Tetëdhjetë e dy vjet më parë udhëtimi dhe mërgimi i Mbretit Zogu I të Shqipërisë drejt Luginës së Temzës në Angli tashmë është memorje. Arritja në Plymouth më 26 qershor 1940 dhe mbërritja në Londër natyrisht ishte dhe një procedurë e veçantë, pasi pasaportat diplomatike të eskortës që shoqëronte Mbretin, u kontrolluan dhe u vulosën nga Zyra e emigrimit. Dhe në këtë rast ishte disi ndryshe. Pasaportat me shkabën shqiptare dhe stemën e Mbretërisë shqiptare, ishin lejuar të hynin në shtetin ishullor, falë një marrëveshjeje që shpjegohet se Mbreti do të paguante vetë të gjitha shpenzimet.
Dhe anglezja e parë që priti Mbretin Zog dhe grupin e tij, Sheila Parish, një vullnetare e Ndihmës së Parë Infermiere (FANY) tashmë nuk është një emër i vetëm në këtë memorje. Përveç të tjerëve të asaj kohe, në rrjedhat e përkujdesjes janë edhe emra të mëvonshëm, si Neil Rees, që është sekretar i shoqatës “Kërkimore të Mbretit Zog” dhe që ka hulumtuar dhe botuar “Mërgimi Mbretëror” e mjaft të tjerë të dukshëm e të padukshëm, që kanë treguar interes për këtë ardhje mbretërore shqiptare në Mbretëri të Bashkuar në kushte të tjera.
Midis emrave të mëvonshëm është edhe John Thompson, anglezi i Kompanisë avokatore britanike “Thompson & Co Solicitors”. Ndërsa dhjetëra të tjerë që kanë shkruar dhe botuar, përfshirë dhe Neil Rees, ku libri i tij jep një informacion të pasur për familjen mbretërore në mërgim, Francë, Angli, SHBA, Egjypt, etj., ajo që e lidh me këtë hulumtin emrin e anglezit John Thompson, është e veçantë, e pathënë, e diktuar nga dëshirat e tij të mëdha hulumtuese prej disa vitesh rreth kësaj çështjeje. Si informacinet që janë në librin e Rees, ashtu edhe ato që ka Thompson, nuk gjendet lehtë në botime të tjera. Libri i Rees, ka disa ndarje, si Shqipëria përpara Mbretit Zog; Britanikët në vitin 1922-1940; Mbretëria e Shqipërisë 1938-1939; Shqiptarët në Angli dhe SHBA; etj.
Ndërsa me rastin e 85 vjetorit të caktimit të inspektorëve britanikë për ngritjen e xhandarmërisë shqiptare, (1925) dhe 70 vjetorin e Mbretit Zog në Angli (1940), pata rastin me disa aktivistë të vizitonim eventin në Shtëpinë Parmur, në ditët e fundshkurtit së këtij viti pata rastin të rivizitoja këtë shtëpi me mikun tim John Thompson. Deri në atë çast nuk e dija pse ai kishte një interesim të madh për figurën mbretërore shqiptare. Ai dinte mjaft. Kishte lexuar shumë. Kishte arsye të tjera...
Duke qenë i interesuar për një çështje të hershme azili, të një familjeje shqiptare, në lidhje me Mbretin, ai kishte nisur të tregonte kujdes dhe përkujdesje. Detajet natyrisht herë pikëtakohen me bisedat e autorit të librit dhe herë me ato që dëgjoj nga bisedat e anëtarëve të shoqatës “Anglo-shqiptare” që ishte për të vizituar mjediset e Parmur. Sakaq mësoj mjaft të fshehta të cilat janë në leximin e hershëm të John Thompson, të cilat do të bëhen prezente në shkrime të tjera. Ajo që më interesoi më shumë ishte dëshira e tij të mëonte akoma më shumë rreth figurës së Mbretit Zogu I-rë. Nga biseat me John Thompson mësova gjithashtu dhe fakte të reja.
Një nga studimet më të plota mbi historinë e familjes mbretërore e ka prezantuar Patrice Najbor në veprën e tij me pesë vëllime “Historia e Shqipërisë dhe i familjes së saj mbretërore 1443-2007”. Najbor ka treguar se në kuadrin e rishikimit të historisë së Shqipërisë vjen dhe ky libër duke paraqitur me objektivitet, përmes burimeve të jashtme, faktet dhe personat, të cilët nuk janë njohur deri tani nga historiografia shqiptare. Është vëllimi i dytë ku historiani ndalet në periudhën e viteve ‘20, duke sjellë sidomos një vështrim të ri për sa u përket figurave të Fan Nolit dhe Ahmet Zogut. “Studimi i periudhës zogiste tregon se mbreti Zog me realizimet e tij në fushat institucionale, legjislative, edukative, shëndetësore, ushtarake, diplomatike, ekonomike dhe në drejtim të zhvillimit të ndërtimit të rrugëve dhe të infrastrukturës së vendit ka vendosur bazat e një shteti modern, demokratik të tipit perëndimor dhe duke zëvendësuar të drejtën e forcës me forcën e së drejtës, ai paraqitet si njeriu më progresist i kohës”.
Ndërsa në vëllimin e tretë është përpjekur të tregoj udhëtimin e gjatë e të vështirë të familjes mbretërore në mërgim dhe luftën e vazhdueshme të mbretit Leka I për çlirimin e Shqipërisë nga komunizmi dhe të Kosovës nga zgjedha Serbe. Por në anën tjetër, Najbor vëllimin e katërt të librit e ka pajisuar me dokumente të shumta, shpesh të panjohura, të veprimeve të ndryshme politike të mbretit Leka, ku konstaton se përtej mosmarrëveshjeve të shqiptarëve të diasporës, mbreti Leka ka punuar për ribashkimin e kombit shqiptar.
Një tjetër libër i konsideruar për historinë e familjes mbretërore është dhe ai që cituam më lart, ai i Neil Rees, i cili ka shkruar mbi jetën e mbretit Zog dhe familjes së tij në Angli, e përkthyer edhe në shqip “Mërgimi Mbretëror; mbreti zog dhe mbretëresha Geraldinë”, vjen si interes lokal prej nga nis edhe shkrimi i librit për mbretin Zog. Rees nuk ka bërë një libër historik, por të mbështetur mbi kujtime dhe fakte të gjetura në pasardhësit e njerëzve që jetuan me të gjatë mërgimit. Duke sjellë fotografi të njohura, por edhe dokumente nga arkivat e Londrës mbi të dhëna të sakta të njerëzve që e shoqëronin, Rees i ka mëshuar më shumë marrëdhënieve shoqërore që familja mbretërore krijoi në mërgim. Janë detaje të vogla në dukje, por që shpjegojnë historinë pak të njohur për shqiptarët.
Comentários