top of page

IKONA EMINESCU


IKONA EMINESCU

- përmbytje dhe çmim -


Nga Visar Zhiti


S’e di kur ka ndodhur kjo përmbytje, në ç’vend të Rumanisë ishin shembur ashtu aq çati e mure, në ç’dimër, por më tronditi dhe më magjepsi pamja, se njerëzit dhe forcat e ndihmës së shpejtë, ata duhet të ishin, të futur në ujë, teksa nxirrnin të tjerët nga rreziku dhe merrnin nga orenditë më të çmuara e më të nevojshmet, besoj, ndërkaq nja dy veta mbartnin një portret, atë të poetit të tyre, Mihai Eminescu, bardit të Kombit. Në atë apokalips ata donin ta shpëtonin nga përmbytja si të ishte njëri nga ata…Këtë imazh të rrallë na e nisi nga Rumania miku ynë, Luan Topçiu. Po e shikonim...

Me Edën time, vjet në këtë kohë, dhe me Luanin, ishim në Craiova, në festivalin botëror të poezisë, që mban pikërisht emrin e Eminescut, me president Deaconescu Ion. Aty pamë se sa shumë e donin Poetin. Por s’kishte përmbytje, veç përmbytje poezish.

Dhe poetët e ardhur nga bota, ne, së bashku, bëmë homazhe te statujat e Eminescu-t, vumë lule dhe lexonim nga librat tanë.

Kudo në qytet ishin pllakatet e Eminescu-t, pikërisht me atë fytyrë që ishte dhe në atë korrnizën që e mbanin lart, ndër duar e tyre, njerëzit në atë përmbytjen s’di se ku, kur rrebeshi mbase s’kishte pushuar ende…

- Si sot një vit më parë festivali ta dha ty Çmimin e Madh “Mihai Eminescu”, - po më thoshte Eda sikur donte të më qetësonte.

Nëpërmendëm solemnitetin dhe ceremoninë aq të bukur, për të cilën shkruajtën gazetat, folën mediat dhe dhashë intervista në televizione… edhe unë mbaja në dorë fort statuetën e larë me ar të Eminescu-t, por tani skuqem dhe ul kryet nga turpi para asaj pamje, që s’di ku është, të asaj shtëpie të shëmbur, sigurisht në ndonjë vend të largët e të humbur, të përmbytur si mos më keq dhe njerëz atje, anonimë, të thjeshtë, që s’japin intervista, çanin nëpër ujin e turbullt, pa ndonjë alarm të dukshëm, duke mbajtur përsipër vorbullave portretin e Poetit të tyre, që ta shpëtonin nga fatkeqësia që u kishte pllakosur... Po, po, ajo ishte si një tjetër ikonë, Poeti, që u kishte dhënë shpirt dhe identitet me aq shumë bukuri dhe ata, për fat, e dinin, ua kishin thënë etërit, shkolla, era që frynte, kujtesa…ishin të ndërgjegjshëm, kishte ndodhur dikur, në një të dikurshme të gjithmontë, pra dhe në të ardhmen se ata ua thoshin dhe bijve… ja, ashtu siç mbillet toka, siç udhëtohet me trena, me ëndrra… dhe po sakrifikonin prapë ashtu siç bënin shpesh për të tjera gjëra, pa bujë, e bujshme ishte veç përmbytja… edhe festivali…

Po ai është çmimi më i madh, - po i thosha Edës, - më i shtrenjtë për një poet…

Kur të duan edhe kur s’je… dhe je më shumë se ata që janë… thellë… si në një korniza të drunjtë… të varfër… por kjo është pasuria…

8 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page