HOMAZH PËR SULEJMAN GASHIN, EMËR EMBLEMATIK I GAZETARISË SË KOSOVËS
Nga Prend Buzhala
Lajm i pikëlluar: shkoi në amshim edhe një figurë e dalluar: Sulejman Gashi (SHBA, nga Kijeva e Malishevës), korrespondenti i RTK-së në ShBA. Për shumë vjet dëgjuesit e shikuesit e TV në Kosovë i kanë përcjellë raportet e tij ditore për RTK nga SHBA-të. Gjimnazi në Kijevë, dikur ishte paralele e ndarë e gjimnazit "Lugij Gurakuqi" të Klinës. Nxori nga gjiri i vet emra e figura të shquara të rezistencës, të luftës, të kulturës, të dijes e të paqes. Ndër to, edhe të gazetarisë. E ndër ta, edhe një emër emblematik, Sulejman Gashi. Ai ishte dikur nxënës i kësaj vatre arsimore, me prirje të shumta: në shkrime, recitime, teatër... Dhe ndoqi pritjen e shkrimit në fushën e gazetarisë, ku bëri emër. Pas urimit të ditëlindjes, në prill të vitit 2012 më shkruante: shkruante: "I dashur profesor Prend, Të falënderoj për urimin dhe të uroj gjithë të mirat ty dhe gjithë familjes. Kësaj vere kam plan të vij në Kosovë për një muaj dhe kam dëshirë të prijmë një kafe bashkë. Shëndet dhe suksese në krijimtarinë tënde." Dhe kur vinte në Kosovë, së paku një bashkëbisedim na e dhuronte. Më nuk priti t’ia uronim ditëlindje! Gjendja e tij shëndetësore u rëndua qe disa vite... Kolegët e tij e kanë vlerësuar: "Ai është i pakursyer në ndihmën e tij për kauzën kombëtare dhe ka shoqëruar e këshilluar përfaqësuesit politikë të Kosovës, në vite, gjatë vizitave të tyre në SHBA." Me të drejtë djali i tij, Driloni, duke e bërë të ditur lajmin për humbjen e prindit, shkruan: "Sulejman Gashi bëri një jetë, dhe la një vepër, me domethënie të jashtëzakonshme për familjen, profesionin, vendin dhe kombin e tij”.
(11 shattor 2020)
Comments