Qazim H. Berisha: ,,PUSHKA E MOTRËS”, roman, botoi ,,Lena Graphic Desing” - Prishtinë, 2023
Qazim Berisha, do të mbahet mend përveç botimit të shumë librave me poezi, prozë, krijimtari letrare për fëmijë, edhe për realizimin e dy monografive nga më të veçantat: ,,Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën jugosllave (1951-1993)” dhe ,,Arsimtarët dëshmorë dhe martirë të rënë në Luftën e Kosovës (1998-1999)”.
Një përpjekje të vazhdueshme të sjelljes sa më të argumentuar të këtyre ngjarjeve, pasqyrimin e heroizmit të bijëve e bijave tona, që në situata të ndryshme u përballën me armikun në realizimin e idealeve të tyre për lirinë e atdheut, në krijimtarinë e Qazimit do ta takojmë edhe tash në librin e shtatëmbëdhjetë, në romanin ,,Pushka e motrës”, që mund të konsiderohet si vazhdimësi e trajtimit të këtyre ngjarjeve, tashmë me personazhe të përveçëm.
Sprovat e jetës dhe ndërgjegjësimi kolektiv
Subjekti i romanit me strukturë narrative tradicionale, për tematikë të trajtimit ka luftën, ndërtimi i të cilit realizohet në ndërlidhje të vazhdueshme të ngjarjeve që shtjellohen këtu, me kryeprotagonistë real, vëlla e motër, Enver dhe Mervete Maksutaj, të cilët do të futen në përjetësi në përballje të drejtëpërdrejtë nga i njëjti armik, por në situata dhe rrethana të ndryshme nga njëri-tjetri. Kronologjia e zhvillimit të ngjarjeve pasqyron veprimtarinë patriotike të këtyre luftëtarëve, duke u dhënë vendin meritor në historinë e lavdishme për heroizmin e dëshmuar për lirinë e atdheut.
Kompozicioni tematik zhvillohet në dy rrafshe të njëpasnjëshme kohore, ku pasqyrohet rruga jetësore e Enverit (Enos, në teksin e mëtejmë), i cili gjithnjë e më shumë po e kuptonte se atdheu ndodhej në gjendje okupimi, por i vendosur të vazhdoj tutje në rrugëtimin e tij me prioritete të veçanta, shkollimin dhe familjen, për të cilën interesohej pareshtur, duke u ndihmuar në punët e shtëpisë, meqë ishte djali i madh në familje. Ai tashmë e kishte arritur moshën e pjekurisë dhe duhej të vazhdonte edhe shkollimin e lartë. Eno, i paepur dhe entuziast, nuk do të thyhet as atëherë kur përballet me barrikadat më të frikshme në rrugëtimin e tij shtigjeve të reja me shumë të panjohura. Vendimi i prerë i referentit, kur po aplikonte për regjistrim në fakultetin juridik, ishte paralajmërimi se po fillon një periudhë e re në jetën e tij: ,,Më vjen keq, Enver Maksutaj, se nuk mund të regjistrohesh pa e kryer shërbimin ushtarak!” (po aty, fq. 32). I pa sprovuar me situata të këtilla, ai konsultohet me shokë e miq të shumtë, të cilët i sugjerojnë pothuajse për të njëjtin veprim, që të vendos vetë në ecjen tutje nëpër sfidat e reja të jetës. Pas një kohe, kur pason edhe ftesa e dytë për shkuarjen në shërbimin ushtarak, merr vendimin e prerë të përballet edhe me këtë situatë, me qëllimin e ruajtjes së familjes nga nënshtrimi i dhunës nga pushteti.
,,Por mbase është më mirë të shkoj dhe të bëj përvojë ushtarake, se të tillët na i duhen Kosovës, në një të afërme jo të largët” (po aty, fq. 39), do t’i sqarohet familjes, duke lënë të kuptohet se ai kishte vizion të gjërë dhe guxim të pashembullt në përballje me situatat. Eno e kishte të qartë se shpejt do të ndryshojnë gjërat dhe arti i luftës ishte domosdoshëmri kohore, meqë ndodhemi në çastet para shpërthimit të një lufte për liri të të gjithë popujve që jetojnë nën okupimin serbo-sllav.
