top of page

Mentor Serjani: Ujku i tërbuar

ree

 

(Tregim historiko-legjendar, bazuar në ngjarje të vërtetë)

 

Në dimrin e ashpër të vitit 1948, bora kishte mbuluar çdo shteg të fshatit Fterrë. Pyjet e Hekalit, Çerricës e Bregut të Komës rrinin të heshtura, të ngrira, si në pritje të diçkaje të keqe. Pleqtë e fshatit thoshin se kur pylli mban frymën, nuk është shenjë e mirë ;se diçka përgjon aty ku sytë e njeriut s’arrijnë dot.

Një mëngjes të thellë e të errët, në Lugun e Thellë u dëgjua ulërima e parë: një ulërimë që s’ngjante me asnjë tjetër, më shumë si ndonjë  britmë e shpirtrave të vdekur sesa e kafshës. Një ujk, i madh, i xhindosur, kishte dalë nga errësira. Thoshin se vinte nga Greqia, i ndjekur prej stuhisë e sëmundjes. Dyshohej se ishte i tërbuar.

Sipas gojëdhënës, kafsha kishte ardhur nga anët e Epirit, e ndjekur nga etja, dhe uria

Në stanin e parë, tek Hizmajt, ujku sulmoi papritur,. Bagëtitë u përzien me borën dhe gjakun; një plakë, që ruante stanin, arriti ta largonte me një urë zjarri, por kafsha kishte bërë dëm. U përhap fjala se ujku s’ishte i zakonshëm ,sytë i ndizeshin si prush, dhe në gjithë qenien e tij shfaqej një gjë e frikshme.

Ujku ishte si një përbindësh i lartë sa një gomar,ai sulmoi radhazi, në pesë stane të tjera, bisha plagosi njerëz e kafshë. Askush s’e dinte se kafsha mbante në veten e saj helmin e tërbimit. Paniku përfshiu fshatin, dhe burrat filluan të mblidheshin me pushkë e thika, me frikën që u shkaktonte dridhje në duar më shumë se i ftohti.

Kur ujku arriti në stanin e fundit, theksojmë se në atë zonë ishin mbi pesë stene me bagëti,nata ishte bërë edhe më e mistershme. Era ulërinte nëpër shkëmbinj, dhe hëna derdhte një dritë të zbehtë mbi dëborë. Aty ndodhi ajo që më vonë do të përmendej në këngë e do të rrëfehej në kuvendet e burrave për dekada. 

Askush pra s’e dinte ende me siguri se bisha ishte e tërbuar ,një armik i padukshëm që do  të përhapej në mishin e njerëzve dhe të bagëtive.

 

Në stanin e fundit të Fterrës, një djalë i doli përballë bishës për të mbrojtur pasurinë e vet,gjënë e gjallë. Djali kishte një trup mesatar, por krahët e tij ishin si prej hekuri. Thuhej se kur kishte qenë ushtar, i kishte mundur dyqind burra në ushtrimet e repartit. Komandanti i kishte thënë atëherë:

Zoti të ruajt me këtë fuqi që ke, djalë!

Tani, përpara tij qëndronte ujku , me gjuhën që i varej dhe me shkumë të bardhë në nofulla. Ndodhi përballja e pabesueshme midis njeriut dhe bishës ,një ngjarje që më vonë do të përjetohej si kufi mes legjendës dhe së vërtetës.Ndeshja ishte trup më trup. 

 

Bisha u hodh e para, por djali e priti me duar. E kapi për veshësh, e rrëzoi përdhe, e mbajti nën këmbë. Megjithatë, kafsha e tërbuar s’u dorëzua ,i kafshoi gjunjët dhe fytyrën.Djalin e njihnin të gjithë për fuqinë e tij të jashtëzakonshme

Djali edhe pse mori plagë të rënda s’u tërhoq. Nga larg erdhi i ati, që i hodhi një thikë. Ajo s’ishte shumë e mprehtë, por mjaftoi që trimi ta ngulë me forcë në barkun e bishës.

Kafsha lëshoi një ulërimë të gjatë, sa dukej se edhe malet po dridheshin. Zorrët i dolën përjashta, por prapë s’ra. Vetëm kur tehu i thikës i arriti në zemër, ujku u shtri ngadalë në borë, duke u përpëlitur si një e keqe që po shuhet.

Në heshtjen që pasoi, dëgjohej vetëm frymëmarrja e rëndë e djalit, që tani e dinim se quhej Etem Malo dhe kishte fytyrën dhe gjunjët e përgjakur…Ishte fterioti që u ndesh me vdekjen dhe tërbimin sy më sy dhe fitoi për një çast.

