top of page

Ikja e qenushit...




Ikja e qenushit...


Nga Fatmir Terziu


Iku. Iku dhe qenushi... Iku për tu larguar. U largua si për të (mos)ardhur prapë mes qenushëve. Por, ikja e tij ishte vërtet ikje e larguar. Pra, u largua nga bota e tij e jetës. U largua, pikërisht ashtu siç ikin qenushë si ai. Dhe lajmin ia ngjitën një shtylle të hollë, një shtylle tub të latuar me stil të veçantë, ndanë udhës ku ai kishte bërë xhiron e fundit.

I ja ngjitën mu në rrëzë të atij tubi, ku ai ngriti këmbën e tij të vockël, delikate e të pashëndetshme, me ndihmën e duarve të lyera me lloj-lloj pudrash e manikyrash, të zonjëzës me minifund që e mbante për dore. Duart e saj të buta iu bënë jo thjesht një ndihmë e vogël, që ai të shkundte lehtësisht dhe mirë e mirë, tërë atë lëng të mbajtur brenda veshkave të tij delikate, që i kishte mbushur pas gdhënjkave të dendura me disa mikesha të tij, qenushka të sërës së vet, por edhe të rehatohej paksa.

Zonjëza me minifund iu gjend aq afër, sa menjëherë pas ngritjes së këmbës së qenushit, ndjeu edhe një lëpirje të vogël me gjuhëzën e tij të lehtë e të njomë, pikërisht aty ku vijëzat ndarëse të getave formonin një ‘v’ të vogël. Dhe pos një drithme të lehtë, u shkund edhe qenushi, edhe zonjëza bëri të njëjtën gjë. Dhe më pas e panë njëri-tjetrin në sy, thellë e thellë. Aq thellë, sa retinat e tyre gati po pëlcisnin. Sytë u nxorrën shkëndijëza. Dhe shkëndijëzat bënë të vetën, ashtu siç bënin gjithmonë në sytë e zonjëzës. Lëshuan lotë. Lotët u bënë shkak të ofshante përsëri...

Ofshama e zonjëzës e bëri qenushin të afrohej më pranë saj. Dhe kështu si qenush i përkëdhelur ndejti disa minuta hoptha në krahët e zonjëzës. Ajo kishte ngulur kokën andej nga ndërtesa e Bashkisë dhe qullej në lotë. Ishte dita e fundit që priste lajmin nga zyrat. Marrëdhëniet me Publikun e kishin lënë pas dore letërkërkesën e saj të ditëve të fundit. Por, kur kërkesa ishte shënuar edhe nga mjaft qenushë të tjerë, pos lajmit se ai ishte me mendje të ndërruar në misionin e tij, solli në skenë rifreskimin e kërkesës. Kërkesa e bënte akoma më trishtuese ikjen e qenushit në të njëjtën ditë.

Bashkë me ikjen e tij, më në fund i ishte akorduar edhe titulli i nderit. Një nder që e meritonte, pasi ai kurrë nuk kishte urinuar në vend e pavend para Bashkisë. Madje as para makinës së Kryetarit, që vetëm para disa javësh e kishte renditur në listën e qenve bredharakë e të pabindur.

Vetëm aty ndanë shtyllës së tubtë të rrugës ku ndahen mes vetes (më saktë ku mezi njihen) kabllot e telefonit, elektrikut, dixhitalit, kabllorit, tokësorit, telave që vendos rrobat zonjëza e qenushit, e mjaft telave të tjera që vijnë e ikin nga ajo shtyllë.

Qenushi ishte bërë kështu një shembull për mjaft qenushë të tjerë që zbraznin ujin e tyre të hollë nëpër cepa kinemash, pas bufeve, klubeve, rostiçerive, para Turizmit ku luhen domino, pas çdo shtylle e pas çdo kthese.

Ana tjetër që piketonte meritoren e qenushit ishte se ai nuk kishte qenë ndotës, më saktë kishte gërryer me këmbën e tij dhe kishte flakur poshtë në groptha të hapura gjithë plehrat dhe ndotjet që prodhoheshin, falë e jo falë tij.

Dhe kështu ai ishte i pari që si qenush mori pjesë në protestat e ndotjes, madje i dha edhe lehërimë të veçantë këtyre plehnarrëmujave.


I fundit lot i zonjushës që pikoi ishte loti që lagu njëherazi edhe meritoren e futur në kornizë, edhe trupthin në ikje të qenushit gjysmëmjekëror. Dhe loti u kazandis në një mjedis ku duart e zonjushës ishin gati si fije thekre përballë atyre duarve që kishin ardhur nga Lart të përthenin fjalëduartrokamat e bëshme të paraikësit. Paraikësi i dërmuar nga lotëdhimba qenushe krokiti zedhshëm dhe fjala e tij oshëtiu tutje e tutje...

Qenushi iku. Iku me një kornizë të dhënë. Me një meritore tjetër të vockël në krahasim me atë të Madhen nga Lart. Kështu emri i tij tashmë pritet ti vihet rrugës së asaj shtylle ku ai ngriti këmbën e tij edhe për të fundit herë. Pranë asaj shtylle ku zonjëza mbajtëkujdesëse e qenushit kërkon të bëjë një memorje. Memorje me përmasa të tilla historike. Memorje në ikje dhe për ikje... Dhe u miratua, u ba dhe u ngrit memoriali. Në mëngjes mbi të ishte shkruar: Ikje, Plehnarrëmuja, Qenusha të birit të qenushave... Dhe vetëm dikush ishte në lotë ...

Ikje... Qenushi tutje në ikjen e tij, duket se për të fundit herë kaloi në rrugën që mezi pret emrin e tij të Nderit. Dhe Nderi që meritohet...mes ikjeve të përlotura e të duartrokitura njëherazi. I sillni sadopak ndërmend miq për më gjatë. Për më gjatë, miq të mirë, se qenushat dhe sëra e tyre janë si puna e asaj popullores, që të lënë një litar mbi të ndarën e syve. Kujdes miq nga ikje të tilla me Nder qytetës!


15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page