top of page

HISTORIA TRAGJIKE...


HISTORIA TRAGJIKE (DHE HEROIKE?) PËR SHQIPËRINË...

(SHËNIM PËR VEPRA DY VËLLIMËSHE ‘’OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË’’ TË AKADEMIKUT Prof. IRAKLI KOÇOLLARIT, TIRANË 2022)

NGA KRISTO ZHARKALLIU.

Për një njeri që ka mbijetuar periudhën tragjike të luftës, kur sapo ishte lindur ku familja e tij e kishte paguar me gjak, i ashtuquajturi ‘’çlirim’’ i vendit nga pushtuesit nazifashistë ishte shumë i dëshiruar dhe shpresëdhënës. Shkruesit i ka mbetur në kujtesë kur njeriu i tij i shtrrënjtë, xhxhai, i qëlluar me një plumb në kokë nga nazisti, ra mbi të duke e lagur me gjakun e tij. Si rrjedhojë nuk kishte si të mos gëzoheshin dhe shpresonin se ‘’çlirimi ‘’ i vendit do të sillte ditë të bardha pa vuajtje, pa frikë dhe kryesorja pa gjak dhe lotë. Sigurisht ne nuk mund ta dinim se çfarë thurrej rreth nesh. Por aso kohe ngjaret rrokulliseshin me shpejtësi , pushtetarët e rinj- ishin të rinj- e nisën qeverisjen e tyre me një entusiazëm të paparë- aq sa që të frikësohen tisa- ndoshta të rritur në kushte të tjera. Në shkollë na thoshin të thërrisnim: Enver- Stalin- Tito! Pastaj hoqën Titon dhe lanë vetëm Stalinin pas Enverit. Për disa vite të fëminisë, ishte bërë tmerr emri i Koci Xoxes që thoshin se drejtonte dhe sundonte çdo gjë.Shumë shpejt filluan ‘’Reformat’’- agrare, arsimore. Shëndetësore...të kulloheshin kënetat- të Maliqit, Tërbufit e të tjera; më kujtohet kur bëhej thirrje për Luftë kundër analfabetizmit...por krahas kësaj dhe Lufta e klasave. (dihej se kullimi i kënetave bëheshin me të burgosur politikë!) Këto i dinim- ndonse fëmijë akoma- por akoma nuk dinim se çfarë thurrej rreth Shqipërisë së vogël dhe të varfër-Shqipërisë së prapambetur shekullore. Disa shpresonin se të huajt- anglezët (amerikanët nuk ishin shfaqur akoma në propagandë) dhe fqinjët nuk do të lejonin që Shqipëria të bëhej komuniste! Veçse në fqiun jugor nuk kishte shpresa të mëdha se atje po vriteshin me njeri tjetrin- shumë shpejt do të fillonte lufta civile vëllavrasëse që do të përgjakte Greqinë ‘’monarkofashiste’’ si e quanin, deri në fund të vitit 1949...Ndërkohë dëgjoim se ish ballistët dhe ‘’nacionalistët’’ që ishin larguar nga vendi me pushtuesit ose me ardhjen në fuqi të komunisëve, po organizoheshin që të ktheheshin si çlirimtarë- veçse populli, sidomos fshatarësia që kishte përfituar tokë nga çifliqet e bejlerëve dhe agallarët, me reformën agrare nuk e dëshironte kthimin e tyre në pushtet që të rimernin çifiqet e tyre.. Prandaj nuk dukej të kishte ndonjë rezistencë antikomuniste të organizuar si pretendohej nga ata që keqinformonin angloamerikanët!

