Ilia Bombaj: Njeriu me dy zemra
- 22 hours ago
- 5 min read

Të shkruash për një jete njerëzore, aq më shumë për një intelektual dhe misionar, të vetedijshëm për rrugën dhe sfidat e tij, është si të lëshosh një zë shprese, një zë që dëshmon një rrugë të vështirë por të bukur, nga e cila mund të mësoj gjithkush. E tillë është jeta e vlonjatit nga Kropishti Qatip Mara, një jetë që të frymezon me fuqinë e ëndrrës dhe kauzës, me kurajën e përballimit të vështirësive, me përkushtimin për t'iu shkuar gjërave deri në fund, pavaresisht nga çmimi i sakrificës...
Idenë e shkrimit të këtij libri kishte kohë që e bluaja me mendje, duke medituar me vete, se udhët
e panjohura të fatit, ndodh të na venë në sprova ekzistenciale, ku kura dhe terapia më e mirë dhe që gjithmonë funksionon, është dashuria njerëzore. Një dashuri që ngrihet mbi dhimbjet dhe trazimet, mbi rrethanat e trishta dhe udhëkryqet e pashpresë. Një dashuri që sfidon edhe vdekjen e paralajméruar dhe që lartësohet fuqishëm në krahë shprese, duke çarë mespërmes perden e frikës dhe pamundësisë...
Këtë e dëshmon më së miri jeta e mësuesit dhe shkrimtarit Qatip Mara. Një jetë e vrullshme, e trazuar, me batica të forta, por gjithmonë me pasion dhe përkushtim për dijen dhe vlerat, me përkujdesje e dashuri për familjarët, miqtë e farefisin, koleget dhe bashkëudhetaret e tij të jetës...
Një jetë që u nda më dysh për shkak të një traume shëndetësore, por që vazhdoi dhe vazhdon ende të përcjell mesazhime të bukura, që vlejnë të dëgjohen dhe përvetësohen nga secili prej nesh...

Një jetë mes nxënësve e mësuesve, që nisi nga fshati Treblovë, në vijim në vendlindjen Kropisht, mé tej në Selenicë, në Vlorë e në Tiranë, duke lënë pas gjurmë të ndritura pune, pasioni, përkushtimi, gjurmë të cilat, koha që pasoi nuk i shlyeu dot, por i skaliti në kujtesën e brezave të nxënësve dhe kolegëve, të cilët e çmonin dhe e çmojnë kontributin e Qatipit në fushën e arsimit dhe dijes. Aq më shumë çmojnë -dhe meriton të çmohet- komunikimi i tij i ngrohtë, vëmendja dhe investimi shpirtëror ndaj gjithëkujt që e rrethon në përditshmërinë e tij.
Një jetë e jetuar me intensitetin dhe frymën e lirisë individuale, që shpesh ka ndeshur në pengesat e inganazheve të dhunës e perjashtimit, por nuk është dekurajuar dhe as thyer.
Jeta e Qatip Marës është pjesë e një trashëgimie të denjë familjare, me shenja e gjurmë në kujtesën e brezave. Është një sfidë e ngritur mes dallgëve e baticave, ku kanë rënë të thërmuara të gjitha fasadat dhe e vetmja gjë që ka rezistuar pa u thyer, është keshtjella e virtytit, keshtjella e shpirtit qendrestar të njeriut që beson tek mirësia dhe dashuria njerezore.
Fati jo gjithmonë na rezervon oaze çlodhje e relaksimi, jo gjithmonë na përkëdhel me duart e tij të buta e delikate. Ka ditë e stinë, kur pema e jetës shkundet me furi, shpresa mpaket e thahet, gjithçka duket e ngrirë kallkan dhe një shkretetirë gri ngrihet para teje si një makth. Ditë e stinë, që për nga fuqia e të ndodhurës, e ndajnë kohën tonë në dy kohë, në para dhe pas asaj të ndodhure, e cila, si të thuash, kondicionon jetën dhe të ardhmen tonë.
Një ditë e tillë ishte ajo ditë e vitit 2013, kur nisi kalvari i dhimbjes dhe peripecive, kur pas ecejakeve të shumta nëpër spitale, për të kuruar zemrën, nga Shqipëria në spitalin Gjermani, në Itali dhe SHBA, e vetmja mundesi që jeta e Qatip Marës të vazhdonte ishte transplanti i një zemër té re. Pra, të jetonte me zemrën e tjetrit. Zemra e nënës, ajo zemër e bukur mirësie e dashurie, me të cilën kishte çarë përpara nëpër dallgët e trazuara, e kishte braktisur...
Tani e tutje do të jetonte me zemrën e tjetrit, me ankthin e përditshmërisë stresante, që të imponon një rutinë e tejngarkuar ditë-netësh me vizita nëpër spitale, analiza, konsulta e mjekime, që pasojnë njëra tjetrën dhe nuk kanë të mbaruar. Mjekesia e shkëlqyer amerikane kishte bërë më të mirën e mundshme, vajza e Qatipit, Brunilda, kishte bërë sakrificën model për babain e saj të dashur dhe Zoti i mrekullive
i kishte hapur rishtas portën e jetës këtij njeriu, i cili e kishte parë vdekjen me sy...

