Ilir H. Kuke: Malli digjet ngadalë.
- 2 hours ago
- 1 min read

Malli digjet ngadalë.
Ilir H. Kuke
Malli nuk shpërthen si flakë,
ndizet ngadalë, si dru i lagur në dimër,
që nxjerr më shumë kujtime se bën dritë.
Rri brenda teje si prush i mbuluar me hi,
dhe pret një erë të vogël, një emër,
një këngë të largët, për t’u ndezur përsëri.
Dashuria ikën ndonjëherë me vrull,
si shi vere mbi asfalt
por malli ka durimin e gurt.
Rri gjatë, mureve të shtëpisë, bosh,
te filxhani që s’e prek më askush,
te drita e korridorit që ndizet kot.
Ka njerëz që largohen një herë,
por mbeten duke ardhur
në mendimet e tua, çdo natë.
Dhe sa më shumë koha kalon,
zjarri i mallit behet më i qetë
por nuk shuhet, ndezur mbet.
Malli digjet më ngadalë
që të zgjasë më gjatë
edhe më gjatë se jeta vetë.
Gërmime në të kaluarën.
(fytyra ime tjetër)
Ndonjëherë më sheh nga pasqyra,
me qetësi të çuditshme, sikur më pyet:
“Hej ti, a u bëre ai që ëndërroje?”
Por unë hesht.
Sepse vitet na mësojnë të flasim
më pak me botën,
më gjatë me veten.
Ka ende pluhur mbi disa kujtime.
Ka emra që dhembin po aq sa dikur.
Ka premtime që koha nuk i mbajti.
Në këto gërmime nuk kërkoj më fajtorë.
Kërkoj vetëm atë grimë drite
që më ka mbetur nga njeriu që isha.
Fytyra ime tjetër,
ende jeton diku
mes kujtesës dhe harresës.
Duke pritur të pajtohem me të
para se koha
t'ja mbyllë derën së shkuarës.








Comments