1.) M’u duk e nevojëshme kjo hyrje para se të përpiqem të analizoj veprën madhështore dy vëllimëshe (më shumë se 1000 faqe të ilustruara me fotografi përkatëse) të Akademikut tonë Irakli Koçollari që sapo ka qarkulluar (2022) në Tiranë që përshkruan periudhën e vështirë dhe të përgjakëshme deri në vitin 1960. Për ata që e kanë perjetuar këtë periudhë të vështirë- shkruesi i këtyre radhëve i përjetoi të gjitha- nuk është kaq e lehtë të mos mallëngjehen dhe të mos trishtohen kur u duket se si kaq vite të jetës së tyre vajtën humbur. Duke lexuar çdo rresht të librit më dalin përpara pamjet dhe vështirësitë e asaj kohe. Është e çuditëshme se sa shpejt u organizua dhu konsolidua ai pushtet me reformat dhe rreptësinë e tij. Por ajo që të habit- sado që i ke dëgjuar e përjetuar në një farë mënyrë ato ngjarje- është qëndresa, është heroizmi dhe zgjuarsia e disa njerëzve që ne i takonim për ditë dhe nuk e dinim se ata luftonin dhëmbë për dhëmbë me ‘’armikn’’ tyre dhe të Atdheut dhe, kryesorja dilnin fitimtarë. Se ata besonin se kryesisht i shërbeni Adheut dhe pastaj besimit të tyre politik-madje nuk e di në se të gjithë këta qenë komunistë. Sa të rinj e të reja derdhën gjakun e tyre pas ‘’Çlirimit’’ nga të dy palët? Këta, mjerisht, kishin një karakteristikë të përbashkët: ishin shqiptarë. Se të huajt- si nga hera në histori- kundër kombit arbëror kanë përdorur shqiptarë. Koçollari na përshkruan në mënyrë të përsosur se nga të gjithë dhe, kryersisht- nga shovinistët që rrethojnë vendin,- i përdornin këta ‘’shqiptarë’’ që të zhbënin dhe të ndanin ndërmjet tyre Shqipërinë. Ëndrra dhe qëllimet e tyre shekullore.. Duket se faktori anglez nuk kishte kundërshtim të madh ndaj synimeve të shovinistëve dhe po të ishte në dorën e tyre do t’i ndihmonin që t’u arrinin synimeve të tyre mjafton të hiqnin qafe komunistët e Hoxhës, por...Por... këtu shfaqet faktori gjigand amerikan që jo vetë u pret oreksin shovinsitëve- u a bënte të qartë se nuk do të lejonte cënimi i kufijve të Shqiprisë dhe se lufta e tyre ishte vetëm kundër komunistëve për t’u dhënë shqiptarëve lirinë dhe demoracinë perendomore. Këtë u a bënë të qartë dhe britanikët që pa dashje u bindën... Kësisoj filloi lufta kundër pushtetarëve të Tiranës...veçse (si na thotë Irakli Koçollari dhe e ka konstatuar dhe shkruesi i këtushëm) nuk kishin informacione të sakta, ose më mirë kishin të dhëna tepër të gabuara. Këtu qëndron gabimi i tyre- i amerikanëve dhe anglezëve- se u besonin përrallave të të emigruareve dhe sidomos të atyre që kishin braktisur vendin bashkë me pushtuesit nazifashistë- por edhe të arratisurve të përditëshëm që thoshin gënjeshtra që t’u bënin qejfin mikpritësve të tyre perendimore. Ky ishte gabimi kryesor i Shërbimeve të zbulimit amerikan (CIA) dhe atij anglez (SIS) Amerikanët në një farë mënyrë justifikohen se nuk kishin pasur kontakte të mëdha me antikomunistët më parë, po anglezët që kishin qënë që në fillim të luftës, bashkë me komunistët dhe naconalistët, që kishin shkelur pothuajse të tërë territorin shqiptar, si nuk kuptuan qorrsokakun që po shkelnin? Çudi!

2.)Duke lexuar historinë e atyre ngjarjeve si po na i përashkruan në mënyrë bindëse dhe realiste miku Irakli, nuk mund të mos rrënqethesh, sidomos kur i ke jetuar vetë ato ngjarje tragjike.Historiani shqiptar nuk flet kot, nuk shpreh mendimet e tija: ai ka shfrytëzuar dosjet sekrete amerikane dhe angleze, por edhe të sigurimit shqiptar të zbulimit- ka shfletuar me durim dhe ka analizuar të dhëna të sakta që deri pak kohe kanë qënë të ndaluara rreptësisht për publikun. Por këto arkiva më në fund u hapën dhe historiani shqiptar me durim e këmbëngulje i ka shfletuar duke na dhënë informacione të sakta që deri pak kohë nuk i dinte njeri. (jashtë shërbimeve përkatëse!) Kishim dëgjuar e lexuar atëhere për grupin e Et-hem Çakos dhe deri diku nuk i besonim-propagandë komuniste na thoshion- sikur donin të mohonin sakrificat, heroizmin dhe mëndjemprehtësia e disa burrave- si ishin Pilo Shanto me shokë. Që atëhere kishte dalë në skenë- ose në prapaskenë- njeriu që do të drejtonte zbulimin shqiptar për më shumë se dyzet vjet dhe që do të përfundonte vetë viktimë e pushtetit të tij, Kadri Hazbiu. Më tej na flet për grupin ‘’famëmadhe’’ të Zenel Shehut dhe Hamit Matjanit! I pari nuk ishte kaq i njohur në Shqipëri, kurse i dyti ishte i famëshëm madje flitej se ai hynte e dilte,kur të donte, vriste këdo që nuk i pëlqente në Shqipëri dhe se ishte i pakapëshëm! Kush ta besonte se Hamit Matjani do të binte n duart e Alikos, Shantos dhe Hazbiut, duke rënë nga qielli? Dokumentat që lexojmë në këtë vepër historike janë rrënqethëse. Por ajo që habit- na e thoshin atëhere dhe nuk e besonim- se si të gjithë këta bashkëpunuan me organet e sigurimit shqiptar duke mashtruar ish padronët e tyre peredimore? Por është fakt se si Zenel Shehu dhe-kryesisht- Hamit Matjani pohuan çdo gjë, madje ky i fundit numëronte si me...krenari- të gjitha viktimat e tij- ata që kishte vrarë duke hyrë si diversant në Shqipëri! Të gjitha këto i lexojmë me hollësi nga dokumentat e asaj kohe. Dhe sigurisht mësojmë se si organizoheshin në Gjermani, Itali, Greqi dhe më vonë në Jugosllavi dhe si të gjitha këto drejtohesdhin nga britanikët dhe sigurisht nga amerikanët ndonse këta të fundit u a prenë oreksin Beogradit dhe Athinës për copëtimin e Shqipërisë...

