top of page

HISTORI


NË EMËR TË DASHURISË


Poezi nga Kozma Gjergji



NË EMËR TË DASHURISË


Xhelatët

Në emër të popullit

Lirinë e kyçin në qeli,

Kurse unë

Në emër të dashurisë

Ty të kyça në zemrën time

Dhe qëllimshëm

E humba çelsin.



NË PROTESTË


Bubullojmë

E gjëmojmë

Për të drejtat…


Por pushteti

S'na dëgjon

Se i ka të zënë

Veshët, ashtusi

Xhepat.



TRËNDAFILAT E EGËR


Bregut thikë të detit

Ca trëndafila të egër

Rrezikshëm kacavareshin

Të shihnin

Hapsirën e kaltër dhe

Vrapin e lirë të valëve.



BORZILOKU


Ka lule si

Borziloku që

Edhe kur bëhet

I pajetë

Kundërmon më tepër

Aromë.



TRISHTOHESH


Trishtohesh kur sheh

Në drurin fisnik

Korbat

Të kenë folenë.



MË PËLQEJNË


Më pëlqejnë

Përthyerjet e dritës

Tek zhgarravisin

Mbi ujë

Llojë llojë utopi.



RINIA


Më pyesin shpesh

Flokët e rralluar,

Rrudhat

Dhe forca që venitet:

Rinia

Ishte me të vërtetë

Apo qe

Ndonjë fanitje?!



Ç'ËSHTË DASHURIA?


Kushedi. Mund të jetë

Shtrëngatë që kërkon qetësi,

Etje shkretëtire që kërkon ujë,

Errësirë që këndon

e don të bëhet dritë,

Degë e zgjatur fshehtas matanë

gardhit e që lulëzon,

Burim ku sheh fytyrën tënde dhe

s'ngopesh duke pirë…



NË DIMËR


Mbase për të gjitha ikjet

Dhe atë shkretëtirë heshtje

Në plazhin e boshatisur

Deti si gojë dashurie

Psherëtinë i mërzitur.



ME KËTË VAJZË


Me këtë vajzë

Si ato që iu këndojnë

Zemërpërgjëruar e lënduar, që

I pikturojnë me harenë e dritës

Dhe i skalitin

Me daltën e pasionit më të zjarrtë

Është e sigurt se edhe

Gomari, në udhëton me të, kurrë

Nuk e ngatërron rrugën për në parajsë.



LEGJENDË


Në kodrat e Drobonikut

Ku bëri luftëra Skënderbeu

Tani gjelbërojnë ullinj të lashtë.

Lulet e tyre -

Qiellin e bëjnë dyfish të bardhë.


Të moshuarit thonë:

Filizat e këtyre ullinjve ishin shigjeta

Që hodhën luftëtarët e Kryetrimit

Në çastet e gëzimeve, fitoreve.


(Nga cikli i botuar në "Zëri i Rinisë" më 1980)



MËSIME


Dashuria, ashtu si pranvera,

Më mësoj të vishem bukur,

Të këndoj me flautin e fishkëllimit

Trishtimin e praruar e gëzimin e hidhur,

Të dialogoj me të shtrenjtën

Më tepër me trup e të puthura…



HISTORI


Kur ra Epidemia e Murtajës në Angli

Ushtria skoceze sulmoi të përfitonte.

Dhe korri fitore

E triumfalisht u kthye në vendin e vet

Me plaçkë të madhe

Por edhe me sëmundjen e lig

E cila vrau

Gjysmën e popullsisë të Skocisë.


Kozma Gjergji.

50 views4 comments

4 comentarios


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
05 ago 2022

I shumëçmuari Profesor Doktor Eshref Ymeri, ju njatjetoj e shpreh mirënjohjen për angazhimin dhe ekstrakt-analizën rreth poezive. Përjetova gëzim të veçant, sepse e kam të lartë konsideratën për Ju dhe krijimtarinë tuaj të nivelit elitar.

Për mua do mjaftonte qoftë edhe një poezi si "Rinia", që mrekullisht ju ka pëlqyer, ngacmuar dhe hapur një kanat të dritares së kujtimeve për të riparë një pjesëz të rinisë tuaj të hershme atje, në Smokthinën e dashur të trimërisë e këngës, e cila qenka larg nga Vlora, e ku qysh i vogël iu është dashur të përballonit vështirësi. Por dhe sakrificat e vuajtet e kanë të mirën e madhe, se prej tyre dalin heronjtë e lirisë e mendimit.

E ka thë…

Me gusta

Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
04 ago 2022

I dashur Kozma,

Lexova buqetën tuaj poetike. Në atë buqetë, poezia “Rinia” më la mbresa të jashtëzakonshme, ore i Bekuari i Hyjnisë, sepse më bëri të shtegtoj shumë larg, që nga “trungu i një lisi të plakur” deri te “lastarët e dikurshëm të rinisë së tij të harlisur”.

Ajo poezi më solli në kujtesë një këshillë që Nëna ime e shtrenjtë, Hanko Ymeri (1900-1980), një ditë të fundgushtit të vitit 1956, kur, në oborrin e shtëpisë sonë në Smokthinë, po më përcillte për të vazhduar klasën e dytë të Gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë (54 km larg), më dha këshillën në vijim:

“Rrugë të mbarë, shpirti i Nënës, dhe kujdes, ruaje jetën, se jeta është një stan behari”.

Me gusta

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
04 ago 2022

Mik i nderuar Myslim, të falenderoj me mirënjohje për mendimet thellësisht depërtuese

e me profesionalizëm dhe vlerësimet e larta rreth poezive. Gjykoj që momenti sesi pritet e çmohet krijimi nuk është shumë larg përjetimit kur e realizojmë, prandaj dhe gëzohemi gati si fëmijtë.

Të uroj shëndet e kurdoherë me befasi të reja në krijimtari! Përqafime, K.Gjergji.

Me gusta

mich.maska
04 ago 2022

NE EMER TE DASHURISE, nje cikel poetik dinjitoz i poetit te talentuar Kozma Gjergji

na gezoi keto dite.

Motivet jetesore, konceptimet e fresketa dhe origjinale, konciziteti, gjetjet me nentekstet

liriko- filosofike e pershkojne te tere ciklin. Ndjenjat e holla bashkebisedojne natyrshem me lexuesin aq sa te duken si aforizma dhe te ngelen ne mendje.

..."Ne emer te dashurise/ Ty te kyca ne zemren time/ Dhe qellimshem/ e humba celesin". ose tek poezia e mrekullueshme, "HISTORI" etj. etj. Ky eshte poeti Kozma Gjergji.


Falnderimet e mia te perzemerta per poezine per DROBONIKUN "TIM"! Me ke bere shume "borxhli'...

Te uroj shendet dhe arritje te reja. Me shume respekt: Myslim Maska, Athine.


Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page