mashtrimin e politikanëve, pra, me të keqen, me varfërinë e jetës, me mjerimin ekonomik, i cili ka hyrë thellë në vetëdijen e tij. Prej këtej del një përfundim i vetvetishëm: një popull varfër është i zhveshur nga ndëgjegjja kombëtare. Prandaj atij nuk mund t’i ngjallin revoltën profkat e Nexhmije Hoxhës dhe përrallat e Isuf Kalos. Se ai mendon për bukën e gojës. Kështu që shumë njerëz, të zhveshur nga ndërgjegjja kombëtare, kur vërejnë se varfëria e tyre ka arritur në zgrip, marrin valixhet dhe ia mbathin drejt Perëndimit. Ata që mbeten, vazhdojnë të shtrojnë kurrizin para politikanëve të pamoralshëm, duk shitur votën për një thes miell apo për një shuk parash. Pra, edhe ata që braksin vendin, edhe ata që mbeten aty, duke qenë të zhveshur nga ndërgjegjja kombëtare, nuk mund të kenë aftësi vetorganizuese për t’u ngritur peshë më këmbë dhe për t’i përmbysur politikanët e korruptuar, duke ju dhënë një mësim të mirë atyre që do të hipin në pushtet. Për edukimin e ndërgjegjes kombëtare dhe kalitjen e aftësive vetorganizuese, duhej të ishte inteligjencia ajo që duhej të vihej në krye të njerëzve. Por, për fatkeqësinë tonë, vetë inteligjencia është e zhveshur nga ndërgjegjja kombëtare.

Në këto kushte, populli shqiptar, në shumicë me bindje majtiste, është përshtatur përfundimisht me varfërinë dhe me mashtrimin e politikanëve. Prandaj ai të kujton popullin rus, i cili politikanët i plak në pushtet.

Santa Barbara, Kaliforni

16 shkurt 2020

#eshref #ymeri

87 views

Shkrimet e fundit