3.) Shumë vjet- sidomos kur diktatura në Shqipëri ishte në pushtet- qarkullonin ‘’thashetheme’’ -duke manipuluar- se ‘’fitoret’ për komunistët dhe ‘’disfata’’ për perendimorëve nuk ishte për meritë të sigurimit shqiptar, por për arsye të tradhëtisë së Filbit dhe ndihmës organizative të KGB-së sovjetike. Prej kohësh një mik amerikan më kishte siguruar se Filbi nuk kishte kontribuar aspak (e pata shkruar që atëhere ndonse nuk më besuan!) dhe kryesisht zbulimi shqiptar gjatë atyre viteve nuk kishte lidhje të ngushta- ose nuk kishte aspak lidhje- me KFB! Si rrjedhojë nuk kishte pasur ndihmën e rusëe (historiani na tregon se para të prrishnin marrëdhëniet me Beogradin, rusët asqë e njihnin ekzistencën e Shqipërisë- njihet shprehja e Stalinit kur i kishte thënë Titos ‘’GËLLTITENI’’ për Shqipërinë. Këtu pra Koçollari na e paraqet me fakte të padiskutueshme se Filbi nuk kishte gisht në shpartallimin e grupeve nacionaliste që hynin paligjshmrisht në Shqipëri, ashtu si nuk kishin aspak gisht rusët-ose sovjeikët e asaj kohe dhe Stalini ‘’i Madh’’ vdiq më 1953 dhe pastaj dihet se si shkuan marrëdhëniete Shqipërisë me Moskën dhe me ukrainasin Hrushov. Për këto Irakli Koçollari shfrytëzon pohimet dhe shkrimet e protagonistëve anglezë dhe amerikanë të asaj kohe- si në libra të shkruara prej tyre ashtu dhe nga arkivat e zbuluara, madje dhe pohime të atyre që akoma ishin gjallë. Ka bërë një punë të madhe pothuajse objektive, pa shprehur asgjëkundi mangësinë e atdhetari- ndonse është e sigurtë se Irakli Koçollari ka ndienja të larta patriotike, dhe atdhedashuri. Duket se është njohës i mirë i historisë që përshkruan dhe ka punuar mjaft kohë që të mblidhte kaq dokumente sekrete të ngjarjeve interesante tragjike të viteve 50 -60 të shekullit të kaluar. Për këdo që i ka përjetuar në mënyrë indirekte- me të dëgjuar- duhet patjetër të lexojë hostorinë- por edhe të rinjtë shqiptarë që duan të njihen me të kaluarën e vendi të tyre, do të njihen me një histori që deri tani ka qënë krejt e pa trajtuar...

Historinë e tij Irakliu na e përfundon me një të papritur (surprizë?). Ai ka mundur të sjellë ballë përballë dhe të pajtojë dy nga protagonistët e atyre ngjarjeve heroike tragjike. Amerikanin Majk që drejtone grupet antikomunste (Zenel Shehun, Hamit Matjanin me shokë) dhe Pilo Shanton- një nga figurat më të shquara të zbulimit shqiptar që i kishte prrishur planet e Majkut, (askush prej tyre nuk jeton më!) Ata, si shqiponja të vjetra- që u kishin rënë pendët- u shikuan sy më sy dhe në fund dhanë duart dhe u pajtuan.Pastaj, sipas zakonit shqiptar,pinë nga një gotë raki dhe folën për të kaluarën. Jo më si armiq, po si miq të pajtuar përjetësisht. Tekefundit asnjeri nuk kishte fituar. Vetëm historia e tyre do të tregohet si legjendë në të ardhmen. Ashtu si na e tregon hjistoriani i talentuar, Akademiku Prof. Irakli Koçollari- i cili ngahera PO NA HABIT E MAHNIT me zbulimet e tij historike- si me Ali Pashë Tepelenën, me Arvanitët e të tjera...Ashtu si presim prej tij libra të tjera historike se ai është akoma shumë i ri!

KRISTO ZHARKALLI, 3 PRILL 2O23.

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page