Që kur po nisej në shërbimin ushtarak kishin filluar ta përcjellin peripeti të njëpasnjëshme gjatë udhëtimit, si: mosnjohja e gjuhës, takimi me dy burra që po dërgonin një fëmi për shërim në një spital pediatrik jashtë vendit, njohja me Suzanën gjatë udhëtimit me tren, vështirësitë e komunikimit me te, dhe lutjen që t’i tërheq parat që ia dhuroi ajo, meqë ai po shkonte ushtar, e ,,ata mund të më kontrollonin, me ç’rast po të m’i gjenin monedhat e huaja, mund të më maltretonin” (po aty, fq. 48), etj. Eno do t’i gëzohet kontakteve të para me disa ushtarë shqiptarë, me të cilët fillon komunikimet dhe bisedat menjëherë, gjithnjë i kujdesshëm që mos të hetohej nga ushtarë dhe eprorë tjerë, të cilët si bisha të çartura përcillnin çdo lëvizje të tyre. Sidomos, ishte ndier mirë kur ia del ta dërgonte letrën e parë në familje, ku përveç tjerash, arrinë t’i njoftojë për udhëtimin dhe fillimin e ditëve të para në kazermën ushtarake. Por, për befasinë e tij, që ditën e parë përballet me probleme, të cilat do ta sfidojnë vazhdimisht. Ai, derisa po flinte, dikush ia kishte hequr yllin pesërrembësh nga kapela. Ky veprim nuk kaloi pa u vërejtur menjëherë që në rrjeshtimin e parë për gjimnastikën e mëngjesit, për çka pason çortimi nga eprori kujdestar i ditës, para të gjithë ushtarëve tjerë.
Eno nuk ndihej i qetë pa mos e njoftuar për zhvillimet gjatë ditëve të para sa ishte në shërbim edhe shoqen e shkollës, njërën nga personazhet më të besueshme, Norën, me të cilën ishin marrë vesh paraprakisht që asgjë mos t’iu tregonte motrave të tij, pavarësisht që ata do të komunikonin me letra gjatë kohës së qëndrimit në shërbimin ushtarak.
,,Gjithkund po flitej se një ngrehinë artificiale së shpejti do të rrënohet, ngase ndërtimi i saj ishte bërë me gënjeshtra dhe me mashtrime” (po aty, fq. 80). Këto informacione që qarkullonin gjithandej në vendlindjen e tij, ishin të njohura që heret edhe për Enon. Poaq të njohura ishin tashmë edhe për shokët, me të cilët po kryente shërbimin ushtarak, prandaj e sfidonin të vazhdonte shërbimin, meqë besonte se do ta fitonte një përvojë të mirë në artin e luftës. Ende ndodhej në kryerjen e shërbimit ushtarak, kur edhe Kroacia do të përfshihet në një luftë të përgjakshme, me të njëjtin armik, që ishte edhe në vendlindjen e tij. Ky me shumë shokë të tjerë shqiptarë u bashkohen forcave çlirimtare të vendit, për ta mposhtur armikun, që tashmë e konsideronin të përbashkët, të gjithë sa ishin në frontet e luftës. Për veprimet e Enos kishte mësuar edhe familja, e cila, edhepse e shqetësuar për fatin e tij, në asnjë mënyrë nuk dëshironin ta kujtonin mundësinë e vrasjes në luftën që po zhvillohej, por gjithnjë e shikonin si veprim të një luftëtari që do të triumfoj atje dhe do t’i kthehet atdhut me përvojën e mjaftueshme ushtarake. Gjatë një bisede me vajzën e tij, babai Salihu do t’ia sqaronte qëndrimin e Enverit në luftë, për ta bindur se trimat nuk dezertojnë me asnjë çmim:
,, - Eno i ynë e paska kuptuar shumë mirë! A po e sheh se ku i ka shkuar mendja, se një ditë edhe Kosova do të përgjaket me Serbinë? Ai për atë arsye është ndalur dhe ka kaluar në anën e Gardës Kombëtare Kroate. Ai do që të fitojë përvojë në luftë, në mënyrë që kur të shpërthejë edhe në Kosovë, ai të bëhet ushtar i Kosovës dhe të luftojë për lirinë e saj” (po aty, fq. 90).
Ndërgjegjësimi kolektiv gjithnjë e më shumë po shprehte efektet e tij, ku pothuajse të gjitha moshat e kishin kuptuar se shtimi i vazhdueshëm i forcave policore dhe presionet e vazhdueshme në çdo segment të jetës, edhe në raporte ditore, nuk ishin asgjë tjetër, veçse presione të vazhdueshme të provokimeve ordinere për një eskalim të situatës, deri në shpërthimin e luftës edhe në këto troje. Ndjekjet sistematike të të rinjëve për t’i detyruar me çdo kusht t’i përgjigjen ftesave për shërbimin ushtarak, pengimi i sistemit arsimor, ngushtimi gjithnjë e më shumë i veprimeve normale të aktiviteteve jetike të popullit, kishin rritur në shkallë të lartë shqetësimet, por edhe mobilizimin e përgjithshëm për një përballje të domosdoshme me këtë armik shekullor, që tashmë kishte shpërfaqur urrejtjen deri në gjakderdhje.
