top of page

Ilmi Dervishi: NEXHAT PUSTINA emër që i bën nder Dibrës

  • 42 minutes ago
  • 2 min read

 

Nga Ilmi Dervishi

 

Nexhat Pustina u lind në Dibër të Madhe, më 20 prill 1926, në një familje qytetare, patriotike dhe arsimdashëse. Mësimet e para i mori në Internatin Kastriot, Peshkopi, pastaj në qytetin e Peshkopisë dhe shkollën e mesme në Tiranë Arsimin e lartë në Shkollën e Lartë Pedagogjike e mbaroi në 1945 vit ku punoi në Ministrinë e Financave, Tiranë. Në vitin 1946 shkon si mësues në Mavrovë, Kumanovë, Tetovë. Emërohet drejtor në shkollën Vrapçisht të Gostivarit, persëri në fshatrat e Tetovës e deri në Bojan e Glloumovë të Shkupit. Vetëm pas viteve 1970 e rikthejnë në shkollën fillore "Migjeni" në Tetovë pranë familjes dhe banesës ku jetonte.

Me krijimtari letrare veçanërisht me poezi është marrë nga viti 1947, vit ku filloi të botonte në shtypin e kohës. Nexhat Pustina i Dibrës ishte nga të parët poet shqiptarë në Maqedoni, siç quhet sot Maqedonia e Veriut, që botoi librin me poezi "Zëbilbili lule maji" në vitin 1968. Më vonë botoi "Zëri në shtrëngatë" 1972, "M’i vodhën gurët" 1981 dhe "Kënga e fundit" 1982. Më 18 mars 1982 Nexhat Pustina ndahet nga jeta në moshë të re, ende pa mbushur 56 vjeç, duke lënë pas një dhimbje të madhe për familjen, për nxënësit e tij që me shumë dashuri ju përkushtua, miq e shok dhe lexuesit e tij dashamirës të poezisë.

Po këtë vit poeti dhe shkrimtari i njohur Murat Isaku, boton librin "Poezi të zgjedhura" të Nexhat Pustinës, ndërsa biblioteka "VLERA" boton librin nga dorëshkrimet e poetit me titull "Lirika" me autor Nexhat Pustina dhe redaktor Iljaz Osmani.

 Në librin "Emra që nuk harrohen" shkruar nga Tahir Z. Berisha, një libër për arsimtarët veteranë të gjuhës shqipe në Kosovë, një vend të rëndësishëm zë figura e mësuesit poet Nexhat Pustina. Edhe në përmbledhjen me studime historike të arsimit shqip me titull "Pishtarë të arsimit shqip" shkruar nga I. Islami dhe A. Reshit, shkruhet dhe për Mësuesin e nderuar dibran Nexhat Pustina.

Edhe bashkëshortja e tij dibranja Adile Pustina, e lindur në Dibër më 1930, ishte gjenerata e parë e mësueseve në këto anë. Adilja krah për krah me bashkëshortin ju përkushtua arsimit, familjes deri sa doli në pension në vitin 1981.


Krijimtaria e Nexhatit pak njihet e lexohet në Shqipëri, por edhe në Peshkopi pak dihet dhe pak veta e kanë lexuar sepse nuk është botuar as ribotuar. Vetëm në vitin 1986, në numrin 1 të revistës “Nëntori”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në rubrikën "Poet nga Kosova” në faqen 124 botohen disa poezi të Ali Podrimes, Hivzi Sulejmanit, Nexhat Pustinës, Qerim Ujkanit, etj.

Presidenca Shqiptare i ka akordua Nexhat Pustinës dekoratën e Urdhërit "Naim Frashëri". Në vitin 2014 në Pallatin e kulturës në Tetovë u mbajt akademia solemne për "Ditën e Alfabetit" organizuar nga Shoqata e pedagogëve shqiptarë në Maqedoni ku u fol edhe për mësuesin poet Nexhat Pustina.

Në vitin 2026 me propozim nga Lidhja Shqiptare, Komisioni pranoi propozimin për të vënë emrin "Nexhat Pustina" një rrugë në Tetovë.

Po Dibra ç’do bëjë për birin e saj, mësuesin dhe poetin Nexhat Pustina?

Mendoj se emri dhe vepra e tij i bën nder Dibrës.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page