top of page

Ka disa data...



Ka disa data...


Prof Dr Fatmir Terziu

 

Janë disa data që na bëjnë të kujtojmë veten, por dhe miqtë, njerëzit me të cilët kemi ndarë një hap në udhën tonë të jetës, njerëzit me të cilët kemi parë përtej mureve të padukshme veten në udhën e jetës. Atëherë koha që ka kaluar nga njohja e thellë e tyre, si të thuash nga shenjtërimi i hapave të jetës mes tyre, ndoshta nuk ka rëndësi të madhe, por ka një rëndësi në memorje, ka një rëndësi që të shpie përtej vlerave që fiton dhe mëson njeriu nga njeriu, qoftë ky më i thjeshti Njeri. Duket se mbivendos sedimentet e paçmuara të vlerësimit në muzeun e kujtesës dhe i kthen shpirtrat në vendin e tyre. Në atë simbiozë delikate mes idealizmit dhe adhurimit që nuk do të na lejojë kurrë të ndahemi nga tonat, memorja rrjedh dhe sjell atë që dikur mund ta fshinte edhe lapsi. Pavarësisht se sa larg kanë fluturuar çiftet e ambicieve tona personale Njeriu i tillë mbetet në mendjen tënde dhe ti ndërron kah, respekton vlerën dhe idenë, respekton guximin dhe dashurinë që ka ai Njeri në shpirt për të ndihmuar dhe ecur përpara. I tillë për mua është Dilaver Elmaz Mahmudi, njeriu që ka brenda vetes intelektualin, ideatorin, frymëzuesin, njeriun që ia di tregëtisë, njeriun që i peshon gjithnjë më shumë familja se sa të gjitha gjërat në jetë.

Në një shesh të vogël me pluhur në një fshat tjetër të depopulluar të Shqipërisë, po shkërmoqet një nga shtëpitë më të bukura, më të sistemuara, më të ndjeshme e më mikptitëse, që nga koha kur stërgjyshi e gjyshi i asaj shtëpie vunë gurët e themeleve me duart e tyre dhe bekuan që porta e madhe e kësaj shtëpie të nxirrte djem të bëshëm e të ndershëm. E kështu nga ajo portë e madhe dolën mjaft, por spikatën Elmaz Mahmudi dhe Rrahman Mahmudi. Ndërsa i dyti nuk trashëgoi dot, edhe pse iu lut Zotit ditë e natë, i pari krahas dy vajzave model kishte dhe dy djem të talentuar, e njëri iu dhurua me gjithë zemër Rrahmanit, ndërsa tjetri Dilaveri, mbeti në krah të babait dhe nënës së tij qytetare dhe mjaft të dashur Sherifes. E kështu pasi punoi që në fëmijëri në zanatin e ustait në disa vepra të kohës së tij rinore, ai pati mundësinë të kualifikohej më tej, të drejtonte madje dhe institucione me rëndësi të madhe. Aty ku ai punoi dhe drejtoi me sukses tashmë ka mbetur një pllakë e thyer. Dikur ka qenë i shkruar një emër i madh për atë kohë…, por sot… Shkronjat kalojnë dhe emri i shkruar dikur në arin socialist të “së nesërmes së ndritur” nuk lexohet. Ai shpëtoi vetëm... gëzohen ata që e privatizuan me letra me vlerë dhe tashmë po mbushin xhepat e tyre.  Sikur përpjekja për të përjetësuar lodhjen, mundin, intelektin e Njeriut ka shkuar vetëm kaq larg, në panteonin e nderimit të kujdestarëve të jetës së asaj kohe. Zyrtar dhe i aftë për të treguar respekt. Derisa erërat e ndryshimit të shpërthejnë materializmin e dialektikës dhe për breza pas tyre mbeten rrënojat e injorancës anonime...

Por ka disa data që nuk mund të fshihen. Sepse secili ka nevojë për një fillim nga i cili të fillojë besimi i tij se ai është i sigurt për Paralindjen e tij heroike. Kur paraardhësit kishin fjalën vendimtare për shpëtimin dhe vazhdimësinë tonë. Sepse në trup, jeta jonë si popull tashmë është bërë si kokrrat e misrit, kur shkërmoqen dhe shpërndahen anembanë, dhe ajo që duhej dhe duhet që të kalonin nga udha e pasuesit, ku kishin shkelur e ishin lutur pasardhësit duket larg e shumë larg. Dhe pa bëma dhe sakrifica, hapi i parë është i pamundur. Na është mjaftuar duke u zvarritur për disa vjet, dhe ikja në largësi ishte dhe mbetet gjithashtu një bast për fluturim... Sikur të kishim kërkuar krahët tanë në vend të patericave vëllazërore, me të cilat të çalë pas gëzimit të të qenit i lirë. Tani e gjithë është e mirëkuptueshme falë internetit. Dilaver Elmaz Mahmudi, ndoidhet në Itali, pranë familjes së tij të dashur, pranë djalit të tij të vetëm, Mirit dhe Lirkës, bashkëshortes së tij të nderuar, e më së shumti si gjysh ai feston ditëlindjen e tij  me mbesat e tij në krahë.

