top of page

Historia e Dibrës


Historia e Dibrës, histori luftërash dhe fitoresh

(Shënime për librin “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë të autorit Sakip Cami)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


Sakip Cami me librin “Dibra, ngjarje dhe luftëtarë“, ka shkruar se Dibra, në gjirin e vet ka mbështjellë me mjegullat e kohës ngjarje, bëma, si dhe njerëz të shquar që ende nxjerrin krye e dritësojnë me vlerat e tyre të rralla.

Nëpërmjet analizës së ngjarjeve historike të ndodhura në Dibër dhe Bulqizë, kjo është një histori e mirëfilltë, si dhe një përpjekje për t’u transmetuar brezave se jetojmë në këto troje ku ka luftuar Skënderbeu. Në në këto troje ku ka lindur, jetuar dhe kanë luftuar Zaharia Gropa dhe Vlladan Gjurica, prijësa të Skënderbeut, si dhe në këto troje e kala shekullore janë thyer hordhitë osmane të komanduara nga Hajredin Pasha. Autori ju bën një analizë këngëve sipas variantit të vjetër, ku për kangën kushtuar luftës kundër Hajredin Pashës, i ka bërë një përshkrim dhe analizë gjithë ngjarjes historike që ka lënë gjurmë në kujtesën popullore.

Nëpërmjët këngëve popullore të zonës së Dibrës shpaloset qëndresa heroike e mbrojtjes së trojeve etnike shqiptare në shekuj. Nëpërmjet atdhetarve dhe patriotve, që vijnë si kreshnikë të Dibrës dhe të Shqipërisë lexuesi njihet me lavdinë e këtij trualli arbëror.

Ndaj dhe udhëtimi historik në Dibër, natyrshëm rigjallëron këngët popullore me hapësirat e tyre homerike mbi supet e të cilave kalërojnë figura të mëdha të historisë, të cilat i kanë bërë nder dhe i kanë shtuar vlerat këtyre krahinave se ata kanë luftuar me pushkë, por dhe për dije, për shkollë dhe për dritën e diturisë.

Prijësat dibranë bënë emër dhe shkruan histori duke qenë zot në trojet e tyre, duke ngelur legjendarë, e duke përcjellur nga brezi në brez, trimëritë, kuvendet, luftërat dhe këngët. Ata ishin legjendarë dhe si legjendarë ngelën në historinë e Dibrës. Figura të fuqishme politike, ushtarake e rilindas dibranë si Iljas Pashë Dibra (Qoku), Vebi Dibra, Nikoll Kaçori, Said Najdeni, Sherif Langu, Elez Isufi (Ndreu), Isuf Xhelili (Ndreu), Mersim Dema, Hazis Xheka, Dalip Karaj, Mehmet Duriçi, Dan Cami meritojnë përmendore lavdie në tokën ku kanë rënë dhe në mendjet e njerëzve.


Me heronj si Osman Paci, Ramadan Islami (Çerpja), Abdulla Cara, Beqir Shyti e shumë të tjerë ky truall u mbrojt nga invazioni armik.

Prijësa, klerikë dhe udhëheqës popullorë si Sheh Mustafa Zerqani, Sheh Fejzë Bulqiza, Hoxhë Hasan Moglica, Hoxhë Hazis Lila, Sheh Shazumani, Sheh Halimi, etj., realizuan me intuitën e tyre, vizionin madhor se nuk ka fe pa atdhe, si dhe nuk ka atdhe pa gjuhën tonë të bukur shqipe.

Në kujtesën e Sakip Camit kanë mbetur të gjalla këngët dhe vajtimet për trimërinë e Hazis Demës dhe Kurt e Mete Demës nga Homeshi. Mustafa Jakimin nga Shtushaj autori e bie si një hero të vërtetë që lufton edhe me një këmbë dhe pse i plagosur. Nëpërmjet këngëve popullore vjen dhe Salë Markja, një udhëheqës i vërtetë popullor. Sali Aga siç e thëriste populli, me dy kulla një në Zogje dhe një në Bofmollë të Dibrës ishte një gur xhevahiri në gjerdanin e madh të historisë së bashku me Sali Demirin e Çidhnës. Nga kënga del roli organizator i Sheh Mustafës nga Zerqani, por njëkohësisht shfaqet gadishmëria e Llan Kaloshit nga Dibra e Poshtme për të luftuar së bashku me trimat e tij. Në mjaft beteja legjendare ka shembuj të mirëfilltë heroizmi dhe patriotizmi të shfaqur prej Ahmet Lokës nga Sopoti i Grykës së Madhe, si dhe të trimave Rizvan Alla dhe Fasli Malja, ku shquhen për luftë burrërore ballë për ballë me turqit.

Sakip Cami, një lis i ardhur prej maleve të Dibrës, me fjalën e tij të urtë e fisnike, përherë ka mbjellë miqësi në jetën e Dibrës, Bulqizës dhe në Tiranë. Gjurmët e tij të çojnë në trimërinë dhe fisnikërinë e Camajve, në gjithë Dibrën, për bëmat dhe përpjekjet e tyre do të mbeten shekullorë në kulturën shpirtërore dhe historinë shqiptare. Sakip Cami përbën një vlerë intelektuale e njerëzore në Dibër dhe më gjërë, njeri me vullnet të hekurt, me përkushtim dhe me botë të pasur shpirtërore, ai e ka lartësuar emrin e tij, dhe është bërë shembull i njeriut të kohës.

Ndaj dhe libri është i gjetur dhe i ardhur në kohë, një kontribut historik në kuadrin e 110 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, për të dëshmuar këtë histori të shkruar me gjak nga populli heroik i Dibrës në shekuj. Libri dhe historia brenda tij i bëjnë nder jo vetëm këtyre krahinave, por dhe historisë tonë kombëtare. Ai mendoj se do të jetë pjesë e historisë në veprimtarinë historike dhe patriotike të zonave të Dibrës, për një njohje më të detajuar për luftëtarët e lirisë dhe të pavarësisë.

129 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page