Betimi – motivim për heroizmin triumfues
Janë të panumërta ngjarjet që do ta përcjellin vazhdimisht Enon, për ta përmbushur rrugëtimin e tij deri në përjetësimin heroik. Kumti për rënjen heroike në përballje me armikun, bëri jehonë të madhe në vend. Nga të gjitha viset kishin zbarkuar njerëz të shumtë dhe po prisnin arkivolin e luftëtarit për t’i dhënë lamtumirën e fundit në vendlindjen e tij, ku u rrit dhe u burrërua aq shpejtë, për ta kuptuar klimën okupuese të atdheut. Në ceremonin e varrimit, motra e tij trembëdhjetë vjeçare, Mervetja, i jep besën para arkivolit të vëllaut:
,, - O vëlla i motrës, po të betohem në gjakun e dëshmorëve, se motra jote nuk do të vdesë, as nuk do t’i qesë fat vetes! Betohem se PUSHKA E MOTRËS do të marrë hak për ty!” (po aty, fq. 109).
Nora Lumi, që zë vend të veçantë në roman, pothuajse çdoherë ishte urë lidhëse mes Enos dhe familjes, duke ruajtur gjithmonë sekretet sipas marrëveshtjes që kishin, do të përballet me shumë ngjarje, dhimbje, shpresa e deri te betimi pothuajse i një baraspeshe me të motrën, Merveten, e cila e shpalos në letrën lamtumirëse gjatë ceremonisë së varrimit. Në fakt, aty sikur ndodh betimi i të gjithë pjesëmarrësve, duke e potencuar veçanërisht: ,,Mos harro, se unë, si motra Mervete do ta mbaj betimin! Me shokë do të marrim hak!” (po aty, fq. 112).
Vitet po iknin, por Mervetja asnjëherë nuk do ta harronte besën e dhënë të të vëllait, për marrjen hak nga armiku. Ajo po vijonte mësimet në shkollë të mesme, kur një ditë okupatori do t’ua mbyll shkollën dhe të gjithë nxënësit detyrohen të mësojnë në shtëpi-shkolla, për të nxënë dijen, pavarësisht situatave të krijuara nga pushteti okupues që operonte në çdo cep të atdheut, me makinerinë e tij policore dhe politike, njëkohësisht.
Në një rast kur policia i ishte afruar shtëpisë-shkollë ku po mësonte Mervetja, xha Meta, një burrë fisnik i atij fshati, që e kishte lëshuar shtëpinë e tij për shkollë përpiqej t’iu jap kurajo, se: ,,Edhe në kohën, kur isha në moshën tuaj, ky armik nuk na i hapte shkollat shqipe, por vetëm ato serbe. Kohët po u përsëritkan! Këta mizorë, dalshin fare! - mallkoi xha Meta” (po aty, fq. 120).
Romani pasurohet nga ana përmbajtësore dhe strukturore me shumë ngjarje që zhvillohen përmes pasqyrimit të situatave, dialogjeve, e shpeshherë edhe me rrëfime të shumta në vetën e parë (monologje), të sajuara nga imagjinata e autorit, si një përmbyllje mendimesh a bashkëveprimesh, qofshin ato realitete të kohës, apo veprime të trilluara. Këtu gjejmë të pasqyruara edhe figura dytësore, të imagjinuara, apo figura të atëhershme politike, që përbëjnë ngjarje episodike, por që krijojnë situata të tensionuara, njerëz të shitur, që nuk kursejnë asgjë, deri edhe shpirtngushtësinë për të qëndruar në pozicionet që ua kishte siguruar okupatori i paskrupullt shekullor. Këto pamje krijojnë strukturën e minirrëfimeve brenda rrëfimit bazë në roman, ku ndërtohet një ngjarje e plotë e një historie të vërtetë.
Më në fund erdhi dita e përmbushjes së betimit të dhënë para arkivolit të vëllaut në ditën lamtumirëse.
,, - Unë, baba kam vendosur të jem pjesëtare e UÇK-së. Këtë ditë, qe sa vite e kam pritur!...”, vendim, të cilin pa hezituar ia tumirë babai, duke uruar:
,, - Sido që të jetë, me fat ma qoftë e dalshim faqebardhë!” (po aty, fq. 140).