E çuan menjëherë në spitalin e Vlorës, bashkë me pesë bashkëfshatarë të tjerë që ujku i kishte plagosur. Por sëmundja ishte e pabesë, dhe mjekësia e asaj kohe e varfër. Disa prej njerëzve të prekur vdiqën më vonë; një vajzë nga fisi i Gjonajve vrau veten nga frika se ishte infektuar; një ka u çmend në fisin Hadushaj dhe i zoti, Ramo, e lidhi me zinxhirë e theri dhe e groposi që të mos përhapej sëmundja.

Ndërsa Etemi, trimi që e kishte mbajtur bishën nën këmbë, u sëmur rëndë. Thoshin se nuk duhej të lahej me ujë, se uji e zgjonte sëmundjen. E mbyllën në një kafaz hekuri në spitalin e Vlorës, derisa fryma iu shua ngadalë.

Atje, në spitalin e Vlorës, trimi i Fterrës dha frymën e fundit.

Por vdekja nuk e fshiu emrin e tij. Fteriotët e përjetësuan në këngë:

“Çerrica, një pyll i keq,

Doli ujku me furi,

Hëngri pesë a gjashtë vet’,

I gjashti s’shpëtoi,

Etem Malo, derëzi.”

Ndërsa poeti Sulejman Mato bashkëvëndas i Etemit e ka gdhendur në vargje këtë akt trimërie dhe force të pashoqe,ja teksti i plotë i vjsrshës :

 

Kujtim i vitit  1948

 

Në Fterrë binte shi 

në stane binte borë.

 

Ethem Malo*, o bukuri e maleve të mia!

Ka pesëdhjetë vjetë qe kujtesa  ulërin.

 

Kishte guxim  çobani,

duar të forta prej panje,

i binte  bukur longarit 

nën vesën e  yjeve malorë.

 

Ulërima e një ujku  

lartësohej ne stane..

                        

Askush s' e pa betejën legjendare.

Vetëm baloja i  tij i përgjakur

dhe dhite  qe e ruajtën gjatë në kujtesë.

 

Në mëngjes, në rrugën e shkollës  e pamë të gjithë,

 ishte shtrirë në karrocerinë e një shevroleti, 

ujku ,gjak helmuar ,i grirë me thika… 

O  tmerr!O   tmerr…!

 

Ka 50 vjetë  

qe kujtesa ulërin. 

 

Qentë e fshatit ulërinin  ne zinxhire,

vajtonte shiu mbi çatitë tona prej guri,

Dy zogj të zez britme qëndronin të ngrirë

mbi degën e një ulliri 1000 vjeçar.

 

Ethem Maloja, një djalë i ri fteriot, çoban, në një natë dimri të vitit 1948 u përlesh fytafyt me një ujk të tërbuar që po tentonte t'i prekte dhite Në një përleshje të gjatë e shqeu ujkun me thika.Vdiq në spitalin e Vlores.

Sot, aty ku dikur ishte stani i tij, rriten lisat e rinj. Njerëzit thonë se kur fryn erë nga lugina, ndonjëherë dëgjohet një ulërimë e largët ;e ndoshta s’është e ujkut, por e trimërisë së një njeriu që nuk iu përkul kurrë frikës.Ngjarja e Etem Malos nuk është thjesht rrëfim për një kafshë të tërbuar, por metaforë e njeriut që u përballë me frikën e epokës së tij.

Në një kohë kur jeta kishte pak mbrojtje dhe çdo plagë mund të bëhej fatale, trimëria ishte mënyra e vetme për ta ruajtur atë .

Etem Malo mbeti simbol i asaj force njerëzore që u përball me të pamundurën,dhe që edhe pse humb betejën e jetës, fitoi pavdekësinë në kujtesën e fshatit të tij dhe më gjerë.

 

Shënime shpjeguese

  -Fterra: Fshat i krahinës së Labërisë, në jug të Shqipërisë, pjesë e kurveleshit të poshtëm,e njohur për historinë ,trimërinë,qëndresën ,kulturën dhe dijen.

  -Stan: Vendbanim i përkohshëm malor ku mbahen bagëtitë gjatë verës dhe dimrit.

   -Çerrica, Hekali, Lugu i Thellë,Bregu i Komës: toponime të fshatit,zona të pyllëzuara dhe të vështira të Fterrës, 

 - Tërbimi : Sëmundje virale që transmetohet nga kafshë të infektuara nëpërmjet kafshimit; në vitet 1940–1950 ishte shpesh vdekjeprurëse për shkak të mungesës së vaksinave dhe trajtimit të specializuar.

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page