JULIA GJIKA: IBRAHIM RUGOVA
- Jan 22
- 1 min read

JULIA GJIKA
Kjo poezi është shkruar më 21 Janar 2006, kur Ibrahim Rugova mbylli sytë përgjithnjë.
E kujtojmë sot dhe përulemi para veprës së tij, në ditëlindjen e 76 vjetorit, me respekt e mirënjohje para këtij Njeriu të Madh, që i dha jetë Kosovës.
IBRAHIM RUGOVA
Atë, që askush nuk e shihte,
Ti e pe, ende udhën pa e nisë
qiellin e kaltër përtej reve,
Kosovën në krahët e lirisë.
Te shkëmbi i larë qajnë valët,
era shkon e vjen si e marrë,
njerëzit, gurët dhe drurët
kanë ankth , kanë acar.
Zjarrin që të digjte në zemër,
si trim e durove pa ankim,
deri në shtratin e vdekjes
me dashurinë fole , i urti Ibrahim.
Të ftohta ditët e këtij Janari,
të ftohta muret nëpër oda,
luadhet e malet e Kosovës,
Mbuluar nga ngrica e bora.
Nata harron të largohet,
shpirti po ikën ca nga ca,
zemra dhe truri i munduar
në duart e natës dhimbjet i la.
Loti i fundit i jetës rrëshqet,
Njeriun e Madh paqja mbështjell.
21 Janar, 2006









Comments