Shkuarja e Merevtes në radhët e UÇK-së do ta vulos përfundimisht realizimin e fjalës së dhënë. Që nga ditët e para në radhët e luftëtarëve të lirisë, ajo shquhet në shumë aksione, duke i shkaktuar armikut humbje në njerëz e arsenal ushtarak. Kështu, në një aksion që ndërmerr Mervetja me dy shokët (Xhevdetin dhe Nezirin) ku do ta çojnë në ajër stacionin policor, e konsideron si marrjen e hakut për vëllaun, duke e çuar në vend përfundimisht besën e dhënë. Lajmi për veprimin heroik të bijës së tyre do ta gëzonte pamasë edhe familjen.
Krah betimit të Mervetes, edhe shoqja e Enos, Nora kishte dhënë betimin e saj që do të marrë hak, dhe ashtu ndodh në kohë shumë të shkurtër. Gjatë një aksioni që do ta ndërmarrin katër shokët e organizuar në grupin gueril, ku vriten disa policë, bie heroikisht edhe Nora. Kjo ngjarje do ta shqetëson paskajshmërisht Merveten:
,,Lajmi i trishtë për rënjen heroike të ushatres së lirisë, Nora Lumi, më këputi shpirtin dhe më la pa frymë. E pata si motër. Shumë ka vuajtur edhe ajo, si unë për vrasjen e vëllait tim, Enos. Ishte një vajzë e çiltërt, e fjalës dhe besës. Kur u takuam këtu në male, më tha: ,,Aksionin e bëre pa mua, ashtu siç ishim marrë vesh.”. Më përgëzoi për aksion mua dhe shokët e mi” (po aty, fq. 153). Ngjarjet rrjedhin njëra pas tjetrës në vazhdimësi. Plagosja e një luftëtari (Naim Lushi), do ta përkeqëson situatën, sepse ai rrëmbehet nga forcat armike dhe dërgohet në spital, prej nga vendosin ta nxjerrin bashkëluftëtarët. Në këtë aksion angazhohen Mervetja dhe Besnik Shala, të cilët në përballje me armikun do të vrasin tre policë, për të rënë në altarin e lirisë edhe Mervetja.
,,Rënja heroike e luftëtares së lirisë, Mirvete Salih Maksuatj ishte një rënie e madhe, një rënie historike.
Ajo sot i mbylli ëndërrat e veta. La histori trimërie pas vetes. Ajo do të përkujtohet brez pas brezi si trimëreshë e Dukagjinit, që nxori hakun për vëllaun e saj dhe për dhjetëra vëllezër tjerë të gjakut”, (po aty, fq. 162).
Betimi ishte motivim i të dyja luftëtareve, të cilat i realizuan me shumë saktësi aksionet e tyre dhe u bënë edhe vetë pjesë e përjetshme e heroizmit. Këto veprime madhore për liri dhe shpagimi i gjakut të bijëve të atdheut, mbesin motivim i përhershëm edhe për luftëtarët që vazhduan luftën çlirimtare deri në fitoren e plotë të lirisë.
Epilogu, apo përcaktori i dashurisë së përjetshme
Gërshetimi i ngjarjeve, realiteteve historike, pasqyrimeve epizodike dhe sekuencave imagjinare, në bashkëveprim ndërtojnë romanin historiko-biografik ,,Pushka e motrës”.
Komunikimi përmbajtësor dhe domethënës në shtjellimin e ngjarjeve përmes gjuhës së personazheve dhe dialogjeve midis tyre, që kushtimisht interpretohen edhe frazeologjizma të arealit gjeografik prej nga është ndërtuar ngjarja, autori përpiqet në mënyrë të besueshme t’i transponojë përmes komunikimit real gjuhësor brenda komuniteteve të caktuara, siç janë: bashkëfshatarët, shokët, familjet, luftëtarët nga treva të ndryshme që do t’i bashkohen organizimit në formacione ushtarake të UÇK-së, etj.
Këtu, zhvillimi i ngjarjeve dhe ecuritë e realizimit të kompozicionit, si tërësi organike në roman kanë një përcaktor: dashurinë e përjetëshme të motrës për vëllaun dhe përmbushjen e besës së dhënë, si institucion i lashtë fisnik.
Një përmbyllje të saktë do ta përkufizonte mendimi i autorit në pasthënjen e tij, derisa po sqarohej rreth ecurive të ndërtimit të romanit ,,Pushka e motrës”, se: ,,ndjeva një obligim, që të paktën t’ua ngrehja një monument letrar, këtyre dy dëshmorëve të atdheut” (po aty, fq. 172).
Mbase, edhe ata me gjakun dhe jetën e tyre, ia ngritën një monument të përjetshëm atdheut, duke i vënë kurorën e lirisë së shumëpritur.
Comments