Ishte në korrik...
- Jul 7, 2022
- 1 min read

Të dua
Nga Fatmir Terziu
Ishte në korrik. Ishte në kalendar.
Një datë. Një ditë. Një javë.
Tridhjetë e dy të tillë ikën ngadalë
e ne mbetëm të dy me po atë fjalë.
Ajo fjalë na ndjek ditën dhe natën
asnjë ëndërr veç saj më nuk na cyt
duke përkëdhelur atë kapim mesnatën
ndërsa zjarret e saj na ndizen në fyt.
Është ajo fjalë letër dhe stilolaps
me të shkruajmë me buzë e me sy,
memorjet që kemi lënë bashkë pas,
i kthejmë bashkërisht në poezi.
Me atë fjalë si nektari për bletën
jetës i shtrydhim vetëm mjaltë,
kush kërkon të shijojë vërtetë jetën,
le të betohet vetëm në atë fjalë.
Ajo fjalë për ne u bë si një kult,
ishte dhe kishë, ishte dhe xhami,
ishte rruga jonë e shtruar pa kusht
me betimin tonë deri në pavdekësi.
Ishte korrik. Ishte në kalendar.
E shënuar me ar në një ftesë,
u bekuam bashkë në atë datë
pos betimit „deri sa të vdesë“.
Ishte 8 korrik. Ishte dhe vapë.
Njësoj si sot atëherë me mua
për familje bashkë bëmë kontratë
me zjarrin që na ngjizte: „Të dua!“









Qoftë kurdoherë me plot gëzime dhe e pashtershme Dashuria Juaj, tashmë
e shumëfishuar edhe me të bijve e mbesës!
Me konsideratë të veçantë, K.Gjergji.
Te dashuruar te ngeleni gjithe jeten, gjer ne pleqeri te thelle.
urime, suksese, miresi. Me respekt, Myslim Maska, Athine.