Jo e drejtë …?


    Dr Fatmir Terziu

    Jo e drejtë …?


    Dr Fatmir Terziu


    A jeni ulur ndonjëherë dhe keni pyetur veten dhe më së shumti, penën, lapsin, stirolapsin, tastierën, apo dhe … “mausin” dhe kompjuterin, tërë makinerinë e shkrimit, pse jeni duke shkruar dhe kush jeni ju që shkruani? A ndjeheni ndonjëherë aq të parëndësishëm sa doni të hiqni dorë nga të gjitha arsyet e lidhura me shkrimin? Atëherë a ju ka ndodhur ndonjëherë të ndjeheni aq të kënaqur me atë që shkruani, dhe të doni gjithçka tashmë të shkojë mes shkrimit dhe leximit për veten tuaj?

    “Unë i ndjej këto mënyra çdo ditë” shprehet Stephen King. “Kur ulem për të shkruar një libër, nuk i them vetvetes, “Unë do të prodhoj një vepër arti.” Unë e shkruaj atë, sepse ka disa gënjeshtra që dua t’i ekspozoj, një fakt të cilin dua të bëj, tërheq vëmendjen dhe shqetësimi im fillestar është të dëgjoj dëgjimin tim.”, do të rithoshte George Orwell. Në fakt teksa shohim kurikulën e kulisave të shtratit të shkrimit, sa andej dhe këndej, i jap të drejtë shkrimtarit Stephen King se “Rruga për në ferrin e letrave është e shtruar me ndajfolje.” Kështu që kurrë nuk mendoj se ndodh që të ndahet mjaft mirë, shkrimi nga shkrimtari, për të situr një shkrim nga një shkrimtar të lumtur dhe të merituar, që të thuhet se ky është pra tashmë i gatshëm për shkrimin e vërtetë e të ndjeshëm në këtë botë.

    Kjo botë ndjehet sikur po na rrah çdo ditë të jetës sonë me mënyrat më ndëshkuese, inatçore, kulisore, ndëshkimore, torturuese të skutave që sillen si “të shkrimit”. Ndjehemi nga shkrimi dhe kulisat e tij, sikur jeta është dhe mbetet një dron i disa lidhjeve personale të quajtura “miqësi” nga brenda e jashtë kornizave që e bëjnë dhe e zhbëjnë shkrimin, duke u ndodhur që shkrimi të futet në ndonjë listë dhe lista të qëllojë të mbajë në vetvete ndonjë shkrimtar. Nuk mund ta besoj se sa me fat jemi ndonjëherë të kemi lista të tilla. Ka raste kur shkrimtari ndjehet plotësisht i lumtur për emrin e tij në ndonjë listë, qoftë kjo “ajo që ai e ndjeu se nuk ishte si e tillë”.

    Sidoqoftë unë jam ndryshe. Ndihem i dashur dhe i mbrojtur në një mënyrë të veçantë nga ajo që shkruaj dhe për ta bërë të ndjeshme me atë që luaj mes shkrimit. Unë nuk mund të shoh ndryshe Tjetrin, teksa gëzon në gëzofin e tij dyfyrësh, dhe pastaj pse vazhdon të ndjehen si në komedinë “edhe kështu, edhe ashtu”. Do ti qëndroja shkrimit dhe tipit me të cilin jam gatuar. Më pëlqen të jem i lumtur, por nëse do të më duhej absolutisht, do të ndodhte edhe që të isha i trishtuar gjatë gjithë kohës. Nëse do të doja të bëja të lumtur të gjithë të tjerët, unë do ta bëja atë. Se shkrimi nuk ka ligje, madje dhe ligjet e shfaqura ndaj tij janë disi si pirgje. Për këtë në ndihmë më vjen Nobelistja e letrave, Doris Lessing që e thotë qartë dhe prerë: “Nuk ka ligje për shkrimin. Asnjëherë nuk ka pasur, as nuk mund të ketë.”

    Do të bëja gjithçka për t’i lumturuar njerëzit e tjerë që shkruajnë, se ata të paktën e meritojnë, ndërsa nuk mendojnë se ku qëndrojnë. Unë kujdesem shumë për lumturinë e njerëzve të tjerë që të ndjejnë vërtet thelbin e asaj që kanë në lidhjen e tyre me shkrimin. Uroj që të mund ta ndryshoja atë tipar për veten time, por ja që kënaqem kur të tjerët seleksionohen, “vlerësohen”… shkruhen në lista. Ndyshe unë nuk jam në gjendje ta bëj veten time të lumtur edhe për një ditë qoftë, se e dua Tjetrin plotësisht të lumturuar. Jeta e shkrimit, është si jeta e njeriut, që nuk është një pupël e lehtë për dikë me një zemër të madhe që të veprojë si mizor dhe i padrejtë. Njerëzit me një zemër të madhe kurrë nuk bëjnë pushim në këtë botë. Ata gjithmonë lëndohen më keq kur bëhet fjalë për këtë pikë që shkrimi shkon në një vend, në një rend… ku listat janë thjesht lista. Jo më kot Ernest Heminguej do të na vinte në ndihmë: “Ne jemi të gjithë nxënës në një zanat ku askush nuk bëhet mjeshtër.” Atë herë qenka Jo e drejtë …? Jo e drejtë … të mbështesësh shkrimin edhe nga Tjetri, që u duket “i vogël” dhe jo aq i denjë për të ndërtuar shkallët e listave me laps?


    #terziu #fatmir

    108 views1 comment

    Shkrimet e fundit