Me shumë respekt shokut të klasës Reshat Hajdari:
Këtij shkrimi ia bashkangjes edhe një fotografi ku jemi shokët që vinim mysafirë te Ti dhe që ishim fotografuar gjatë rrugës për në fshatin Capar.
Shok Reshat, atë ditë që iu përgjigje kërkesës sime për shoqëri në Facebook, dhe vendosëm kontakt, një copë e madhe e shkrumbit të mallit për shokët dhe shoqet e klasës V-4 të gjeneratës 1969-1974 të Normales m’u hoq. Pesëdhjetë vite pas ndarjes, pa u parë. Ishte dëshira për shkollim që na bëri bashkë. Na bëri që të njihemi, që të bëhemi shokë, që të gëzohemi e hidhërohemi bashkë. Dëshira që të bëhemi mësues na shtyri që t’i drejtohemi Shkollës Normale. Shkollës Normale të Gilanit (tash Gjilanit). Aty do t’i kalonim pesë vjet. Nevoja dhe dëshira për të mbjellë dije na ndau e na shpërndau në të katër anët. Pesë vjetët që i kaluam në shkollën e mesme, ishin ndër vitet më të bukura në jetë. Në rrugën e dijes nëpër të cilën ecnim hasëm në shumë vështirësi, por me vetëdije të plotë se duhej të arrinim te qëllimi, me dashuri që kishim ndaj shkollës, me përkushtim dhe me entuziazmin rinor ato vështirësi i kapërcyem me sukses. Rruga nëpër të cilën kemi ecur gjatë shkollimit ka qenë një rrugë plot shqetësime e gëzime, ka qenë plot skamje e dashuri. Gjatë atij rrugëtimi ne rriteshim, shtoheshin edhe dijet tona, por nga pak na rritej edhe mendja. Kjo e fundit nuk ishte e mirë, por neve na pëlqente të tregonim se do të bëhemi dikushi. Në vitin e fundit të shkollimit, si maturantë (nuk e di e kujt ishte ideja) vendosëm që të vizitoheshim shokët e klasës në mes veti. Shok Reshat Ti ishe i pari që na ftove. Na ftove për vizitë në familjen tënde. Ishim një grup shokësh (shihen në fotografi) dhe kjo ftesë na gëzoi shumë.
E pranuam me kënaqësi. Kjo ftesë mua m’u duk se tani me të vërtetë ishim të mëdhenj, na e rriti edhe mendjen. Na e rriti mendjen duke menduar se tani atë që jemi bërë dikushi po e shohin edhe të tjerët. Kjo vizitë ishte një mundësi e mirë që ta tregonim këtë. Se cila ishte ajo ditë, tani nuk më kujtohet. Stina duhet të ketë qenë stina e pranverës. Ne një grup shokësh nga klasa jonë u nisëm për në fshatin tënd të lindjes-Capar. Ecnim rrugës duke bërë muhabet. Në një rast, rrugës për te vendndalimi i autobusit, hipëm në një dru dhe u fotografuam. Në dru hipëm që të tregonim se e donim rritjen, edhe ate e donim një rritje të shpejtë. Rrugën deri në Dobërçan e bëmë me autobus. Në fshatin Dobërçan zbritëm nga autobusi për t’u nisur në këmbë shpatijeve të një mali me lisa jo të gjatë. Relievi i atij mali paralajmëronte një mikpritje të fortë shqiptare. Me muhabet shpejt arrijtëm te shtëpia jote, Reshat. Mikpritja me të cilën na pritën prindërit e tu më mahniti. Gjatë prezantimit se kush ishim dhe nga ishim, kur thash se jam nga fshati Stançiq, emri i fshatit tim, babait tëd ia tërhoqi vëmendjen. Me mua e zgjati bisedën pak më shumë se me shokët tjerë ( shokët tjerë ishin Rizahi, Nazimi, Haziri dhe Ademi). Tha se ne e kemi prejardhjen e përbashkët ( kështu thuhej), nga dy vëllezër të cilët ishin në kërkim të vendbanimeve janë ndarë dhe njëri ka ardhur e është vendosur në Capar e tjetri në Stançiq. Kjo mund të llogaritej se unë kisha ardhur, pa e ditur fare, te vëllai. Kjo sa më lehtësoi aq edhe m’u duk se e shtoi përgjegjësinë që të isha i kujdesshëm në muhabet. Që të isha i sjellshëm dhe i kujdesshëm ndaj fjalës së folur ishte princip imi i përhershëm, të cilin princip e kam ruajtur deri më sot.