Këto ndodhi kaq të trishta e shpresëdhënëse njeherësh, Qatip Mara i ka përcjellë me aq detaje të imëta dhe përshkrime realiste mbresëlënëse në dy librat e tij "Në labirinthet e jetës sime" dhe "Brunlida, jeta ime e dyté". Libri "Jeta me dy zemra e mësuesit Qatip Mara" është një përsiatje e thelluar rreth përshkrimeve të detajuara dhe të hollesishme që përcjell autori në keto dy libra, ku është rrëfimtari dhe protagonisti.
Ecejaket e trishta dhe plot peripeci të Qatip Marës, spitaleve të Tiranës, shteterore e private, janë një odise plot dhimbje e trshtim, ku familjarët e tij dhe ne miqtë e tij, prekëm nga afër pamundesinë e shëndetësisë tonë të lodhur e të drobitur nga psikozat tenderuese, për të dhënë zgjidhje shpresëdhënëse...
Në këtë udhëkryq e rebus të trishtë, të rëndë dhe asfiksues, ku dukej se të gjitha rrugët ishin mbyllur dhe e pamundura vringëllonte me triumf shpaten e ligësisë, do të shkëlqente akti madhështor i dashurisë së vajzës për babain: Brunilda Qatip Mara do të mundësonte, pa llogaritur shpenzimet marramendese, udhëtimin e të atit me ambulancë fluturuese mbi Oqean, drejt SHBA, Tokës së Re të Endrrave të Njerëzimit.
Më tej, Ajo do të përballonte koston e lartë financiare të çdo ndërhyrje spitalore, deri në transplatin e zemrës së re, zemrës së tjetrit, me të cilën babai i saj i dashur, do të vazhdonte udhëtimin e mëtejshëm të jetës.
Vazhdimi i rrugëtimit jetesor me zemrën e tjetrit, kur e thua, duket thjeshtë një fjalë goje, por është një realitet plot ankth e shqetesime, andrralla e dyzime, dilema dhe enigma që duhen përballuar çdo çast dhe mund t'i zgjidhësh vetëm brenda vetes, siç i ka zgjidhur Qatip Mara. Me një kurajë dhe guxim shembullor, me një dashuri të madhe për jetën dhe njerëzit, ia ka dalë dhe ia del çdo ditë, të ngrihet mbi dhimbjen, stresin, infeksionet, pagjumësinë kronike, duke shkruar me lekurë e tij një libër shprese dhe dashurie, që duhet ta lexojnë të gjithë.
Libri "Jeta me dy zemra e mësuesit Qatip Mara", duke u endur në keto shtjella jete, tenton të përcjell heriokën e brendshme të protagonistit, një heroikë e përçdoçastshme, e cila vjen pa klithje emfatike e pa bujë dhe na kujton se ne, njerëzit e kësaj bote, nuk kemi në dorë të zgjedhim rrethanat dhe sfidat që na ofron e me të cilat na përball jeta, por kemi në dorë të bëjmë luftën tonë, pa u lodhur dhe pa u dekurajuar, siç e bëri dhe vazhdon ta bëj mësuesi, shkrimtari dhe njeriu me thesare në dy zemrat e tij, Qatip Mara.








Comments