top of page

Inxhinier Lulzim Shahinaj (MSC)


Gëzuar ditëlindjen dhe urimet më të mira inxhinier Lulzim Shahinaj!


Midis viteve ka një algoritëm hapash vetë Njeriu. Vitet prekin të qarën e parë, memorizojnë, hapat e parë të fëmijërisë, shkulin britmën e shpërndarë memorjes së jetës dhe emetojnë ecjen e përditësinë. Vitet janë vite. Janë vite që i përkasin një aritmetikë. E në to ne njerëzorët ndalojmë të rikujtomë udhën, ditën që na e pikënisi këtë udhë. Kështu është dhe me Inxhinierin e kualifikuar në një nga universitetet prestigjioze në studimin e Tërmeteve. Ai është në një ditë të tillë sot. Është me gotën në dorë. Pranë dhe bashkë me familjen e tij të mrekullueshme, bashkë me zonjën e tij të nderuar Luljetën, dhe ecën sërrish…

Ecën më ngadalë tani? Jo. Nuk mund ta themi këtë. Ai ecën me atë hap që e shtriu në vendlindje, me atë hap që e nisi me studimet dhe i zhvendosi tek Inxhinieria mekanike në UT, e me disa specializime dhe Masterin në Shkup. Ai ecën sërrish me biznesin e tij. Ecën. Kilometrat janë më të gjata se dikur.


40 vjet bashkë: Luljeta dhe Lulzim Shahinaj

Dhe na duket se nga larg na thotë: „E di ku dua të shkoj, por tani harroj të kthehem majtas dhe djathtas.“ E ai i di mirë bindjet dhe përkushtimet e shumta të tij, se i mësoi hershëm nga kryemësuesi emërmadh, Mustafa Shahinaj, e i ndoqi nga afër nga nëna e tij, vëllai i tij Profesor dhe shkrimtar, Hasan Shahinaj, autorin e disa veprave, nga motrat e vëllai tjetër i tij.

Këtu vjen dhe ndalet një ditë e bukur. Kalon si një Hyjni. Hyjni në morinë e ditëlindjeve të tij. Inxhinieri i respektuar, fjalëpak dhe punëshumë, Lulzim Shahinaj mediton dhe shkitazi na thotë edhe me heshtjen e tij: „Unë them përshëndetje ndërsa ajo kalon, por nuk dëgjoj asgjë.

E pashë, por mendoj se ajo nuk më pa mua. Unë eci pranë pemëve dhe luleve, që dikur ishte jeshile dhe të kuqe, dhe të verdha, por tani janë gri. Më duhet të rregulloj syzet, por nuk i gjej dot. Më mungon ndoshta durimi që kisha dikur, ai më i zellshmi që më bëri të dedikohem në ndihmë të mjaft njerëzve në nevojë, miku im më i dashur ndonjëherë, Humanizmi. E dëgjoj duke heshtur, por ai më duket se është akoma më i ri se një vit më parë. Unë eci më ngadalë tani. Dua të rimar hapin e tij.“ Ai nuk e ndali edhe në kohë të vështira…


Familja e gjerë Shahinaj

E kështu në këtë ditë shënuar mëson dhe një herë se për Inxhinierin Lulzim Mustafa Shahinaj është jo thjesht një ditëlindje, por çmimi më i madh dhe dhurata më e madhe është të jesh e të mbetesh Njeri. E di këtë se i Ati Normalist, i viteve 1930-të e kishte shënuar dhe ishte betuar që në bankat e asaj shkolle se do ta bënte këtë një udhëjete me familjen e tij. E kishte nisur vetë dhe e trashëgoi mrekullisht. Vetë Mustafa Zeqir Shahinaj, edhe pse jetonte në Elbasan, pas mbarimit të shkollës Normale, shërbeu si mësues në zonën e Peshkopisë, madje deri në Mitrovicë të Kosovës.

Kështu bëri dhe vetë Lulzim Mustafa Shahinaj, që në viet e një stazhi shkoi me dëshirë që të punonte si mësues në një nga fshatrat e largët të Gollobordës, Lejçan. Edhe atje, edhe në disa detyra të tjera, si inxhinier, drejtor të disa institucioneve të rëndësishme, aktivist dhe komunar, drejtues i instancave të pushtetit vendor e më gjerë, Inxhinieri i nderuar Lulzim Mustafa Shahinaj, ka lënë emrin e tij dhe atë që u bekua nga prindërit e tij të mrekullueshëm.

33 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page