top of page

Iku në amshim Luan Starova


Nga e majta në të djathtë: Luan Starova, Puntorie Ziba, Iliriana Sulkuqi, Gzime Starova, Fatmir Terziu

Kur vepra të bën të pavdekshëm

Një 'pauzkë' rreth ikjes dhe ekzistencës së Luan Starovës…


Fatmir Terziu


Kur u ndodha verën e 2012-tës në një nga takimet e poetëve të Strugës, “Makedonski Konaci”, [Konakët Maqedonas] i ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Poetëve vendas, pashë se poezia kishte “Portën e saj”, dhe si pasojë kërkonte “Pasaportën” e ardhur jo nga zyra shtetesh, edhe pse ajo vinte në emër të përfaqësuesve të dhjetra e dhjetra shteteve, por në emrin e një Ligji të pashkruar që vjen nga shekujt. Aty në krah të shkrimtarit shqiptar me banim në Maqedoni, Luan Starova, kritikut dhe poetit, Nuri Vinca, shkrimtares Puntorie Muça, apo edhe poetes Iliriana Sulkuqi, këtë e ndjeva më shumë.

Starova në një bisedë të ndjeshme, të bukur, aty në tryezën e Restorantit, “Konakët e Strugës”, teksa po bisedonim për rolin e poezisë dhe poetit në këtë kohë që jetojmë, ashtu qetë në bisedë e sipër më tha: “Është kjo një mesele e vjetër. Është si në kohërat e vjetra. Në ato kohë me luftëra. Ushtarët ishin fisnikët e qënies së vet dhe kalorësit fisnikët e ushtarëve. Por, shumë shpejt raportet midis ushtarëve të thjeshtë dhe kalorësve u ndryshuan. Ushtarët ishin ushtarë dhe kalorësit u bënë zotërit e luftrave, stolive dhe triumfeve. Pra kalorësit ishin obortarët! Kështu edhe me poezinë. Kur ajo është poezi ‘ushtare’, fati i saj mbetet në një luftë të hapur, kur ajo është ‘obortare’ ka edhe kulm, por ka edhe fund, si gjithë oborret, si gjithë Qeveritë. Kur është poezi mbetet gjithnjë një zjarr në gji.”.

Por, nëse fjala e shkrimtarit shqiptar, Luan Starova, kishte filozofinë e saj, ajo që më udhëton në vite pas është diçka më e thjeshtë, disi me ngjashmërinë e saj, me udhën që rrok dhe merr jeta, me trashëgiminë që mbetet dhe atë që tretet. Krijimtaria, ajo që shkon përtej të gjithave, tek arti, tek bukuria, tek ekzistenca, jeta dhe vdekja, tek ajo që ekziston përtej të gjithave. E ajo është vetë simbolika që dallon shkrimtarin nga nocioni Njeri. E këtu gjithnjë dhe jo fare rastësisht mund të thuash se normalisht është nder dhe kënaqësi të gjendesh mes ekzistencave të tilla, mes emrave të tillë.

Luan Starova ka lindur në Pogradec të Shqipërisë më 1941. Si student i gjuhës dhe i letërsisë frënge, punoi një kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Aktualisht ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli. Ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me esse dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht.

Disa nga veprat e tij ende nuk janë botuar në shqip. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga “Fayard” në Paris ( “Librat e Babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit” ) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” ( “Bregu i egzilit” ) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë.

Tashmë rrugëtimi i Luan Starovës është ekzistencialisht i kahshëm. Si Njeri ai përcillet në lamtumirjen e jetës, si shkrimtar vazhdon udhën e ekzistencës. Dhe kohërat si kohëra, dhe kur kapen në dialektikën e „Kohës së dhive“, janë më të dhimbshme se ajo që tresin në gojën e tyre. Dhe aty rreket forma dhe zbrazëtia. Forma është zbrazëti (boshllëk). Boshllëku është formë. Dy mijë e pesëqind vjet më parë, Buda ishte në gjendje të kuptonte "zbrazëtinë". Duke vepruar kështu ai e çliroi veten nga pakënaqësia. Nga pikëpamja e iluminizmit, ajo është realiteti i të gjitha ekzistencave të kësaj bote. Është realizimi i Bodhi — Prajna. Nga pikëpamja e çlirimit, është mjeti i shkathët që shkëputet nga ndotja dhe pakënaqësia. Realizimi e çon njeriun në mungesë të lidhjes dhe kapjes. Është mjeti i shkathët drejt ndriçimit dhe gjithashtu fryt i iluminizmit. Iluminizmi ka strukturën e tij. Ajo që shkon më tej janë materialet. Materialet janë forma, të cilat për nga natyra e tyre nënkuptojnë pengesë.

E materialet janë tek veprat e Luan Starovës në tërësinë e vetë filozofike. Natyra e tyre është e një rëndësie pozitive, ku dominon qetësia dhe shuarja!

Qetësia dhe shuarja janë e kundërta e ngritjes dhe rënies. Ato janë një mënyrë tjetër për të shprehur se nuk ka ngritje dhe rënie. Ngritja dhe rënia janë karakteristikat e përbashkëta të ekzistencës së kësaj bote. Të gjitha dukuritë janë gjithmonë në ciklin e ngritjes dhe rënies. Megjithatë, shumica e njerëzve përqendrohen në të jetuarit (ngritje). Ata mendojnë se universi dhe jeta janë realiteti i një ekzistence të vazhdueshme. E kështu do ta besojmë gjithnjë kur të rrekemi ta lexojmë kohën dhe tërësinë në veprën që lartëson Luan Starovën.

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page