Edhe pse ju kishit pasur mysafirë (më duket se ishin disa të familjes suaj që ishin shpërngulur dhe jetonin në Turqi) nga Turqia, mikpritja qe tepër e përzemërt. Të gjithë kohën dhe hapësirën e muhabetit na e dorëzuan neve. Edhe sot më vjen keq që nuk qemë korrekt dhe këtë e pranuam pa na shkuar mendja fare se hapësira duhej të ndahej dhe atyre duhej t’u lihej pjesa që iu takonte. Një se ishin mysafirë nga një vend i largët dhe e dyta se ishin më të vjetër. Por ne këto nuk i patëm parasysh dhe vepruam ashtu si vepruam, vepruam ashtu siç nuk duhej. Kush mund ta ketë bërë këtë. Papjekuria dhe papërvoja për t’u përballur me situata të tilla. Aty ishte e përzier edhe mendjemadhësia se gjoja ne ishim të dijshëm e çka është edhe më keq, mendonim se ishim të gjithdijshëm. E pata ndier veten shumë ngusht kur disa nga shokët e tepronin në disa gjëra, e sidomos në bisedat rreth fesë. Dihej shumë mirë gjendja jonë e atëhershme, se si qëndronim me fe. Komunizmi e kishte mbjellur farën e tij ideologjike përmes materializmin dialektik në të gjitha fushat e jetës kudo në shoqëri, e ai ndikim ndoshta më së shumti ishte i përqendruar nëpër shkolla, dhe ne nuk kishim shpëtuar nga ndikimi i asaj fryme në krijimin e botkuptimit rreth shoqërisë dhe jetës në përgjithësi. Edhe bindjen fetare e kishim krijuar në këto rrethana. Dhe dihet mirë se çfarë ishte feja sipas Marksit. Kur jemi këtu nuk mund ta lë pa përmendur se edhe në këto rrethana, te rinia shkollore megjithëstë vërehej njëfarë refuzimi. Pra vëreheshin disa shenja refuzimi ndaj komunizmit. Ishte një refuzim spontan dhe i paorganizuar në fillim. Si të rinjë që ishim, disa nga shokët e pëlqenin t’i bartnin flokët më të gjata, rrobat pak më në modë. Këto ishin shenja pakënaqësie ndaj një diktati dhe një përzierje në lirinë dhe të drejtën e njriut dhe në vet individualitetin e njerëzve duke ua shtypur dëshirën e tyre individuale për t’ua imponuar rregullat se si të vishen ose si t’i presin flokët, e sa të gjata apo sa të shkurtëra duhet të jenë ato. Ky refuzim spontan gjithnjë e më tepër forcohej dhe do të vinte një ditë që nga ky refuzim ndaj komunizmit të lindëte një refuzim i organizuar. Refuzim ndaj shtypjes. Dhe qe e domosdoshme të vijë edhe lufta. Të derdhet gjak. Të derdhet gjak fëmije e plaku. Të derdhet gjak nxënësi, studenti, mësuesi, profesori. Të derdhet gjak bujku, bariu. Të derdhet gjaku i një populli që me dekada e shekuj pa mëshirshëm po shtypej. Ishte ky populli shqiptar i Kosovës, ishte populli shqiptar i cili nga padrejtësia historike kishte mbetur jasht trojeve të shtetit amë-Shqipërisë. Ne si mysafirë në familjen tënde e kaluam një natë. E kaluam një natë pothuaj fare pa gjumë. Pa gjumë duke bërë muhabet. Dhe sot pas pesëdhjetë vjetëve kjo ngjarje në kujtesë më erdhi e freskët duke ma kujtuar atë natë të paharrueshme. Reshat të falemnderit. Ky falënderim që vjen pas një gjysëm shekulli peshon sa toka.
Comentários