Irma Kurti: Dy poetë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jul 23
- 2 min read

Irma Kurti: Poezi nga Barbara Harris Leonhard (SHBA)
BARBARA HARRIS LEONHARD është autore e tre përmbledhjeve me poezi. Përmbledhja e saj më e fundit poetike titullohet: “Libri i Fundit i Zeros”. Ajo është redaktore e revistës MasticadoresUSA dhe Feed The Holy (Ushqe Shpirtin). Ka gjithashtu edhe blogun e saj personal: Endësja e jashtëzakonshme e diellit. I pëlqen të udhëtojë me makinë nëpër ligatina për të numëruar pelikanët dhe drerët. Ëndërron për një paqe të qëndrueshme.
E HIDHUR DHE E EMBËL
Një gjethe vallëzon në ajër
pa u rrëzuar në tokë.
Çfarë e mban vallë—
Një fije e vogël
e rrjetës së një merimange?
A jam unë pezull
nga pasiguria dhe frika ime
marramendëse dhe rrotulluese?
Ndoshta është
një rreze kërthizore hyjnore
që më rrotullon
në një gëzim të egër?
Apo është—
Litari i dyshimit
dhe i hyjnisë bashkë?
Unë kapem pas
shpresës së brishtë
të hijeshisë së një merimange.

TI EKUACION I BUKUR
Ndonjëherë ti mund të ndihesh i ndarë,
jo integral
apo thjesht një thyesë
Por ti je shuma e vetme
nuk ka matematikë më të mirë
sesa aksiomat e tua
Nëse mund të shumëzoheshe, sa
më e madhe do të ishte shuma
më logjike kjo botë
Ti je një matricë unike.
Skicimi yt shkëlqen plot simetri
Ti je
ekuacioni yt më i bukur.
PRITJA: NJË HAIKU ME KURORË
Heshtje e pafund
përpara se të lindë
një poezi
Pritja
e ndërrimit të ngjyrave
mbi pemë
Qetësia dridhëse
e një gjetheje
në degë
Ulja e ngadaltë
e kokës së lulediellit
në dritën e muzgut
Pauzat
midis fjalëve e lotëve
dhe keqardhjes
Psherëtimat e përjetshme
të kohës
që presin paqen.
BARBARA HARRIS LEONHARD
PËRKTHEU NGA ANGLISHTJA: IRMA KURTI
____________________________________________________________________
Irma Kurti: Poezi nga Carl Scharwath (SHBA)

Carl Scharwath ka botuar poezi apo vepra arti në mbi 175 revista ndërkombëtare. Ai ka botuar katër libra me poezi dhe fotografi. Është nominuar katër herë “The Best of the Net” (Poeti më i mirë online) 2022-25, si dhe dy herë për çmimin Pushcart 2023 për poezinë e tij dhe një tregim të shkurtër.
DRITARJA E VAJZËS SIME
Të ngrira në dritare
Lartësohen vegime paqësore
Pema depërton e qetë
Në qiellin e ndritshëm
Duke e lënë veten të vdesë
Një gjethe ngjyrë ari e zbehtë
Vallëzon lehtë
Në varrin e saj të kujtimeve.
UDHËTIMI
Vdekshmëria e çliruar zbriti,
Duke fluturuar përmes qiellit
Dhe një drite të butë pëshpëritëse.
I shkurtër ishte udhëtimi im për tek ti.
MUZIKA E NATYRËS
Unë qëndrova në hijen e një peme
që rriste yje në vend të gjetheve,
degët e saj shushurinin një këngë
që vetëm hëna mund ta dëgjonte.
CARL SCHARWATH
PËRKTHEU NGA ANGLISHTJA: IRMA KURTI









Comments