Kjo është arsyeja pse ka disa data. Pas fytyrave dhe ngjarjeve, pas mundimeve dhe lavdeve, pas përkushtimeve dhe lodhjeve ka dhe pak qetësi nejrëzore. Ka ditëlindje sigurisht dhe pas lindjeve dhe vdekjeve. Drama të vogla dhe dëshira të mëdha. Pas lakmisë dhe lumturisë, ëndrrave dhe realiteteve, fjalëve dhe fjalëve të kota ka dhe një memorje që edhe pse është e shkulur nga qoshet e bukura që gdhendi gjyshi i tij emërmadh Usta Zeqiri, atje në shtëpinë mes bahçes, ai ka shansin të festoj ditëlindjen e tij krenar në një hapësirë të lirë e të qetë mes familjes. Në jetën e tij nuk ka më udhëkryq dhe drejtime të pamenduara. Erërat dhe qetësimet janë pjesë e pensionimit të tij. Shumë largime në memorje, udhë në kënde të hapura nga kujtesa. Një rikthim në formën e tij më të bukur, në rininë e tij të përjetshme të mendimit. Kështu e uroj me zemër sot Dilaver Elmaz Mahmudin. E uroj duke shkundur memorjen në atë themeli gjërrash të bukura, në Qafë Thanë, në Tiranë, në Elbasan me çantat e këmbimit valutor në krahë, në Shkup me mollët tetovare të buta e të freskëta në shijen e parë.

Dhe sikur pas kohës që ka kaluar, koha që qëndron përpara nuk ka rëndësi. Sepse kudo që të jemi, çfarëdo që të bëjmë, sado që të mos kemi, përsëri kemi diçka, kemi fjalën, urimin, memorjen, shkrimin që na ka dhënë Zoti, e mbi të gjitha atë që na bashkon gjithnjë edhe pse prej vitesh nuk jemi më pranë. Dhe kjo është pjesa që na bën të lidhur. Dhe nëse ti, i nderuar Njeri, e ke harruar për ndonjë arsye mundin dhe djersën tënde në veprat ku le rininë dhe pllakata jote përkujtimore është mbuluar me emra që të trazojnë të tashmen joheroike, në vend që të përhapesh në botën e të huajve, shiko rrënjët e tua në shpirt. Të gjithë ata që ju sollën në ekzistencë do të jenë aty. Dhe të tjerët, që të kanë dhuruar majat, që të kuptosh nga lart se ke mundësi të jetosh. Dhe nëse turmat e dyshimeve për atë se kush jeni dhe çfarë po bëni këtu në këtë botë të hutuar zvarriten në mendimet tuaja, me gurë dhe dru për t'i mbuluar ato, dhe me kufomat e atyre, të vdekurve në shpirt, që refuzuan të besojnë se ka disa data pa të cilat kthimi tek vetja është i pamundur. Sepse na thuhet dhe na është lënë amanet:

 

„... Edhe sot rrënja, sapo të bie stuhi,

kujton atë ditë të stuhishme, gëzimet dhe shtyn përpara me okë

fama e saj është po aq e mrekullueshme sado me furi

nga lindja në jetë dhe nga mosha në epokë!...“

 

Nuk është lutje. As edhe një magji. Njerëz të tillë, breza të tillë vërtetë kanë bërë epokë. Kjo na mbetet kujtesë, ky shkrim na ndihmon të mos zhdukemi, duke u kujtuar, të paktën duke rishkruar atë që është harruar e duke uruar dhe respektuar të paktën Njeriun që e kemi njohur duke ia gjetur meritoren e intelektin e tij në udhëjetë. Sepse ka disa data…që janë dhe mbeten vetëm ditëlindje e Njeriut, së fundi. Gëzuar ditëlindjen Dilaver Elmaz Mahmudi!

97 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page