“I pavaruri”
Në gazeta dhe portale,
Si ujë lumi në kanione,
Me mendime “origjinale”
Shkruan “drejt” opinione.
“I pavarur”, pa ngjyrime
Fjalë e tij sharrë që pret.
Nëpër studio bën shpërthime,
Tund e shkund si tërmet.
Ç’ka përbrenda, brum të vetes
Prej natyre bërë dhuratë,
I lë peng nën pluhur mbetës
Kur hedh firmë mbi kontratë.
Mendimet si miell i situr,
Argumentet zinxhir ari
I kyç mbuluar të kopsitur,
I dyllos me dyll sirtari.
Punëdhënësve “bujarë”,
U premton “pas lavazhi”,
Se do flasë me vrull, mbarë
Veç në role personazhi.
Portofolin ka parim
Shërbëtor i porosive.
Nuk humbet kurrë drejtim,
Eshtë besnik i llogarive.
“I pavarur”, por mentor
Pagadhënësin ka mbi kokë.
Dorë dhe gojë për të përdor
Pa falur as miq, as shokë.
Komentarai